Studentët e ngujuar: Nuk na lejojnë të fusim ushqime

Studentët e ngujuar në fakultetin e Ekonomikut në një lidhje live me emisionin ‘Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa, kanë treguar se janë ndërmarrë masa të ashpra ndaj tyre nga ana e policisë, duke mbyllur dyert e fakultetit dhe duke mos lejuar ushqimet brenda për studentët e ngujuar.

Njëri ndër përfaqësuesit e studentëve të ngujuar, Altin Kola, i cili është student i Financës në vitin e tretë bachelor në fakultetin e Ekonomikut, u shpreh se gjatë natës studentët mbulohen me batanije pasi është shumë ftohtë. Sipas tij pas incidentit të djeshëm, ka patur përsëri forma të dhunës psikologjike, verbale e fizike si dhe kërcënime për të dalur nga ngujimi.

“Grupet në rrjetin social Whatsapp janë e vetmja formë komunikimi e sigurtë me studentët e tjerë jashtë, pasi komunikimi dhe postimet në Instagram dhe Facebook nuk janë më funksionale pasi bllokohen”, tha studenti Kola.

“Pritet një organizim tjetër pas të dielës. Studentët e ngujuar të ekonomikut e kanë nisur këtë formë proteste dhe tashmë ka filluar të përhapet edhe në fakultetet e tjera”, shprehet Kola.

Sipas një sondazhi të bërë brenda studentëve të fakultetit, rezulton se 72% e studentëve  të Ekonomikut janë pro formës protestuese së ngujimit, ku vërtet brenda ambjenteve të fakultetit janë vetëm një grup studentësh, ama kanë me vete të gjithë frymën studentore.

Studentët e ngujuar i kanë bërë një kërkesë zyrtare rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Konit për tu takuar, por ai mesa duket i ka refuzuar.

Kërkesat e studentëve janë po të njëjtat dhe sipas tyre deri më tani nuk është plotësuar asnjë nga 8 pikat e kërkuara.

Ndërkohë në fakultetin Juridik gjëndja paraqitet më e qetë, studentët janë duke vazhduar ngujimin në formë paqësore dhe pas mbledhjes së përbashkët të përfunduar pak më parë, është marrë vendimi që do të vazhdohet bojkoti në formë ngujimi pa afat.

“Në fakultetin e Juridikut, në mbledhjen e sapo përfunduar kanë marrë pjesë rreth 220 studentë dhe pritet t’i bashkohen ngujimit edhe studentë të tjerë nga fakulteti i Shkencave të Natyrës”, thotë një nga studentet e ngujuara në këtë fakultet.

Studentët tregojnë që kanë patur mbështetje në kauzën e tyre edhe nga pedagogë dhe nga vetë dekani i fakultetit Artan Hoxha.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet