Studentët, reformimi i universitetit, përmes vetting-ut akademik

Enida Vërça

“Pakti për Universitetin nuk u realizua në kohën dhe cilësinë e premtuar nga qeveria. Ministria e Arsimit shkeli premtimin për VKM e Plagjiaturave, 83% e studentëve kërkojnë vetting të pedagogëve. Biblioteka Digjitale kushtoi 687.825 dollar por vetëm 5% e studentëve e kanë klikuar rregullisht. 70% e studentëve pohojnë se tarifat e Masterit janë të papërballueshme”, këto janë disa nga gjetjet e publikuara ditën e djeshme në tryezën e organizuar nga “Qëndresa Qytetare”, ku të pranishëm ishin, pedagogë dhe studentë. Ata referuan se post-protesta nuk e ka përmirësuar situatën në universitet dhe problemet të cilat ishin të pranishme një vit më parë, vazhdojnë ende të jenë prezentë ende në auditorë. Problemi më kryesor në gjetjet e këtij monitorimi ishte nisja në mënyrë emergjente e procesit të kontrollit anti-plagjiaturë. E gjithë kjo sipas tyre do të sjellë përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë. “Sipas studimit, mbi 80% e studentëve e vlerësojnë emergjent dhe mëse të nevojshëm nisjen e kontrolleve anti-plagjiaturë mbi doktoraturat dhe studime të tjera universitare”, tha Rigers Xhemollari, përfaqësues i organizatës “Qëndresa Qytetare”, gjatë këtij prezantimi.

Konviktet

Afro gjysma e studentëve të anketuar i konsiderojnë të larta tarifat e konvikteve. Konviktet si një nga zotimet kryesore të qeverisë për rikonstruksionin e kushteve, referuar këtu edhe prezantimeve të herë pas hershme në media, si një arritje, nga të akomoduarit në këto ambiente, pohojnë se ndërhyrjet janë sipërfaqësore. “Të pyetur rreth restaurimit të këtyre godinave rreth 54% e studentëve i kanë cilësuar këto ndërhyrjet si sipërfaqësore, ndërsa 57% e studentëve që jetojnë në këto godina i cilësojnë tarifat e akomodimit si të larta”, thotë monitorimi. Studentët po ashtu i cilësojnë mjaft të larta tarifat e ciklit të dytë të studimeve. “Qasja është e ndryshme për sa i përket vendimit për përshkallëzimin meritokaratik të tarifave të ciklit të parë te studimeve. Ky vendim i cili cilësohet nga 52% e të anketuarve si një vendim i drejtë”. Përsa i përket Kartës së Studentit,50% e studentëve shprehen se shërbimet e ofruara prej saj nuk përputhen me nevojat e tyre bazike, rreth 31% shprehen se ato përputhen pjesërisht me nevojat e tyre dhe 6.1% kanë pohuar se shërbimet plotësojnë plotësisht nevojat e tyre. Ndërkohë 12.5% e studentëve kanë qëndruar indiferentë ndaj kësaj problematike.

Menaxhimi financiar

Studentët vazhdojnë ende të mos kenë besim tek menaxhimi i fondeve. 53.8% e të anketuarve nuk kanë besim, ndërkohë që 33.2% janë të dyzuar. Një tjetër pikë në të cilën ndalet monitorim është edhe portali “U-transparenca.al”. 58.7% e studentëve nuk kanë klikuar asnjëherë mbi këtë portal, ndërkohë që vetëm 15% e tyre kanë hyrë në këtë faqe. “Portali U-transparencqa.al zgjidhja vendosur përballë kërkesës për rritje të transparencës, në bazë të gjetjeve rezulton se është klikuar rregullisht nga vetëm 4.5% e studentëve dhe 76% e këtyre të fundit shprehen se informacionet që paraqiten në këtë portal janë te mangëta dhe të pakuptimëta”, thekson monitorimi. Korrupsioni përbën gjithashtu një tjetër problematikë të rëndësishme .49% e studentëve pohojnë se ky fenomen qëndron në të njëjtat nivele si para ashtu dhe pas protestës studentore. “51% e studentëve që pohojnë praninë e korrupsionit shprehen se forma e shfaqjes së tij është nëpërmjet pagesës në këmbim të notës. Si dhe 1.6% e tyre listojnë shitjen e librave me detyrim, 10.8% nepotizmi dhe 6.6% favoret seksuale”, u shpreh ÇeldoBrahimaj.

Përfaqësimi

Përfaqësimi i studentëve në Bordet e Administrimit ishte një tjetër kërkesë e artikuluar nga studentët. Ministria e Arsimit, jo vetëm që nuk përzgjodhi një anëtar nga radhët e të rinjve, por në pjesën më të madhe të universiteteve përzgjedhja nuk u bë në mënyrë transparente. “Referuar mospjesëmarrjes së lartë në zgjedhjet për anëtarët e Bordeve të Administrimit proces që ende nuk ka përfunduar, 52.7% e kane justifikuar mospjesëmarrjen me mungesën e informacionit mbi procesin, 23.8% nuk kanë pasur besim tek procesi dhe 23.5% e tyre nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje pasi nuk janë ndjerë të përfaqësuar nga asnjëri prej kandidatëve në garë”. Ndërkohë të pyetur mbi përfaqësimin në strukturat universitare, 52% shprehen se nuk ndihen të përfaqësuar nga Rektorët apo Dekanët ndërkohë rreth 29% e studentëve janë indiferentë ndaj kësaj çështje. E njëjta qasje dhe për sa i përket përfaqësimit nga Këshillat Studentore dhe Senatit Akademik ku respektivisht 57% dhe 59% e studentëve nuk ndihen të përfaqësuar. Edhe në këtë rast vihet re një indiferencë e lartë pasi nuk përgjigjen rreth 19% e te anketuarve lidhur më përfaqësimin ne Këshilla Studentore dhe rreth 26% lidhur me përfaqësimin ne Senatin Akademik. Qëndresa Qytetare ne muajin shtator 2019 te konsultuar me një grup studentesh, i parashtroi Ministrisë së Arsimit një propozim të argumentuar në precedentë vendas dhe të huaj për rritjen e peshës së votës së studentëve për zgjedhjet akademike nga 10% në masën 30%. 46.4% e studentëve

Rekomandime

Referuar këtij monitorim, Qëndresa Qytetare jep disa rekomandime për qeverinë dhe MASR-në të cilat do të çojnë në përmirësim të jetës universitare. Qeveria: Duhet të rrisë buxhetin për arsimin e lartë në nivelet e vendeve të tjera të Rajonit dhe të vendosë një kufi tavan për tarifat e masterit, në raport me të ardhurat nga paga minimale dhe në proporcion më shërbimin e ofruar nga IAL-të publike. Të rrisë peshën e votës së studentëve në zgjedhjet akademike që do të zhvillohen n muajin Mars 2020, në funksion të fuqizimit të rolit të studentëve në auditorë dhe demokratizimit të jetës universitare. Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë: Duhet të vendosë në zbatim menjëherë VKM nr. 777, datë 26.12.2018 për Kontrollin Antiplagjaturë të disertacioneve për fitimin e gradave shkencore duke evidentuar dhe përjashtuar nga sistemi arsimor pedagogët që kanë shkelur etikën akademike, të drejtën e autorit dhe kodin penal. Të bëjë transparencë të plotë të investimeve në konvikte gjatë vitit 2019 sipas zërave të buxhetit të shtetit, grantit nga KFË dhe kontributit të NJQV-ve. Të emërojë përfaqësuesit e tyre me më shumë vota në zgjedhjet e zhvilluara në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin Politeknik të Tiranës. Të realizojë premtimet e pambajtura të Paktit për Universitetin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet