Studentët të revoltuar me tarifat, paralajmërojnë protestë në 21 nëntor

Mblidhet tryeza studentore e Universitetit të Tiranës. Studentët kërkojnë përgjysmim të tarifës së studimit dhe në një moment të dytë taksë 0 për shkollimin e tyre. Ankesa për pedagogët dhe mungesën e librave. Studentët paguajnë 20 milionë lekë në vit për Universitetin publik.

Enida Vërça

Tarifat e larta, shitja e librave nga pedagogët me detyrimi, Ligji për Arsimin e Lartë,  jetesa e papërballueshme, karta studentore dhe abonentë, ishin disa nga  temat të cilat u diskutuan ditën e djeshme në tryezën studentore, “Për Universitetin”, në fakultetin e Histori-Filologjisë. Me pjesëmarrjen e më shumë 200 studentëve nga disa fakultetet të ndryshme publike, ata shpreh njëzëri shqetësimi i madh për tarifat e shkollimit, të cilat sipas tyre, duhet të përgjysmohen, ose edhe më shumë se aq, duke vendosur tarifën zero.  Një tjetër frikë e madhe e shprehur prej tyre ishte se muaj Janar do t’i përballë me tarifa të reja edhe më të larta se ato që kanë aktualisht.

Kërkesa: Të përgjysmohet tarifa e studimit

Në fjalën e tyre organizatorët e kësaj nisme u shprehën se studentët gjatë gjithë kohës janë parë si një statistikë nga Ministria e Arsimit dhe universitetet, që i kanë kthyer në një biznes fitimprurës. Sipas tyre, studentët meritojnë një universitet më të mirë, biblioteka më të bollshme dhe një respekt më të madh nga pedagogët përkatës, që në shumicën e rasteve mungon. Më tej shtuan se shpesh herë janë ngritur së bashku për të protestuar për kushtet në të cilat ndodhet Arsimi i Lartë në Shqipëri, por presionet e marra nga pedagogët apo qoftë edhe nga prindërit e tyre, i kanë detyruar të heshtin. Studentët u shprehën se do të firmosin një peticion me firmat e të gjithëve, duke kërkuar nga Ministria e Arsimit që tarifa të përgjysmohet si fillim dhe në vitet e ardhshme të hiqet fare si detyrim. Sipas tyre, nuk është e drejtë që një vend si Shqipëria, e cila është anëtare në NATO dhe aspiron Bashkim Evropian të diskriminojë studentët, duke i seleksionuar në bazë të të ardhurave.

Krahasimi, Kosova e ka tarifën 20 deri 50 euro

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe studentët nga Kosova të cilët ndjekin fakultetet në Shqipëri. Ata u shprehën se Kosova, një vend me pavarësi të vonë, me të ardhura shumë herë më të vogla se Shqipëria ka një tarifë vetëm prej 50 euro në fakultetet publike. “Nuk po marr fakultete në vendet e zhvilluara, si Gjermani, Norvegji, Estoni ku dhe cilësia e jetës është shumë herë më e lartë. Le të shkojmë në Kosovë, një vend shume herë i varfër se Shqipëria, buxheti publik është shumë herë më i pakët dhe arsimi është vetëm me një mesatare të përgjithshme 50 euro, pasi varjon 30-50 euro. Në konviktet e Universitetit të Prishtinë, me 30 euro në muaj, studentit nuk i mungon asgjë, duke ngrin tre herë në ditë. Studenti në Kosovë nuk punon, vetëm është i përkushtuar ndaj mësimeve. Kurse këtu në vendin tonë, studentët nisin punë që në vit të parë, pasi jetesa është e papërballueshme. Lënë orët e mësimit për të ndjekur punën, pasi duhet të shlyejnë detyrimet që shteti u ka vendosur”, u shpreh Leonardo Çini, student në degën e Historisë. Duke shtuar se pagesat e tarifave nuk i kanë me këste si çdo degë tjetër, por duhet t’i shlyejmë brenda muajit janar, pasi në të kundër përjashtohen nga shkolla. Në fjalën e tyre ata shtuan se në çdo vend të botës, tarifat e studentëve shkojnë gjithmonë drejt uljes, pasi e drejta për arsim është themelore dhe e pacenueshme, ndërsa në Shqipëri, është një e drejtë që studentit po i merret nga viti në vit. Mes problemeve të shumta, studentët deklaruan se në datën 21 nëntor do të ngrihen të gjithë së bashku në protestë duke paralajmëruar Ministrinë e Arsimit, të mos rrisë tarifat në janar të viti 2019 si dhe mos të përjashtohen nga shkolla ata studentët të cilët nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë deri në muajin që është vendosur.

Universiteti i Tiranës u merr studentëve 20 milionë lekë në vit

Në këtë tryezë studentore ishte edhe pedagogu Jani Marka, i cili deklaroi se Universiteti i Tiranës po privatizohet. “65% e buxhetit për këtë universitet paguhet nga xhepat tuaja, ku në vlerë monetare janë rreth 20 milionë lekë në vit, ndërsa 35% i paguan shtetit. Le të ndalemi tek pagat e pedagogëve. Deri më tani ju paguani për pedagogun dhe për universitetin. Nëse ju nuk ngriheni të protestoni për tarifat, nesër do të jenë edhe me të larta se kaq. Më kot quhemi universitet shtetëror, kur ne funksionojmë si privat”, tha Marka.

Këshillat studentore

Një tjetër problem janë këshillat studentore. “Problemi është me të drejtën e votës nga disa llogari që kam bërë, rezulton se kur ne zgjedhim dekanët apo rektorët e rinj, vota ime si pedagog vlen sa 225 studentë. Ju nuk keni asnjë fuqi që zëri juaj të dëgjohet, ndaj duhet të rregullohet pjesa e votës, ku 50% të vlejë e juaja, pra e këshillit studentor dhe 50% e pedagogëve. Duke vazhduar edhe me problemet e tjera, të cilat janë ekonomike. Një studentë i cili vjen nga rrethet, me llogaritë e mia, rezulton se për një vit akademik me të gjitha kostot e përfshira, me një jetës të thjeshtë, harxhon 5 milionë lekë në vit. Për këtë arsye dhe shumë të tjera duhet ndërgjegjësim dhe reagim i menjëhershëm i instancave ”, u shpreh profesor Marka.

Rritja e kuotave

Në tryezën studentore ndër të tjera u diskuta, edhe rritja e kuotave në Masterin Profesional. Ata u shprehën se rritja e kuotave ka ulur cilësinë e mësimdhënies. Sipas studentëve të degës Histori, në Masterin Profesional janë regjistruar 170 studentë, e gjithë kjo sjell një kaos. Shpagimi i mësimit nuk është i mirë, përqendrimi i studentit mungon dhe në fund të vitit përfitimi nga fakulteti është zero. Po ashtu, një tjetër shqetësim ishte se, sipas tyre, jepet një numër shumë i vogël i aboneve të studentit dhe pjesa tjetër detyrohet të blejnë abonenë e përgjithshme e cila kushton 16 mijë lekë të vjetra dhe për ta është një shifër e lartë, pasi shpenzimet janë të shumta. Ata u shprehën se kanë kërkuar një rritje të numrit të aboneve të studentit duke bërë që të gjithë të pajisen me këtë lloj mjeti për të lëvizur. Të shqetësuar studentët e fakulteteve të ndryshme deklaruan se i kanë referuar këto probleme, por deri më tani nuk i ka dëgjuar askush dhe gjendja vazhdon të jetë e njëjtë në çdo drejtim.

Studentët: Nëse nuk ngrihemi, do të paguajmë gjithnjë e më tepër

Edhe pse prej 2 vitesh tarifat e fakulteteve janë “ngrirë”, mundësia për tu rritur është një frikë e madhe për studentët. Albila Lama, studente e Gazetarisë në vit të parë, tha se i gjithë ky problem dhe rritja e tarifave nga viti në vit, vjen si pasojë e mungesës së reagimit të studentëve. “Ne të gjithë duam ulje tarifash, duam të kemi më shumë të drejta, të kemi një jetesë më të mirë në konvikte, por nëse ne nuk i kërkojmë të gjitha këto dhe nuk ngrihemi, askush nuk do të na i mundësojë. Përkundrazi ndoshta do të rriten edhe më shumë. Qeveria nuk ka gjithçka në dorë, secili nga ne është një faktor i rëndësishme për tu ngritur dhe për të kërkuar atë që është e jona”, u shpreh ajo. Një tjetër studente foli për ndryshimin nga viti 2015 deri në ditët e sotme. Gladiona Markaj, studente e gjeografisë u shpreh se tarifat për tre vitet e fundit janë rritur vetëm me 50 mijë lekë të vjetra. “Rezistenca e studentëve nga viti 2015 deri më tani ka bërë që tarifat të ngrijnë, por kjo nuk do të thotë që një ditë ndoshta në Janar të kemi një “surprizë të tillë, ku tarifat të rriten dhe nga 250 mijë për degën gazetari, apo gjeografi, të bëhet 300 ose dhe më shumë”.  Me tej studentja e gjeografisë, shtoi se nga rezistenca e studentëve është bërë e mundur që në degën e saj të paguhet me këste dhe jo në mënyrë të menjëhershme. Për Ermindia Brahja, nuk mund të ketë një tarifë zero, pasi është e papërballueshme për buxhetin e shtetit. “Unë nuk jam për tarifë zero, pasi shteti nuk mund ta përballojë, por të ketë një përgjysmim. Për ne edhe gjysma e pagesës është e konsiderueshme dhe na ndihmon,më pas të bëhet gradualisht, deri sa të shkoj në vlerën zero”, u shpreh ajo. Për Lukën studentit e Gjuhëve të Huaja në kundërshtim me kolegen e tij, shteti duhet të ketë një tarifë zero lekë për studimin. “Unë mendoj se shteti shqiptarë mund të financojë gjithë shkollimin nga viti i parë  i klasës së parë deri në fund të studimeve bachelor. Tarifa të bëhet zero. Unë kam jetuar në Greqi. 2008 deri në 2014 ishin vite falimentimi, që nuk e dije nëse nesër do të mund të ushqehesh edhe një ditë më shumë. Por sërish shteti nuk e çoj ndërmend të vendos tarifë në bachelor. Shqipëria është shtet anëtare në NATO, gjysmën e lekëve që i jep BE Shqipërisë, t’i investojnë për shkollimin tonë. Shpenzimet të tjera që mund të ketë shtetit, rrogat e politikanëve që as vetë nuk e dinë sa i kanë, të përgjysmohen duke kontribuar në universitetet. Janë zyra pafund publike që paguhen duke mos bërë asgjë, të eliminohen dhe këto lekë të hidhen për dijen tonë”, tha ai.

Pedagogët u shesin libra me detyrim

Pedagogët i detyrojnë studentët të blejnë me detyrim librat e tyre. Studentët u shprehën se shumë pedagogë i detyrojnë që të blejnë libra e tyre dhe nëse kjo nuk ndodh ata largohen nga ora e mësimit dhe marrin mungesë. Besa Idajeti, studente në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja denoncoi pedagogun e saj, i cili e kishte detyruar të blejë librin. “Pedagogu i anglishtes, në mos gaboj rektori i departamentit të Gjuhëve të Huaja, erdhi në klasë dhe po bënte kontrollin për librat e anglishtes. Unë e kisha të fotokopjuar, si shumë të tjerë të cilët nuk kemi mundësi t’i blejmë 30 mijë lekë një libër, pasi nuk është një, por janë shumë. Pedagogu më tha pse je me libër të fotokopjuar. I thashë se nuk mund të blej çdo libër, pasi gjendja ekonomike nuk më lejon. Me një gjuhë mjaft ofenduese më tha se nuk kam asnjë të drejtë të flas në mënyrë të tillë dhe se radhës tjetër libri duhet të jetë i blerë. Vazhdova insistimin tim, duke e pyetur se pse dhe mu përgjigj se nuk mund të shkelet e drejta e autorit. Kur e pyeta se kush ishte autori, më tha të mbyllja diskutimin me një fjali të prerë se librat nuk duhet të jenë të fotokopjuar. Po ashtu edhe për studentët e tjerë në Fakultetin e Histori-Filologjisë rastet e tilla ishin të shpeshta. Të shqetësuar ndaj këtij fakti ata kërcënuan se do të denoncojnë çdo pedagog i cili i detyron të blejnë librat dhe nuk i lejojnë të paraqiten në leksione dhe seminare me fotokopje.

Komunikimi i pedagogëve

Një tjetër problem të cilën referuan studentët ishte edhe komunikimi i pedagogëve në orët mësimore. Sipas tyre shumë prej tyre janë të pasjellshëm dhe nuk e meritojnë të jenë në atë post. “Shprehin fjalor jo të duhur në orët mësimore, na heqin dëshirën për të studiuar dhe na bëjnë ta shikojmë shkollën si një hall më shumë për tu hequr”, u shpreh njëri prej pjesëmarrësve në këtë tryezë bashkëbisedimi. Sipas tyre, mungesa e një komunikimi të mirë vjen, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk e meritojnë atë vend që kanë dhe mënyrat se si kanë përfunduar në atë post, nuk janë nga metritokracia.

Karta e studentit

Studentët u shpreh se prej kohësh u është premtuar karta e cila i identifikon ata, duke përfituar një ulje çmimesh jo vetëm në shërbimet publike, por edhe në ato private. Mjafton një vërtetim nga fakulteti që dëshmon se je student në një prej universiteteve publike apo private, për tu pajisur me kartën bashkiake të studentit. Në fjalën e tyre ata thanë se u është premtuar një  sërë lehtësirash, nëpërmjet kartës së studentit, mes të cilave ulje nga 10 deri në 50% të çmimeve në 3 kompani interneti, në 2 spitale private, në 2 kinema, në banka dhe në një prej kompanive që tregton pajisje elektroshtëpiake. Po ashtu u premtua që  ata do të përfitojnë gjithashtu shërbim falas në transportin publik, biblioteka, apo në Postën Shqiptare. Të shqetësuar dhe me shpresën se karta e studentit po bëhet aktive sa më shpejt ata shprehën mosbesimin ndaj bashkisë. Kujtojmë se një vit më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se karta e studentit do të jetë unike, një mjet identifikimi për nevojat e qytetit, ose ndryshe e cilësuar si abonoja me çip elektronik, që nuk do të lejojë abuzimet në emër të studentëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet