Studentët e shkencave mjekësore bojkotojnë mësimin: Të rikthehet sezoni, rrezikojmë diplomimin

Publikuar më 11. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Afro 300 studentë të degëve mjekësore kanë protestuar sot duke bllokuar hyrjen në fakultetin e tyre.

Studentët, kryesisht të degës së Infermierisë protestojnë kundër heqjes së sezonit të provimit para diplomimit, që zakonisht ndodhte në maj apo qershor.

Në fillim të vitit ata e dinin se do të kishin një sezon, dhe heqja e këtij sezoni e shtyn diplomimin e tyre me të paktën një vit.

Studentët thonë se nëse nuk japin dot provimet e mbartura nga viti i parë dhe i dytë, ata janë automatikisht jashtë diplomimit dhe u duhet të paguajnë një vit stazh.

Ndërkohë që studentët protestonin forcat e policive private qëndronin përreth godinës. Njeri nga studentët  tha se heqja e sezonit djeg diplomimin për ketë vit. “Duam sezonin”, thërrisnin në kor studentët.

Disa prej tyre shprehen se në këto kushte ëndrra e vetme mbetet Gjermania, pra largimi nga vendi.