Studentët u rikthehen protestave: “Pakti” nuk ka sjellë asnjë përfitim

Studentët e universitetit të Korçës rindezin protestat. Të rinjtë flasin për “Shekulli “-n:”Pakti” propagandë e qeverisë, nuk kemi ndjerë asnjë përfitim. Kryeministri vazhdon numëron pseudo-arritjet. Sot, protestë edhe në universitetin e Elbasanit. Anëtarët e bordit, pjesë e PS-së

Enida Vërça

Studentët e Universitetit të Korçës “Fan Noli”, i janë rikthyer sërish protestave dhe bojkotit të mësimit, ditën e djeshme. Ata protestuan për rreth një orë në ambientet e universiteti, duke sqaruar se në ditët në vijmë, mobilizimi dhe kohëzgjatja do të jetë më e madhe. Të rinjtë u shprehën për “Shekulli”-n, se “Pakti për Universitetin”, i propozuar dhe miratuar nga kryeministri Rama, nuk ka sjellë asnjë përfitim dhe është një propagandë e cila synoi vetëm rikthimin e tyre në auditorë. Të gjendur në këto kushte studentët këtij universiteti kanë vendosur të rindezin protestat. Ismeralda Seidolli, studente dhe pjesë e Këshillit Studentor në këtë universitet, tha për “Shekulli”-n, se “Pakti ” nuk ka rezultuar i suksesshëm, për aq kohë sa ata nuk po mund t’i ndjejnë përfitimet apo efektet të cilat janë përfolur aq shumë. “Deri tani jemi në situatën ku është krijuar “Portali i transparencës” që pretendohet të jetë një lloj instrumenti i cili do të shërbejë për kontrollin dhe transparencën e IAL-ve. Ja u krijua ky portal, po pastaj, kush do të merret me analizimin e fakteve të dokumentuara atje, kur inspektime të kësaj natyre kërkojnë në këndvështrimin tim një inspektim shumë profesional. Fare mirë institucionet shtetërore përkatëse mund të vihen në dispozicion të menjëhershëm për të bërë një inspektim të detajuar në lidhje me buxhetin e akumuluar, shpenzimet dhe investimet e realizuara dhe të planifikuara. Ne si shtet vuajmë nga një kulturë mos ndëshkueshmërie dhe mendoj që s’ka nevojë për krijime portalesh për aq kohë sa të gjithë instrumentet shtetërorë do të vihen në funksion të menjëhershëm për evidentimin dhe zgjidhjen e problemit”, thotë ajo për “Shekulli”-n.

Sondazhi

Një tjetër pikë e “Paktit”, është edhe Sondazhi Kombëtar i Studentëve, ku sipas të rinjve të këtij universiteti, nuk ka pasur pjesëmarrje në votime. Seidolli, thotë se sondazhi ka qenë mjaft i gjatë dhe nuk i është përmbajtur problemeve konkrete të studentëve. “Në universitetin Fan S. Noli anketimit ju përgjigjën afërsisht 700 studentë nga 5000 studentë në total. U interesuam për të kuptuar çfarë i shqetësonte studentët dhe dolëm në konkluzionin që pyetësori ishte shumë i gjatë dhe mbi të gjitha nuk kishte pyetje thelbësore dhe konkrete që të ishin nyje zgjidhëse dhe lidhëse me kërkesat e studentëve. Në pamje të parë, na u duk sikur faji ishte i studentëve, por realisht përderisa ky opinion ekzistonte tek pjesa më e madhe e studentëve logjika të çon në përfundimin që kjo masë nga Ministria e Arsimit nuk ishte as efikase dhe as produktive. Unë do e quaja të dështuar për aq kohë sa masa nuk i përgjigjet. Kjo tregon që ne si studentë kemi nevojë për ndërhyre konkrete, për përmirësime reale dhe të dukshme në jetën studentore. Nuk na intereson sa herë del ministrja apo kryeministri në televizor dhe numëron pseudo-arritjet në lidhje me kërkesat e studentëve, ne na intereson vetëm rezultat final dhe ajo që përcillet si ndryshim pozitiv në jetën tonë studentore, gjë të cilën deri tani nuk e kemi ndjerë. Solla këto shembuj për të ilustruar realitetin studentor dhe faktin pse “Pakti për Universitetin” nuk po funksionon”, shprehet ajo.

Vazhdimi i protestës

Në protestën e realizuar ditën e djeshme, por edhe ato të dhjetorit, anëtarja e këshillit, thotë se një mbështetje shumë e madhe kanë qenë stafi pedagogjik dhe organet drejtuese të këtij universiteti. “Gjithmonë pedagogët kanë qenë mbështetje për ne dhe njëkohësisht pjesa që duhet theksuar është angazhimi ynë si Këshill Studentor për t’ju përgjigjur kërkesës së studentëve për vazhdimin e protestës, për ketë kemi menduar që çdo javë do të ketë një ditë të cilën ne do ja “dedikojmë” realizimit të protestës. Ne si Këshill Studentor në emër të studentëve në dhjetor kemi deklaruar dhe i kemi premtuar njëri- tjetrit që çështjen e studentëve do e çojmë deri në fund dhe jemi të vendosur për këtë “, bën me dije ajo. Më tej shton se studentët e kanë potencialin dhe mundësinë për t’u bashkuar larg frymës politike, në realizimin e pikave. “E dimë dhe jemi të sigurt që kauza jonë është e drejtë. Që kauza të kësaj natyre duhet të ndihen (shpirtërisht) që të realizohen, kështu që nuk është nevoja të bëjmë thirrje për koordinim. Studentët e vërtetë të dhjetorit duhet ta dinë këtë gjë. Për studentët e dhjetorit nuk duhet të ketë kompromis me mashtrimet dhe padrejtësinë! Për herë të parë në jetë e kam ndjerë veten studente në dhjetor dhe do të dëshiroja që për mbrojtjen dhe garantimin e plotësimit të kërkesave tona të përbashkëta të ribashkoheshim përsëri. Ne kemi potencial, kemi fuqi shumë të madhe për aq kohë sa jemi të bashkuar dhe larg forumeve politike”, përfundoi studentja.

Universiteti i Elbasanit

Studentët e universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani “, do të ngrihen sërish në protestë ditën e sotme. Burime për “Shekulli”-n bëjnë me dije, se protesta do të nis në orën 08:30, me motivin e dështimit të “Paktit për Universitetin “, si dhe mosdakordësim mbi përzgjedhjen e anëtarëve të bordit. Studentët thonë se për të përfaqësuar zërin e tyre, në Bordin e Administrimit, ka dalë vetëm një kandidat, i cili nuk është propozuar nga ata, por rrjedh nga strukturat e Partisë Socialiste. Po ashtu, ata deklarojnë se deri më tani “Pakti “, i propozuar nga kreu i qeverisë, Edi Rama nuk i ka ndihmuar ata, por ka thelluar edhe më shumë krizën në universitet publike. Të rinjtë janë shprehur se në këtë propozim, ka vetëm një propagandë të qeverisë, e cila tashmë është kuptuar duke rizgjuar protesta edhe më të fuqishme se ato të dhjetorit.

Studentët: I dhamë kohë qeverisë, tani do ketë vetëm protesta

Edmond Brhaimi, student i universitetit të Korçës “Fan S. Noli “, tha për “Shekulli “-n se protesta e ditës së djeshme është një rizgjim dhe një tentativë për t’i treguar kryeministrit, se nuk mund të vazhdojnë më të besojnë në mashtrimet e thëna prej tij. Është një rizgjim i studentëve pas gjumit letargjik pas protestave të dhjetorit. Ne i dhamë kohë qeverisë për të realizuar “Paktin për Universitetin”, por kjo gjë nuk u realizua. Ndaj u ngritëm në protestë në shenjë revolte për të paralajmëruar qeverinë dhe për t’i thënë se ne akoma nuk i kemi marrë këto përfitime të paktit që kryeministri na premtoi në dhjetor. I kërkojmë qeverisë shqiptarë të krijojë fronte të reja pune ose situatë favorizuese për këtë gjë. Investim në arsim dhe punë po kërkojmë .Kemi menduar që sot (dje) ta nisim me një orë protestën për të mos prishur as mësimin por në vijim do të përshkallëzohet, në sasinë e orëve ose në kërkim të një metode tjetër për të protestuar”, tha ai. Më tej shtoi se qeveria reagon, vetëm kur ka masivizim të studentëve për të ndryshuar situatën në universitet publike. “Ajo që kemi parë deri më tani nga qeveria dhe kryeministri, është një reagim kur ka masivizim nga ana jonë. Çdo gjë është bërë sa për sy dhe faqe, pasi vetëm ne që jemi studentë mund të kuptojmë që asgjë nuk është përmirësuar. Mund të them me plotë gojë që situatat është përkeqësuar në çdo universitetet publik. Ne edhe pse kundërshtuam të dialogonim me kryeministrin Rama, për aq kohë sa u ulëm sërish në auditorë, deri diku i dhamë kohë dhe hapësirë, për të rregulluar gabimet e rënda që janë bërë në arsim. “Pakti” nuk u zbatua, edhe pse nuk u pranua nga ne. Ne si studentë mendojmë se është vetëm një fasadë, asgjë më shumë”, përfundoi ai. Në lidhje me protestën e djeshme, ka folur edhe rektorit të universitetit, prof. Ali Jasharit. Në një deklaratë për mediat, rektori thotë se studentët kanë mëse të drejtë për këtë rikthim. Po ashtu nënvizon, se kërkesat e tyre janë të drejta dhe duhen marrë masa konkrete për realizimin e tyre. Një nga masat që Universiteti po ndërmerr, sipas rektorit Jashari, është dhe krijimi i kurrikulave të reja universitare dhe ndryshimi i atyre ekzistuese në bazë të nevojave të komunitetit. “Thelbi i protestës 1-orëshe të studentëve të Korçës ishte mungesa e vendeve të punës pasi ata mbarojnë fakultetin. Unë mendoj që studentët kanë të drejtë. Universiteti mund të bëjë shumë për të rritur mundësinë e punësimit duke hapur programe të reja për të cilat ka nevojë rajoni i Korçës. D.m.th programe që i përgjigjen nevojave që ka ekonomia dhe shoqëria në këtë shkallë zhvillimi në të cilën ndodhemi aktualisht. Kemi filluar duke hequr dorë nga programet tradicionale në të cilët janë diplomuar me mijëra studente dhe duke hapur programe të reja. Këtë vit akademik janë hapur 15 programe të reja, që janë programe 2 vjeçare me karakter profesional për të cilat ka nevojë rajoni i Korçës. Sepse ishte një kërkesë e komunitetit dhe të arsimit parauniversitar”, tha Jashari. Më tej rektori thotë që po përgatitet baza ligjore nëpërmjet së cilës do të vlerësohen titujt e pedagogëve dhe që studentët do të kenë literaturën e nevojshme në bibliotekat e Universiteteve të tyre. “Po përgatitet bazat ligjore në të cilat do të mbështeten vlerësimi i gradave dhe titujve të pedagogëve. Kemi evidentuar të gjitha nevojat në tekste që fakultetet kanë nevojë. Studentët do t’i kenë tekstet në bibliotekat e fakulteteve”, përfundoi rektori.

Karta, studentët e universitetit të Durrësit ende në pritje

Prezantimi i kartës së studentit nga ministrja Shahini gjatë muajit prill, duket se nuk është shpërndarë në çdo universitet. edhe pse u premtua që prej muajit maj, të rinjtë e çdo universitet publik do t’i kenë në dispozicion, duke reduktuar shpenzimet, kjo gjë nuk ndodhë për të gjithë. Në universitetin e Durrësit, “Aleksandër Moisiu”, karta ende nuk ka hyrë në përdorim. Në këtë universitet për realizimin e kartës së studentit, pritet lidhja e marrëveshjes mes ministrisë se Arsimit dhe qeverisjes lokale. Lidhur me këtë problem, të rinjtë shprehen të shqetësuar, pasi e kanë të nevojshme që të nis funksionaliteti i saj. Më tej ata shtojnë se kanë parë modelin e kartës së prezantuar nga ministrja Shahini dhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe shumë prej shërbimeve të ofruara prej saj nuk janë të domosdoshme. E gjithë kjo, ka sjellë mungesën e plotësimit të shërbimeve reale të tyre, siç është aboneja, libraritë, apo fotokopjet. Kujtojmë që disa nga përfitimet e kartës janë: Transporti publik: Tarifa për transportin qytetas , aboneja e studentit ka vlerën 600 lekë për një muaj. Tarifa për transportin rrethqytetas, studentët nëpërmjet kartës së studentit do të përfitojnë abonenë e studentit sipas ligjit përkatës. Pra, mbetet në vlerë ashtu si siç ka qenë, ndërkohë që problemi i madh është se shoqata e urbanëve prodhon shumë pak abone studenti dhe bashkia nuk i kontrollon. Muzetë: Muzeu Historik Kombëtar Çmimi standard -200 L, për studentët -60 L. Shtëpia me Gjethe: Çmimi standard -700 L, për studentët -210 L. Bunk’Art: Çmimi standard -500 L, për Studentët -300 L. Bunk’Art 2: Çmimi standard -500 L, për studentët – 300 L. Kulla e Sahatit dhe muzeu përkrah tij: Çmimi standard -200L, për studentet -falas. Muzeu Arkeologjik: Çmimi standard – 300L, për studentët -100 L. Muzeu i Shkencave të Natyrës: Çmimi i biletës 50 L për të gjithë. Muzeu i Forcave të Armatosura, hyrja pa biletë për të gjithë. Muzeu i Bankës së Shqipërisë, hyrja pa biletë për të gjithë. Duhet rezervuar paraprakisht online në web-in e Bankës për të vizituar muzeun. Muzeu Mezuraj: Çmimi standard- 200L, për studentët-100L. Qendra Botërore Bektashiane, hyrja pa biletë për të gjithë. Galeritë: Galeria Kombëtare e Arteve Çmimi standard- 200 L, për studentët -100 L. Galeria Fab, hyrja pa biletë për të gjithë. Galeria Zeta, hyrja pa biletë për të gjithë. Galeria Kalo Hyrja pa biletë për të gjithë. Gallery 70 Contemporary Art, hyrja pa biletë për të gjithë. Bazament Art Space, hyrja pa biletë për të gjithë. Cod, hyrja pa biletë për të gjithë. Art Galeri E.Rira, hyrja pa biletë për të gjithë. Vivart Gallery, hyrja pa biletë për të gjithë. Tulla Culture Center, Tirana Art Lab, hyrja e lirë. IICAS-International Interactive Contemporary Art Space. Qendra kulturore kombëtare për fëmijë. Teatri i Kukullave: Çmimi standard për sallën me qera- 15.000L/ ora. Çmimi për studentët 5000L/ora. Teatro dhe kinema: Teatri Kombëtar / ArTurbina. Fundjava çmimi i biletës për të gjithë- 300 L. Të mërkurë të enjte çmimi për të gjithë 150 L. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Çmimi standard- 500 L, për studentët -200 L. Teatri Metropol Çmimi standard -500 L. Studentët -300 L. Kinema Millenium Çmimi standard -500 L, për Studentët -20% ulje për ata që kanë kartën e studentit. Kinema Imperal Çmimi standard -500 L, studentët -10% ulje. Kinema Cineplexx: Çmimi standard në 2D -600 L. Studentët -450 L. Çmimi standard në 3D-750 L, studentët – 600 L. Asetet në varësi të APR- së, etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet