Studentët: Bursat nuk janë shpërndarë, zonja Ministre!

Studentët reagojnë pas fjalës së ministres Shahini në Kuvend. Ende nuk janë shpërndarë të gjitha bursat, kategoritë e veçanta me zero lekë në llogarit e tyre. Financat thonë se janë ende në proces verifikimi për studentët që përfitojnë. Shahini tha: 100 mijë studentë përfituan financiarisht

Enida Vërça 

“Pakti për Universitetin” vazhdon të jetë një premtim i papërmbushur nga qeveria Rama. Edhe pse dy ditë më parë, ministria e Arsimit, Besa Shahini, deklaroi nga foltorja e Kuvendit, se “Pakti” u ka ardhur në ndihmë financiarisht 100 mijë studentëve, nga 110 mijë studentë që janë në tërësi, e vërteta është krejt ndryshe. Pas kësaj deklarate, studentët u shprehen për “Shekulli”-n se deri më tani një kategori e madhe e tyre nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga bursat dhe vazhdojnë të presin, pa një përgjigje se kur do të plotësohen. Erand Pepkolaj, student i viti të parë në universitetin Politeknik të Tiranës, thotë se asnjë prej tyre nuk ka marrë bursë. “Aplikova për bursë, pasi trajtohem me ndihmë ekonomike dhe duhet me patjetër t’a marr të plotë. U interesova te zyrat e  financës, dhe më thanë për shkak të kushteve në të cilat ndodhesh, përfitoj bursë. Të gjitha dokumentacionet i kam dorëzuar dhe më është konfirmuar marrja e bursës. Pasi kontrollova llogarinë, e cila ishte zero, shkova sërish u interesova te financat e fakulteti dhe më thanë që bursat nuk kanë ardhur”, denoncon studenti. Më tej shton, se financat e fakultetit i janë përgjigjur që nuk kanë ende një vendim përfundimtar. “Pas gjithë sorollatjes që na bën si fillim për dokumentet, tani pa pikën e problemit përgjigjen që nuk kanë një vendim. E gjithë kjo është tallje. Unë trajtohem dhe me ndihmë ekonomike dhe e kam të domosdoshme. Kanë kaluar gati 3 muaj nga protesta, asnjë nga vendimet, nuk po plotësohet”, përfundoi ai.

Situata në universitet e tjera

Mos marrja e bursës, për kategoritë e veçanta, studentët që trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe marrja vetëm 12 mijë lekë, nga 100 mijë të vjetra për ekselentët, është në çdo universitet të Tiranës dhe në rrethe. Nga ana tjetër Universitet “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe ai i Ekonomisë në Tiranë, nuk i shpërndanë për muajit dhjetor dhe janar, si pasojë e bojkotit. Edona Malaj, studente në fakultetin e Ekonomisë, tha për “Shekulli”-n se edhe pse është në kategorinë e ekselentëve, deri më tani ka marrë vetëm 12 mijë lekë të vjetra. “Supozohet që të kishim marrë për këto tre muaj, të paktën një bursë të plotë. Financat janë pa përgjigje në lidhje me situatën e krijuar. Deri më tani disa prej nesh kanë marrë një shumë të vogël dhe disa të tjetër ende asgjë. Problem në fakultetin tonë mbetet mos pajisja me bursa për kategoritë e veçanta të cilat në çdo vit e kanë marrë bursën për shkak të statusit social që ata kanë”, tha ajo. E pyetur nëse çështjen e tyre e kanë referuar, ajo thotë se askush nuk ka përgjigje konkrete. “Jemi konsultuar qoftë me financat, dekanin dhe e vetmja gjë që thonë, është do të merret, por se kur nuk ka datë”, përfundon ajo.

Financat e fakultetit

Lidhur më këtë çështje, gazeta “Shekulli”, pyeti financat e Fakulteti të Ekonomisë, të cilat bëjnë me dije se administratat ka kërkuar kohë për të konfirmuar të gjithë studentët të cilët përfitojnë bursë, në çfarëdo kategorie. Nga ana tjetër në një njoftim të datës 4 mars, Fakulteti i Ekonomisë bën të ditur se bursa e muajit janar do të përfitohet në korrik ndërsa ajo e muajit shkurt do të jepet brenda muajit mars, gjë e cila deri më tani nuk ka ndodhur.  Fakulteti sqaron studentët së shkak për këtë vonesë është bërë VKM-ja që ka hyrë në fuqi në muajin janar me pasojë rritjen e numrit të përfituesve. bursën e nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me rezultate të larta si dhe studentët që kanë mesataren mbi 9. Për shkak të këtij vendimi administrata ka kërkuar më shumë kohë për të konfirmuar pjesëmarrjen në mësim të këtyre studentëve. Edhe studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës prej disa muajsh nuk kanë përfituar bursat dhe janë ende në pritje. E gjithë kjo situatë, hedh poshtë deklaratën e ministres Shahini dy ditë më parë, ku pretendohet lehtësimi financiar për të rinjtë nëpërmjet “Paktit”.

Fjala

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini gjatë fjalë së saj, në Kuvend dy ditë më parë u shpreh se “Pakti për Universitetin” ndër të tjera u ka ardhur në ndihmë përmes një pakete financiare 100 mijë studentëve, nga 110 mijë studentë që janë në tërësi. “Studentët kërkuan një arsim më cilësor. Kërkuan një lehtësim të barrës financiare dhe përmes paktit u dha një pako financiare nga e cila përfituan 100 mijë studentë, nga 110 mijë studentë në total. Përfitim financiar patën studentët ekselentë përmes bursave, po ashtu u përjashtua nga tarifa një pjesë e studentëve, apo u përfitua përgjysmim i tarifave për një pjesë tjetër”, tha Shahini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet