Strategjia/ Liderët e Ballkanit të kënaqur edhe pa datën e pranimit në BE

“Perspektiva e besueshme për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe angazhimin më të madh të Bashkimit Evropian në rajon” u pranua si Strategji nga liderët e vendeve të Ballkanit, përkundër faktit që nuk morën data konkrete si për anëtarësim, çelje të negociatave apo edhe status të vendit kandidat për në BE.

Kështu, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se është lajm i mirë që për herë të parë vendet anëtare të Bashkimit Evropian e pranojnë dhe e trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, duke përfshirë këtu shtetet anëtare të BE-së që nuk na kanë njohur. “Kemi merituar dhe kam pritur më shumë, por perspektiva jonë europiane është e pandalshme. Kosova do të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik, duke përmbushur të gjitha obligimet që ka”, thekson Veseli pas miratimit të Strategjisë së Zgjerimit të Bashkimit Europian. Kjo Strategji është lajm i mirë edhe për shefin e diplomacisë Behgjet Pacolli. “Ajo që duhet të inkurajojë është se  procesi i zgjerimit për Ballkanin Perëndimorë projektohet në frymën e procesit të Berlinit, i cili parashikon përfshirjen e vet BE-së në Planin e Veprimit për Mbështetjen e Transformimit të Ballkanit Perëndimor, në: Forcimin e mbështetjes për sundimin e ligjit; Shtimin e angazhimit në aspektin e sigurisë dhe migracionit; Përkrahje në zhvillimin socio-ekonomik; Dhe, angazhim në shtimin e lidhjes infrastrukturore.

Për kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviç, Strategjia e BE është e rëndësishme sepse për herë të parë përmes përcaktimit të afatit kohor, Ballkani Perëndimor merr mesazhin se do të jetë pjesë integrale e Evropës, me perspektivën e zgjerimit deri në vitin 2025. “Ky është një sinjal pozitiv, kur rajonit i duhet një mesazh i qartë se perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor është kredibël dhe e gjallë. Sot e morëm këtë mesazh, ai është kompleks ashtu si edhe procesi i pranimit, por mesazhi është i qartë. Ne do të jemi pjesë e BE,” tha kryeministri i Malit të Zi, në një konferencë për shtyp me shefin e delegacionit të BE në Podgoricë, Aivo Oravo pas miratimit të Startegjisë, duke shprehur rëndësinë e veçantë që ka ajo  meqë Mali i Zi përmendet si shteti anëtar i rradhës së BE, në vitin 2025.

Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç është e kënaqur dhe, siç tha ajo, e lumtur sepse Serbia dhe qytetarët e  saj morën mirënjohje për arritjet në rrugën drejtë BE. Ajo falemnderoj Presidentin e KE, Juncker për “qëndrimin e guximshëm dhe vizionar”, si dhe shefen e diplomacisë evropiane Mogherini dhe komisionerin për zgjerim, Hahn që mbështetën Serbinë në rrugën evropian. “Dua t’ju kujtoj se përcaktimin kohor për Serbinë gjithmonë e ka kërkuar presidenti Aleksandar Vuçiç dhe mendoj se kjo është përgjigja në qëndrimet e tij, dhe kërkesat e vazhdueshme për afatin kohor në të cilin tashmë mund të llogarisim,” tha Bërnabiç duke u shprehur në mënyrë diplomatike, se vitin 2025 e kupton si shancë dhe jo si garanci për anëtarësim me automatizëm. Ndërkohë ministrja për eurointegrime e Serbisë, Jadranka Joksimoviç tha se mesazhi nga Strasburgu është njëri ndër mesazhet më të fuqishme që Serbia ka marrë ndonjëherë, që nga fillimi i procesit të eurointegrimeve

Në fund, Kryesuesi i rradhës i Presidencës së Bosnje Hercegovinës, Dragan Çoviç duke vlerësuar  Strategjinë shprehu bindjen se BeH mund ta fitoj statusin e vendit kandidat, por për shkak të marrëdhënieve brenda shtetit kjo nuk do të ndodhë. Gjithsesi, ai vlerëson se Bosnje Hercegovina do ta fitoj statusin e vendit kandidat në vitin 2019.

Të tjera

Abissnet