Studentët: Po na shtyjnë drejt grevës së urisë, s’na lënë ushqimet

Rojet e siguresë përplasen me studentët e Juridikut. Të rinjtë tregojnë për “Shekullin” ngjarjen. Shtohet një pikë tek kërkesat: shkarkimi i administratorit të UT-së. Studentët, drejt grevës së urisë. Edhe Arkitektura nis ngujimin, policia nuk lejon ushqimin

Enida Vërça

Ngujim në fakultete deri në plotësimin e pikave nga qeveria. Të gjithë fakultete kanë dalë me një vendim të përbashkët prej studentëve të cilët kanë përshkallëzuar protestën duke qëndruar brenda fakulteteve. Edhe pse është ligjërisht e lejueshme, që të bojkotojnë dhe të ngujohen brenda fakulteteve, qeveria ua ka vështirësuar aksionin duke ushtruar terror te studentët.

Shkresa

Nga vëzhgimet e drejtpërdrejta të bëra nga gazeta “Shekulli”, dukej qartë se policia ka zaptuar Fakultetin Juridik duke ushtruar frikë dhe terror te studentët. Kërkesa për praninë e policisë ka qenë e administratorit të UT-së, Skerdi Dafa, për dijeni edhe të dekanit Dhori Kule, drejtuar kreut të policisë së shtetit Ardi Veliu ku i kërkon që Policia e Shtetit të asistojë punën e policisë private. Kjo kërkesë në bazë të Ligjit për Arsimin është e pavlefshme, sepse vetëm titullari, pra rektori mund të bëjë një kërkesë të tillë. Ligji e kufizon thirrjen e policisë për situata të jashtëzakonshme, ndërkohë, që në këto ambiente ka vetëm studentë që protestojnë. “Vlerësohet se ndodhemi në kushtet kur situata paraqitet e rënduar, me pasoja negative direkt në një numër të konsiderueshëm qytetarësh (personel e studentë) dhe prezenca ka si qëllim vendosjen e normalitetit në ambientet e UT” thuhet në kërkesën drejtuar policisë që mban datën 10 janar 2019”, thuhet në këtë shkresë. Pas këtij lajmi, kërkesat e studentëve të Juridikut ka shkuar në 10. Ata në mënyrë unanime kanë kërkuar shkarkimin e z. Dafa. “Kërkojmë shkarkimin e administratorit që kërkoi futjen e policisë në Universitete, ky është një kusht i panegociueshëm”, deklaruan studentët për mediat. Tensionet kanë qenë të vazhdueshme edhe në ambientet e këtij fakultetit. Vilson Kulemani, student i këtij fakulteti tha për “Shekullin” se kjo situatë është e patolerueshme. “Deri të dielën ne do të jemi të ngujuar. Dhuna është e patolerueshme. Rojet e sigurisë, kanë hyrë me urdhër të administratorit për të ndalur protestën tonë. Ne nuk po bënim asgjë, thjeshtë morëm karriget, pasi donim të uleshim në to. Dhe ky veprim nuk është lejuar, duke thënë se nuk lejohen karriget të nxirren jashtë. Prekje me duar nga policia filluan, por sapo u publikuan videot te Ekonomiku, policia u tërhoq”, tregon studenti. Më tej studenti tha se qeveria nuk mund t’i plotësojë pikat e tyre. “Ne i kërkojmë  bibliotekë, ai thotë do bëni kurse anglishte falas. Propaganda e Ramës është drejt fundit. Ai zhvilloi tryezën e eklesnecës sot, shumë prej nesh janë me mesatare 10 dhe nuk janë ftuar aty. Pra, gjithçka është mashtrim”, tha ai. I pyetur se çfarë mendojnë të bëjnë pas ditës së diel ai tha: “Është menduar të hyjmë dhe në grevë urie, por le të presim”, përfundoj Kulemani.

Drejt grevës së urisë

Rreth mesditës në këtë fakultet, u bashkua edhe një grup i madh i Politeknikut në shenjë mbështetje. Po ashtu edhe studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës kanë hapur portën kryesore me forcë duke iu bashkuar studentëve të Drejtësisë në bojkot. “Do të vendosim drejtësinë në këtë vend. Nuk pranojmë të tallen me ne. Studentët janë paqësorë, vetëm në rast të provokimit dhe ushtrimit të dhunës ndaj nesh do të reagojmë. Nuk mund t’i tolerojmë më. Do të vendosim të gjithë bashkë dhe do të dalim në një deklaratë se çfarë do të bëjmë”, tha një nga studentët për mediat. Ylli, student i Fakultetit të Drejtësisë, tha për “Shekullin”, se është i gatshëm të hyjë në grevë urie. “Presioni ushtruar nga rojet e sigurisë, të cilët kanë marrë urdhra nga policia e shtetit është i jashtëzakonshëm. Ne jemi një grup prej 10 vetash që mendojmë të hyjmë ne grevë urie. E gjithë kjo është për të treguar se kresat tona nuk janë plotësuar”, përfundoj ai. “Ne ishim ngujuar gjithë natën në fakultet dhe policia private na erdhi na goditi, na intimidoi dhe dhunoi fizikisht. ” tha një tjetër student, i cili nuk preferoj të prononcohej. Më tej shtoi:  Jam goditur me karrige nga “security”. Dekani na mbështeti bashkë me pedagogët kur panë atë skenë të tmerrshme. Ndërkohë që policia private duhet të ketë urdhër nga dikush tjetër”. Një ditë më parë, studentët i dërguan një shkresë dekanatit të fakultetit, me 4 pika: Bojkot zyrtar mësimor deri në plotësimin e 8 kërkesave 2-Mospagimi i tarifave të shkollimit deri në marrjen e përgjigjes për 8 kërkesat tona 3-Shtyrja e sezonit dhe procesit mësimor për shkak të situatës së krijuar për studentët e FDUT 4-Studentët duan edhe njëherë të qartësojnë se janë në këtë protestë së bashku me pedagogët dhe ne kërkojmë që sa më parë të rikthehet në vend dinjiteti i pedagogëve.  Dekani, Artan Hoxha nëpërmjet një deklarate për mediat, tha se pranon të plotësoj pikat e tyre, me kusht që të lirohet kati i parë që të punojë administrata e Fakultetit.

Ngujim, aty ku nisi protesta

Ndërkohë, ngujimi ka nisur edhe në Fakultetin e Arkitekturës, aty ku nisi gjithçka. Burimet për “Shekullin”, thanë se studentët janë mbledhur për të kaluar natën në këtë fakultet. Po ashtu burimet bëjnë me dije, se në ambientet e këtij fakultetit nuk është lejuar të futet ushqimi brenda për pjesën e cila është ngujuar, nga rojet e sigurisë. Një prej studentëve të ndodhur në këtë fakultet u shpreh për “Shekullin” se policia nuk është e pranishme për momentin. “Studentët kanë komunikuar me rojet. Po ashtu studentët po mendojnë të çojnë një shkresë zyrtare, që policia të mos ndërhyjë në këto ambiente. Ne kemi bërë një rreth me karrige te holli kryesor dhe po diskutojmë në lidhje me vazhdimësinë. Deri më tani rojet janë paqësor me studentët, por në momentin që ata mund të marrin një telefonatë nga lartë, gjendja mund të agravojë”, tha studentja për “Shekullin”.

Teksa studentët janë ngujuar në fakultet, kryeministri Rama nëpërmjet një takim me disa studente. Ai është shprehur se nuk mund të pajtohet me studentët duke bllokuar jetën universitare. Nga një takim ku ka prezantuar një platformë me anë të të cilës do bëhen punësime të studentëve ekselentë Rama tha se bllokimi vijon ndërsa kërkesat e studentëve po plotësohen.“Si mund të arrijë puna që një grup njerëzish që nuk dalin më tek kryeministria pasi nuk kanë mundësi më të tregojnë se janë shumë pengojnë zhvillimin e mësimit. Si ka mundësi? Si mund të pengosh të drejtën e mësimit qoftë dhe një personi të vetëm?  Pedagogu ka të drejtë qoftë dhe vetëm mua të më japë mësim, dhe mua nga shtëpia deri tek banka askush nuk ka të drejtë të më pengojë njeri rrugën”, u shpreh ai. Nga ana tjetër studentët vazhdojnë të mos i besojnë faljeve të tij, duke e konsideruar si të pamundur realizmin e pikave, pa rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë.

ZGJIDHJA: Policia të tërhiqet, të mos prekë asnjë student!

Për situatën e krijuar ditën e djeshme në Fakultetin Ekonomik dhe atë juridik, ka reaguar edhe partia ZGJIDHJA, e cila e shoqëronte deklaratën me një video që tregonte pamjet e ushtrimit të dhunës ndaj studentëve. ZGJIDHJA thotë se policia duhet të tërhiqet nga fakultetet e të mos prekë asnjë student me dorë.

Reagimi i plotë

Tërhiqni policinë nga fakultetet!

Këto pamje dramatike të denja për një diktaturë vinë nga Shqipëria. Qeverisë dhe kastës drejtuese u janë tronditur themelet prej protestës së fuqishme të studentëve. Këta të fundit nuk u gënjyen me ‘karamelet’ që kryeministri shpërndan për të mashtruar shqiptarët dhe kanë vendosur që të ngujohen nëpër fakultete për të finalizuar rrëzimin e ligjit për Arsimin e Lartë dhe përmbushjen reale të 9 kërkesave. Qeveria s’ka ndërmend të plotësojë asnjë kërkesë dhe pas kulaçit, nisi kërbaçin. Policia e Shtetit dhe ajo private dhunuan studentët te Fakulteti i Ekonomisë, i penguan ata që të protestojnë dhe të ngujohen brenda ambienteve. E drejta e protestës është legjitime dhe kushtetuese. ZGJIDHJA i bën thirrje Policisë së Shtetit që të tërhiqet, të mos prekë asnjë student, të mos bëhet mish për top për një kryeministër të korruptuar. Studentët do fitojnë.

Avokati i Popullit dënon dhunën në fakultete

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për qasjen represive ndaj formave të ndryshme të protestës së një numri studentësh shqiptarë të cilët kërkojnë plotësimin e disa pikave me synim përmirësimin e gjendjes së arsimit universitar në vend. Nëpërmjet një reagimi zyrtar, Avokati i Popullit shprehet e, “ndërsa institucionalisht vlerësojmë si një zgjidhje pozitive uljen e tarifave dhe adresimin e disa prej kërkesave të studentëve, mendojmë se studentët janë ata që kanë të drejtë të bëjnë vlerësimin përfundimtar në lidhje me realizimin e kërkesave të tyre. Institucioni i Avokatit të Popullit për të disatën herë kërkon që autoritetet tona të garantojnë me të gjitha mënyrat që qytetarët ta shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë paqësore, të pashqetësuar e të pa vënë nën presione të çdo lloji. Gjithashtu, janë në kufijtë e të papranueshmes justifikimet se përdorimi i forcës për shpërndarjen e studentëve që kanë zgjedhur ta zhvillojnë protestën e tyre në ambientet universitare, bëhet për të garantuar zhvillimin normal të mësimit në ato ambiente. Ndërkohë që prej më se një muaji është bërë e qartë nga protestat e studentëve se situata nuk është normale, nuk ka asnjë ‘normalitet’ që po ndërpritet nga vijimi i shprehjes së pakënaqësisë së studentëve. Avokati i Popullit bën thirrje që askush të mos ushtrojë asnjë lloj forme intimidimi apo presioni të fshehur apo të drejtpërdrejtë për të cenuar të drejtën e studentëve për të protestuar dhe të zgjidhet një qasje e re mirëkuptuese, dëgjuese dhe vetëkorrigjuese përballë kërkesave të tyre të drejta. Ekipet e Avokatit të Popullit janë në ndjekje të vazhdueshme të situatës në të gjitha lokacionet e saj, ata kanë bashkëbiseduar me studentë dhe kanë marrë ankesat e tyre. Avokati i Popullit do te kryeje procesin e verifikimit te këtyre ankesave ne përputhje me ligjin dhe do te nxjerre konkluzionet përkatëse në rast se do te konstatohen shkelje të të drejtave të njeriut dhe keqpërdorim të autoritetit administrativ shtetëror”.

Studentët i dërgojnë letër ambasadave perëndimore

Tensionet dhe gjendja e jashtëzakonshme 37 ditëve në universitetet shqiptarë ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Më shkresat e tyre studentët duan rritjen e cilësisë së arsimit e cila paraqitet tepër e ulët, tarifat tepër të larta të studimit, përmirësimi i kushteve tepër të rënda të konvikteve të universiteteve, rritjen e përfaqësimit studentor në organet e vendimmarrjes së Universitetit, pajisjen me kartën e studentit, dhe sfida të tjera lidhur me jetën studentore në Shqipëri. “Ne, shkruajnë studentët,- nuk duam të besojmë se braktisja e vendit si emigrantë apo azilkërkues është rruga e duhur për një jetë më të mirë, por kërkojmë të ndërtojmë një jetë më të mirë në Shqipëri. Situata në universitetet shqiptare është shumë shqetësuese dhe tepër e tensionuar. Studentët i janë drejtuar Kryeministrit për përmbushjen e këtyre kërkesave të cilat janë thjesht dhe vetëm detyrime për tu përmbushur nga ana e qeverisë shqiptare pasi është në detyrën e saj t’i krijonte këto kushte minimale bazike për funksionimin e universiteteve. Aktualisht gjendemi në situatën ku Policia ka pushtuar universitetet, po dhunon në mënyrë të turpshme dhe skandaloze studentët dhe ka krijuar klimën e terrorit brenda ambienteve universitare Situata po përshkallëzohet në mënyrë shumë të rrezikshme. Studentët kanë paraqitur kërkesat e qarta për ndryshimin e situatës shumë të rëndë në universitete dhe kanë paraqitur kërkesa që nuk janë aspak politike. Kërkojmë mbështetjen tuaj pasi situata mund të përshkallëzojë në mënyrë të paparashikueshme dhe të pakontrolluar pasi dhunimi i policisë ka kaluar çdo limit dhe i ka kthyer universitetet në kazerma policie dhe jo në ambiente universitare. Ne kemi besim tek ju dhe presim të mbështesni krijimin e një ambienti demokratik në universitete ashtu siç të rinjtë shqiptarë kërkojnë dhe sipas shembullit të shkëlqyer që ata kanë dhënë me protestat e tyre masive por tërësisht paqësore. Shprehim dhe njëherë bindjen e palëkundur se kërkesat tona janë të drejta, ne nuk tërhiqemi, studentët në të gjithë vendin janë të bashkuar dhe do ti shkojnë deri në fund kauzës së tyre”. Tre ditë më parë, studentët marshuan drejt Ambasadës Amerikane. Një nga studentët u shpreh se, përderisa qeveria nuk po i zgjidh kërkesat tona, ne kërkojmë mbështetje nga Ambasada Amerikane. “Ne kemi besim te Amerika, zoti e bekoftë Amerikën”, u shpërehen studentët protestues. Vendimi vjen, sipas tyre, pas heshtjes së qeverisë dhe Kryeministrit, i cili nuk po reagon për plotësimin e kërkesave që i janë adresuar.
Ato kërkojnë mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së për kauzën e tyre. Marshimi drejta ambasadës sipas tyre është për përshkallëzimin e protestës. Vitin që lamë pas, studentët i dërguan letër Ambasadës Amerikane, ku i kërkuan ndihmë për situatën e krijuar. Duke parë mosreagimin e qeverisë shqiptare, e cila ende nuk ka vendosur që të plotësojë 8 kërkesat e tyre, studentët protestues kanë vendosur t’i drejtohen për mbështetje Ambasadës Amerikane. Të rinjtë morën përgjigje pozitive nga Ambasada, e cila ka dale në krahë të studentëve. “Ambasada Amerikane në Tiranë mbështet plotësisht protestën e studentëve dhe kërkesat që ata i kanë bërë qeverisë”.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Shqipëri, narko shtet

Revista politike “Spiegel” raporton për sjelljen alarmante të qeverisë  socialiste në Shqipëri, me kryeministër Edi Ramën dhe ministër Lleshajn etj….

Abissnet