Studentët e akuzuan për shitje librash, largohet pedagogu Zenel Shalari

Nga Lindita Bushgjokaj

Studentët denoncojnë fenomenet e padrejta të pedagogëve, shitjen e librave me imponim dhe korrupsionin, ndërsa dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale i kërkoi zëvendësimin e tij Fakultetit Ekonomik. Edmond Rapti: Studentët ankohen për “shitje librash”

Pedagogu i ekonomisë, Zenel Shalari është larguar dje nga mësimdhënia në Fakultetin e Shkencave Sociale, pas protestave dhe peticiont të studentëve që e akuzonin për shitje të librave të rij. Studentët, në kuadër të aksionit të Lëvizjes për Universitetin kundër korrupsionit dhe tregtisë së detyrueshme të librave, hartuan një peticion me dhjetëra nënshkrime, duke çuar ne shkarkimin e pedagogut Shalari. Takimi i djeshëm i studentëve u hap nga studentja e Fakultetit të Shkencave Sociale, Joana Meraja, e cila komunikoi fenomenin e padrejtë të pedagogut Zenel Shalari dhe bëri thirrje për të mbrojtur të drejtat e studentëve. “Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale në kuadër të aksionit lëvizja e universitetit kundër korrupsionit dhe tregtisë së detyrueshme të librave, kanë realizuar një peticion me dhjetëra nënshkrime, duke çuar kështu pezullimin e të drejtës në mësimdhënie të pedagogut Zenel Shalari.

Aksioni kundër zhvatjes së xhepave do të vazhdojë, si ndaj zhvatjes me tarifa dhe toelfa të qeverisë, po ashtu edhe korrupsionit kundër klasave shkollore. U bëjmë thirrje të gjithë studentëve të universitetit publik të bashkohen kundër zhvatjes dhe padrejtësisë me peticione dhe protesta, vetëm asgjë nuk është e mundur dhe bashkë asgjë e pamundur”. Fenomeni i shitjes së librave me “imponim” dhe korrupsionii është i njohur edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku shumë pedagogë kërkojnë lekë në këmbim të notës, ndërsa bëjnë me dije se librat e pedagogut Shalari, nuk gjendeshin në asnjë bibliotekë dhe studentët duhet t’i blinin kundrejt një pagesë prej 100 lekësh, u shprehën më tej ata. “Ishte një libër që kishte 170 faqe pa asnjë redaktim shkencor dhe asnjë shtëpi botuese. Pedagogu tha që “ishte një cikël leksionesh”, por një cikël leksionesh me çmimin 100 lekë, më duket çmim absurd.

Përveç kësaj në bibliotekë nuk kishte libra për të studiuar. Rasti konkret ishte për librat dhe seminaret, këto ishin pikat e peticionit. Kemi edhe te Fakulteti i Shkencave të Natyrës pedagogë problematikë, të cilët kërkojnë ryshfet në këmbim të notës. Pedagogu jepte mësim në tre departamente të Fakultetit të Shkencave Sociale, administrim i politikave sociale dhe psikologji”. Së fundmi thanë se vendimi për dekanin është marrë dy javë përpara, por ditën e djeshme janë njohur me shkresën që komunikon një vendim të tillë. Nuk mungon dhe thirrja e tyre e përhershme për angazhim të studentëve që të luftojnë fenomene të tilla të padrejta. “Vendimi i dekanit është marrë dy javë përpara, por vetëm sot kemi shkresën zyrtare. Pedagogu ka dy javë që nuk jep mësim, ndërsa shkresën e kemi marrë sot. Bëjmë thirrje studentëve të bashkohen për këto fenomene të padrejta për studentët, të bashkohemi gjithë së bashku dhe të fitojmë të drejtën tonë të studimit”.

Peticioni i studentëve drejtuar dekanit të FSHS

Ky është peticioni i plotë i Studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale me datë 20.04.2018, dërguar dekanit për shkarkimin e pedagogut Zenel Shalari.

“Drejtuar dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale Për dijeni të rektorit të Universitetit të Tiranës Ne, studentët nënshkrues të Fakultetit të Shkencave Sociale, konkretisht studentët e vitit të parë të Shkencave Politike, Administrim dhe politika sociale, si dhe Psikologjia, kërkojmë vëmendjen dhe reagimin tuaj për problemet serioze që kemi hasur me pedagogun e ekonomisë Zenel Shalari. Pikësëpari, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, pedagogu Shalari na ka imponuar për të blerë librin. Librit në fjalë i mungojnë edhe elementët bazikë formalë si shtëpia botuese dhe çmimi i deklaruar. Si të mos mjaftonte abuzimi financiar me studentët, pedagogu Shalari shquhet edhe për mungesa të shpeshta dhe të paparalajmëruara në seminare. Të indinjuat nga sjellja e padenjë pedagogjike të tij, jo vetëm u bie në kurriz studentëve, por edhe fyen figurën e pedagogut, ne kërkojmë që Zenel Shalari të mos japë më mësim në fakultetin tonë. Në rast mosmarrje parasysh të kërkesës sonë legjitime, zotohemi bashkërisht se do të bojkotojmë orët mësimore të tij dhe do të ndërmarrim veprime edhe më të vendosura. Universiteti duhet të çlirohet një orë e më parë nga abuzuesit”, thuhet në peticion.

Shkresa: Komunikohet largimi i pedagogut nga FSHS dhe zëvendësohet në FE

Edmond Rapti, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, ditën e djeshme përmes një përgjigje zyrtare ka shprehur vullnetin e studentëve për largimin e pedagogut Shalari nga Fakulteti i Shkencave Sociale. Gjithashtu i komunikon dekanit të Fakultetit të Ekonomikut zëvendësimin e pedagogut të lëndëve “Teori Ekonomike” dhe “Hyrje në Ekonomi” për periudhën e mbetur në këtë semestër. “Dërguar grupit drejtues të peticionit të datës 20.04.2018. Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, pasi analizoi problematikat e ngritura në peticionin e një grupi studentësh të vitit të parë të degëve Shkenca Politike, Administrim e Politika Sociale dhe Psikologji, dorëzuar me shkresën Nr.426 prot, datë 20.04.2018 i kërkoi Fakultetit Ekonomik zëvendësimin e pedagogut të lëndëve “Teori Ekonomike” dhe “Hyrje në Ekonomi” për periudhën e mbetur të mësimit në këtë semestër”. Ndërsa Fakulteti Ekonomik përmes një shkresë komunikon realizimin e kërkesës. “Fakulteti Ekonomik me shkresën Nr.426/4 prot, datë 03.05.2018 realizoi kërkesën e Dekanatit të FSHS duke angazhuar për pjesën e mbetur të semestrit të dytë, dy pedagogë të tjerë në lëndët “Teori Ekonomike” dhe “Hyrje në Ekonomi”.

 

Edmond Rapti: Në peticion studentët kanë kërkuar zëvendësim të pedagogut

Edmond Rapti, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tha se në peticionin e dërguar nga studentët nuk ka pasur ankesa për shitje librash me imponim dhe se nuk është i vërtetë një pohim i tillë. Ndërsa vendimin për largimin e pedagogut e ka marrë për të shmangur acarimin e studentëve. Nga ana tjetër, pedagogu i akuzuar për fenomenin e shitjes së librave pasi është pyetur nga dekanati ka thënë, se “bëhet fjalë për një kurs leksionesh të adresuara në pikat përkatëse të shitjes”.

Z.Rapti, ju duket e drejtë ankesa e studentëve për pedagogun Shalari?

Ka pasur një peticion për një komunikim jo shumë korrekt të pedagogut me studentët, të cilët ankohen se ju është thënë “blini libra”. Këto janë thënie të zakonshme, sepse pa blerë libra nuk mund të studiojnë studentët. Nuk janë shitur libra dhe studentët kanë kërkuar në peticion që ta zëvendësojnë dhe ne e kemi zëvendësuar. Peticioni nuk ka pasur imponim për të blerë libra, pasi është fjalë shumë e rëndë dhe këtë nuk e ka thënë asnjë student. Për të mos krijuar acarim të studentëve me pedagogun, zbatuam kërkesën e tyre dhe ja komunikuam Fakultetit Ekonomik, i cili e zëvendësoi.

Është zëvendësim i përkohshëm për pedagogun?

Ne kemi kërkuar që mos të japë mësim këto 5-6 javë, meqë studentët kishin pretendim. Kishte edhe një përplasje të orarit me Fakultetin Ekonomik dhe kërkuam qa ta zëvendësonin, i cili prej dy javësh ka nisur mësimin normalisht.

E mbështesni qëndrimin e studentëve?

Studentët e kanë derën e hapur që të deklarojnë problematikat e tyre. Jemi përpjekur që të zbatojmë ligjin që studentët të fitojnë të gjitha të drejtat e tyre. Nuk janë shitur libra dhe këto janë veprime jashtë ambienteve të fakultetit. Në librari mund të shiten libra. Kemi dëgjuar edhe fjalën e pedagogut, sepse nuk mund të marrim në konsideratë vetëm studentët. Pedagogu thotë, se “është një kurs leksionesh, të cilin e kam ndjekur dhe i kam çuar në pikat përkatëse të shitjes”.

MSH dhe Urdhri i farmacistëve: Bisedimet për fillimin e një kontrate tjetër

Ditën e djeshme Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu ka pritur në një takim përfaqësuesen e Urdhrit të Farmacistëve pas shqetësimeve të ngritura në lidhje me listën e barnave të rimbursueshme. Biseda u zhvillua në ambientet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, ku u dakordësua që të bisedohet për pretendimet e farmacistëve për pikat e kontratave të miratuara nga fondi. “Drejtuesit e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe përfaqësues të urdhrit farmacistëve janë takuar sot në ambientet e FSDKSH, ku kanë diskutuar në lidhje me kontratat e reja mes Fondit dhe Farmacive për rimbursimin e barnave. Të dyja palët janë dakordësuar që bisedimet do të vazhdojnë nesër në nivel teknik me grupe më të gjëra përfaqësie, për të diskutuar çdo pretendim të farmacistëve dhe çdo pikë të kontratave të miratuara nga Fondit”. Ndërsa Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistëve, tha për “Shekulli”-n, se fokusi i bisedimeve u përqendrua për fillimin e një kontrate tjetër. “Në takim u vendos fillimi i bisedimeve për një kontratë tjetër. Kjo do të thotë që do fillojnë bisedimet, ndërsa rezultatin do ta shohim më vonë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet