Studentët/ 1 në 3 pedagogë, i paaftë për mësimdhënie

Sondazhi Kombëtar i Studentëve, 52% e të rinjve të pakënaqur me institucionet, 34% të pakënaqur me stafet pedagogjike. Rigels Xhemollari: Të dhënat që vijnë nga sondazhi janë opinione për çështje të përgjithshme dhe pa targetuar përgjegjës

Enida Vërça

Ministria e Arsimit pas më shumë se 5 muajsh ka publikuar disa nga gjetjet e sondazhit Kombëtar të Studentëve, i cili u zhvillua në periudhën prill-maj të këtij viti. Referuar gjetjeve, rezulton se 52% e studentëve të cilët kanë marrë pjesë në pyetësor janë të pakënaqur me institucionet e arsimit të lartë publik. Sa i takon stafit pedagogjik, rreth 34% e studentëve mendojnë se akademikët janë të paaftë për të ushtuar këtë rol në universitet ku ata studiojnë. Referuar gjetjeve të Ministrisë së Arsimit, Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare”, e cila ka monitoruar universitet publike herë pas herë, thotë për “Shekulli”-n se nga te dhënat e publikuar në lidhje me pakënaqësitë e të rinjve për stafet pedagogjike, nuk ka bërë që MASR të marr masa për përmirësimin e këtij problemi. “Vettingu akademik i premtuar dhe rishikimi i procedurave të rekrutimit të stafit akademik mbeten vetëm premtime në tentativë”, thotë ai. Më tej deklaron se publikimi i Sondazhit Kombëtar të Studentëve (SKS) mbetet akoma informacion sekret, pasi të dhënat e plota nuk janë publikuar ende pavarësisht se afati sipas “Paktit për Universitetin” ishte muaji qershor.

Infrastruktura

Xhemollari ndalet edhe të infrastruktura e universiteteve, ku 55% e studenteve pohojnë se vendi ku ata studiojnë nuk i përmbushin kushtet e infrastrukturës. “Ne duhet të dimë që në periudhën 2015- 2018, Bordet e Administrimit kontrolloheshin nga MASR. Kur themi universiteti nuk përmbush pritshmëritë duhet të sqarohet se kujt i referohemi konkretisht “, nënvizon ai. “Pavarësisht se Ministria e Arsimit po e përdor SKS si arsye për të luftuar drejtuesit e universiteteve nëse analizojmë gjetjet shohim që të dhënat janë bumerang për vetë institucionin. Që s’ka realizuar siç duhet detyrat në vite dhe për këtë duhet ti kërkojë falje studentëve”, deklaroi ai më tej.

Krahasime

Referuar gjetjeve të Sondazhit Kombëtar të Studentëve dhe monitorimeve që ka bërë stafi i “Qëndresës Qytetare”, Xhemollari thotë se publikimet e tyre janë të bazuara në probleme konkrete, ndryshe nga këto gjetje të cilat nuk specifikojnë problematika të prekshme të të rinjve. “Monitorimet tona kanë evidentuar probleme në terma konkrete, si korrupsioni pedagog – student, plagjiaturat, apo shpenzimi i keq i parave publike, ndërsa të dhënat që vijnë nga SKS janë opinione për çështje të përgjithshme dhe pa targetuar përgjegjës. Kur themi universiteti nuk përmbush pritshmëritë duhet të sqarohet se kujt i referohemi, infrastrukturës, mësimdhënies, etikës etj”, sqaroi ai

Përmbajtja

Sipas raportit të publikuar mbi Sondazhin Kombëtar të Studentëve rezulton se janë 89 mijë pyetësorë të dërguar, nga të cilët kanë marrë pjesë 31.2% e të rinjve. Në institucionet jashtë Tiranës, studentët duken më të kënaqur, teksa universitetet me numrin më të madh të studentëve kanë edhe numrin më të madh të të pakënaqurve. Është 52% përqindja e studentëve të cilët kanë “pritshmëri të paplotësuara”. Referuar sondazhit, rezulton se ata janë kryesisht të pakënaqur nga mbështetja institucionale e IAL-ve dhe relativisht të kënaqur nga mësimdhënia e pedagogëve. Njëkohësisht, studentët shprehin nevojën për mbështetje më të madhe nga ana e IAL-ve për sa i përket punësimit, kërkimit shkencor dhe praktikave profesionale. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), në rolin e zbatuesit kryesor të këtij sondazhi kombëtar, ka nxjerrë edhe raportet në lidhje me fushat e ndryshme të vlerësimit për institucionin. Konkretisht: a) menaxhimi & funksionimi: nivel mesatar ose jo mirë; b) infrastruktura në funksion të mësimdhënies: vlerësohet jo mirë; c) kurrikulat – nivel mesatar ose mirë; d) mësimdhënia dhe mësimnxënia: nivel mesatar ose mirë; e) aktiviteti kërkimor: nivel mesatar ose jo mirë; f) mbështetja institucionale ndaj studentëve: nivel mesatar ose jo mirë. Në fjalën e saj gjatë takimit, Ministrja Besa Shahini theksoi se gjetjet e këtij sondazhi tregojnë shumë qartë një mesazh për drejtuesit e universiteteve para fillimit të vitit të ri akademik dhe para zgjedhjeve për rektorë, dekanë e drejtues të tjerë që do të mbahen në pranverë 2020. “Tani, mesazhi nga studentët ishte i qartë. Ata janë të kënaqur me pedagogët e tyre, janë të pakënaqur me institucionet e tyre. Mendoj që kjo është një porosi shumë e rëndësishme për të menduar për të. Pra, çfarë mund të bëjmë secili nga ne në detyrat që kemi për të përmirësuar gjendjen në universitetet publike, si gjendjen infrastrukturore, për të cilën ndoshta kemi më pak mundësi të bëjmë diçka shpejt, por edhe në cilësinë e arsimit, e cila i takon plotësisht universiteteve që ta përmirësojnë urgjentisht”, shtoi ajo.

ASCAL

Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), pas një pune disa-mujore dhe takimeve informuese në çdo Institucion të Arsimit të Lartë (IAL) të vendit ku kontaktoi me mbi 4,200 studentë në 8 qytete, duke filluar me plotësimin e këtij sondazhi në periudhën prill-maj. Nëpërmjet sondazhit, të gjithë studentët në Shqipëri patën mundësinë të shprehin mendimin e tyre në lidhje me cilësinë e mësimdhënies dhe mbështetjes institucionale që i ofrojnë IAL-të. Si pjesë e rëndësishme ku studentët janë përfituesit kryesorë të shërbimit që ofrojnë institucionet e arsimit të lartë, opinioni i tyre është thelbësor për të hartografuar situatën reale në IAL-të e vendit dhe për të identifikuar hapësirat për ndërhyrje potenciale. Si rrjedhojë, Sondazhi Kombëtar i Studentëve (SKS) është një instrument kyç për përçimin e zërit studentor publikut dhe institucioneve politikë-bërëse për të ndërtuar politika të Arsimit të Lartë të bazuara mbi mendimin e studentëve dhe të dhëna të besueshme.

Mosbesimi, studentët shpërfillin Ministrinë

Pas mbylljes së Sondazhit Kombëtar të Studentëve në fund të muajit maj, gazeta “Shekulli”, ishte e pranishme në disa fakultete të universitetit të Tiranës. Ajo që vihej re nga bisedimet me studentët ishte mungesa e interesit për plotësimin e këtij sondazhi për shkak të përmbajtës së tij dhe kohëzgjatjes. Studentët deklaruan se sondazhi kishte shumë pyetje, të cilat nuk ngjallnin interes për t’i plotësuar. “Në mos gaboj, kanë qenë 100 pyetje. Pyesnin për shkollimin, ka qenë zgjedhje e parë apo jo? Si ndiheshit gjatë kohës së studimit? Ka pedagogë që u detyrojnë për të blerë libra? Si u zhvillojnë orën e mësimit? etj. Sa i takon mënyrës së përgjigjes kanë qenë: Po; Jo; Nuk e di; Aspak; Shumë mirë; Mirë dhe Keq”,tha Anxhela Prifti studente në universitetin e Tiranës. “Nuk më është dukur në interes për ta plotësuar. I gjatë dhe e lodhshëm, ndaj nuk e kam plotësuar”, sqaroi ajo. Shumë student të tjerë u shprehen për “Shekulli”-n, se nuk kanë besim se ky sondazh do të ndryshojë diçka konkrete në arsimi. Dhe kjo ka qenë një arsye shumë e fortë, që i ka tërhequr ata nga plotësimi i pyetësorit. “Kishte pyetje, a frekuentoni sallat e leximit, kur ne nuk kemi as laboratorë, dhe as mjete të tjera. Ishte shumë larg realitetit. Shumë pyetje mungonin që realisht, duhet të ishin. Edhe nëse pjesëmarrja do të ishte 100% nga ana e studenteve në këtë sondazh, nuk kemi besim se do të behet diçka për universitetin. Situata është aty ku ka qenë para fillimit të protestave, vetëm me një ndryshim, humbjen e shumë orëve mësimore dhe shtyrjen e mbylljes së vitit akademik. Gjithçka është për të na mbushur mendjen se kryeministri po punon për të ndryshuar arsimin e lartë, por e vërteta është komplet ndryshe. Ne nuk kemi besim as te rezultatet që do të publikohen, sepse e dimë që pavarësisht çdo gjetje, situata do të jetë e njëjtë dhe asgjë nuk do të ndryshoi”, u shpreh Fatbardha Shurbi, studente e fakultetit të Gjeologji-Minierave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet