Studentët rrethojnë Ministrinë e Arsimit: Të plotësohen 3 kërkesat e tjera!

Ka nisur protesta e ditës së sotme nëpër fakultetet e Tiranës.

Protesta e studentëve është në ditën e saj të katërt.

Tërheqja e ministrisë nga pika 4 nuk i kënaqi studentët, pasi ata kërkojnë përgjysmim të tarifave të shkollimit, rritje të buxhetit për universitetet dhe kushte më të mira në konvikte.

Ora 11:50; “Eja mblidhuni këtu”, studentët: S’largohemi nga MASR!

Pavarësisht shfuqizimit të VKM për tarifën e provimeve të mbartura, studentët nuk tërhiqen nga protestat e tyre deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.

Studentët kanë bojkotuar edhe sot mësimin, ndërsa nga të gjitha fakultetet e Tiranës janë mbledhur tek Ministria e Arsimit. Studenteve të Tiranës, pritet t’u bashkohen edhe studentët nga Universitetet e Elbasanit, Durrësit dhe Vlorës.

“Studentë kjo është koha jonë. T’u tregojmë pushtetarëve. Studentët e bashkuar kanë për ta fituar. Kërkojmë të drejtat tona. Përmirësim të kushteve të konvikteve. Ulni tarifat”, kanë thirrur në kor studentët.

Ndërkohë studentët pasi nisën marshimin nga kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, ata u ndalën tek “Zogu i Zi”, ku u ulën në gjunjë. Me ta u solidarizuan edhe qytetarë të thjeshtë, ndërsa më pas vijuan ecjen përgjatë Rrugës së Durrësit. “Eja mblidhuni këtu, këtu”, “Ulni tarifat”, “Shqipëria është e jona”, “Jo politikë”, këto janë disa nga thirrjet që të rinjtë lëshojnë në kor.

Ora 11:40;  Kërcënohet me arrestim një prej organizatorëve, studenti: Nuk kam frikë!

Një prej organizatorëve të protestës masive thotë se është kërcënuar me arrestim.

Sipas tij, atë e kanë telefonuar duke i thënë se do të arrestohet. Ai shprehet para studentëve në protestën që vijon se nuk ka frikë nga kërcënimet dhe se studentët nuk kanë frikë e s’do të tërhiqen nga asgjë.

Po ashtu në radhët e protestuesve mësohet se ka pasur dhe policë të infiltruar nga ana e autoritete shqiptare.

Ora 11:30; Artisti Robert Alia mbështet studentët

Artisti Robert Alia ka dalë në protestë në mbështetje të studentëve. Alia, siç edhe shihet nga fotografitë, është shumë pranë turmës së studentëve. Ai tha se mbështet fuqishëm këtë protestë dhe dëshiron që rinia e Shqipërisë të jetë më mirë, pasi sikur të mos mjaftojë gjendja e rëndë ku janë, shteti ua keqëson situatën, shkruan gazeta “Shekulli”. Robert Alia madje është parë në radhën e parë të protestuesve, të cilët prej ditësh kërkojnë plotësimin e tre kushteve të tjera nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ora 11:20; A do zhvendoset protesta tek Kryeministria? Studentët nuk pranojnë politikanët në protestë

Qindra studentë, që prej orës 10:00 të ditës së sotme protestojnë para Ministrisë së Arsimit. Ata bëjnë thirrje që të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre e jo vetëm një pjesë e tyre.

Ndërkohë, ata nuk pranojnë që kjo protestë e nisur prej tyre të marrë ngjyrim politik. Kjo ka bërë që studentët të mor i pranojnë në mesin e tyre disa nga politikanët që kanë tentuar të shkojnë aty.

Ndërkohë, disa studentë kërkuan që protesta të zhvendoset drejt kryeministrisë, por organizatorët nuk pranojnë pasi deklarojnë se protesta e tyre ka qëllim vetëm plotësimin e kërkesave që duhet t’i plotësojë Ministria e Arsimit.

“Studentët bënë thirrje për të mos krijuar përçarje dhe për të qëndruar para ministrisë së Arsimit. Ne nuk do të largohemi as tek Kryeministria as Ministria. Ne jemi studentë, të tjerët që kanë arsye të ikin në kryeministri nuk do ia dalin të na përçajnë. Ata janë pjesë e forumeve politike. Do protestojmë këtu!” thanë studentët me megafon duke bërë thirrje për të mos u përçarë.

“Është plotësuar vetëm një kërkesë. Duhet me patjetër të hiqen tarifat pasi janë të papërballueshme”, thonë ata.

Ora 11:00; “Ky është Dhjetori i dytë, sapo ka filluar”, studentët gjuajnë me vezë e letra higjenike Ministrinë

Studentët që janë mbledhur tek Ministria e Arsimit kanë nisur të gjuajnë me letra higjenike e vezë godinën.

Ata kërkojnë që të pranohen 4 kushtet që i vendosën Ministrisë, ndërsa protestojnë me thirrjen:

“Nga xhepat e studentëve na hiqni duart”, “Ky është Dhjetori i dytë, sapo ka filluar!”

Kërkesat që studentët duan të pranohen nga Ministria e Arsimit:

1-Përgjysmim të tarifave të shkollimit

2-Rritje të buxhetit për universitetet

3-Kushte më të mira në konvikte

Ora 10:20; Studentët e Bujqësorit paraqesin 10 kërkesa të reja 

Studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës kanë paraqitur kërkesa të reja për qeverinë në protestën që po zhvillohet sot.

Përveç 4 kërkesave kryesore e të bëra të ditura tashmë, si  anulimi i VKM për tarifën shtesë, përgjysmimin e tarifës së studimit, përmirësimin e kushteve të konvikteve dhe atë për bordin e administrimi, studentët e Kamzës kanë shtuar:

1- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019;

2- Rritja e buxhetit për arsimin me 8% të GDP-së, buxheti për vitin 2019;

3- Reduktimi tarifës me 30% për vitin akademik 2018 – 2019;

4- Reduktimi tarifës me 50 % për vitin akademik 2019 – 2020;

5- Arsim publik falas për vitin akademik 2020 – 2021;

6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;

7- Mbështetja e aktiviteteve dhe projekteve të studentëve me një fond të veçantë, nivel fakulteti;

8- Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore;

9- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor;

10- Rritja nga 10% në 40% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

Ora 10:10; “Sot ne, nesër ju”, studentët thirrje gjimnazistëve: Pezulloni mësimin

Studentët kanë bërë thirrje të forta sot në protestën e organizuar përpara Ministrisë së Arsimit. Ata kanë ftuar edhe gjimnazistët në këtë protestë, duke thënë se nesër do të jenë ata që do të shkojnë në universitete.

“Sot ne, nesër ju”, kanë thënë protestuesit. Studentët kërkuan që edhe gjimnazistët të pezullojnë mësimin dhe të dalin e të protestojnë. Sipas studentëve, atë fat që sot e kanë ata, më vonë do ta kenë gjimnazistët.

Ora 09:40; Studentët marshojnë për te Ministria e Arsimit 

Studentët kanë nisur marshimin e tyre drejt Ministrisë së Arsimit. Në shenjë proteste, ata kanë bllokuar edhe rrugët.

Studentët e Arkitekturës dhe të Urbanistikës kanë bllokuar kryqëzimin te “21 Dhjetori”, ndërsa në duar mbajnë pankarta të ndryshme drejtuar Ministrisë së Arsimit. “U plotësua vetëm një nga kërkesat, por ne nuk do të ndalemi. Ajo kërkesë ishte sa për të na mbyllur gojën. Ne nuk do të ndalemi. Ne kërkojmë kushte më të mira. Jemi nisur për te Ministria e Arsimit. Jemi më të bashkuar se kurrë”, thanë studentët.

Ora 09:30; Studentët e rretheve u bashkohen atyre të Tiranës, dalin në protestë

Protestës së studentëve në Tiranë, i janë bashkuar edhe ata të Universiteteve në rrethe.

Studentët e Durrësit, Korçës, Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit kanë dalë në protestë. Ndërkohë mësohet se studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe atë të “Luigj Gurakuqit” do të nisen drejt Tiranës.

Kërkesat e studentëve janë tre, përgjysmim të tarifës së studimit, kushte më të mira në konvikte dhe rritje të buxhetit në universitete.

Një ditë më parë, qeveria u tërhoq nga pika 4 e VKM 288 për të mos paguar taksën për lëndët mbartëse.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

  1. Saimir says:

    Ku i gjejne qindra mijro euro ne/cdo vit, madmazel kecapi e madmazel bibloteka per akomodimin e klyshve te vet ne France? Keta duhet te zhduken nga skena e te shkojne ne prokurori me kete proteste. Bejuni thirrje mediave nderkombetare te skanojne/ investigojne jeten lluksoze te ketyre kelyshve

Të tjera

Abissnet