Strategjia e ISIS dhe kristianët e Lindjes së Mesme

Publikuar më 05. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

 

Nga Pirro Prifti

Çdo ditë bota në heshtje përballet me një problem thellësisht katastrofik, problem i cili shoqëron luftën civile dhe fetare në Lindjen e Mesme në Irak dhe sidomos në Siri, në Liban, Jemen, Egjipt. Ky problem që përfshihet në luftën fetare shumëvjeçare e cila herë ndizet hapur dhe herë-herë vazhdon heshtazi në shtetet e Lindjes së Mesme, por dhe në Afrikë e Azi, kudo ku ato shtete përbëhen nga religjione të ndryshme dhe sete të ndryshme kryesisht ku predominon islami dhe religjionet e tjera janë në minorancë. Sigurisht tolerance fetare që respektohet nga popujt prishet gjithmonë aty ku interesat politike përplasen dhe politikanët për të arritur qëllimet e tyre, përdorin traditën fetare dominuese ose, në një mënyrë ose tjetër  përdorin taktikën shumë të suksesshme `dividere et impera`.

Sidoqoftë kjo që po ndodh në shekullin e XXI është e paparë, për sa i përket përmasave të shkatërrimit dhe shfarosjes fetare të kristianëve që po ndodh në Lindjen e Mesme. Dhe këtë po e realizon një fraksion radikalist pseudo-islamik i cili përdor pjesë të Kuranit për të dominuar dhe për të përhapur një traditë sektare radikaliste të vehabizmit. Pa i hyrë hollësirave, mund të konstatohet se radikalizmi islamik i ka fillesat e tyre në shek e XX pas rënies së komunizmit, madje atributet fetare u nxitën në Afganistan si pjesë e luftës kundër ish-BRSS, në të cilën muxhahedinët e grupit të Bin Ladenit u nxitën dhe u furnizuan me armatime modern nga SHBA dhe aleatët.

Kjo përpjekje për të luftuar komunizmin  dhe pushtuesit komunistë në Afganistan apo dhe në vendet ku ish BRSS pati influence si Egjypti, Siria, Libia, Iraku, Irani, Afganistani, u përzje me flakët nacionalisto-fetare dhe me rizgjimin e idesë së Saaladinit për të krijuar një Khalifat të madh arab, por dhe në Europë e në të gjithë botën. Këto flakë nacional-islamike u shfrytëzuan në fillim nga Bota Perëndimore dhe SHBA për të çrrënjosur komunizmin kudo, por që pas rënies së komunizmit, inkurajimi vazhdoi, dhe pasi këto grupe në fillim çlirimtare, tashmë u bënë faktor për të marrë pushtet dhe dominuar botë (sipas ideologjisë fetare), u shndërruan në një forcë militare fetare e cila tashmë ka kërcënuar botën, dhe ka dalë jashtë kontrollit perëndimor.

Strategjia e gabuar e SHBA-ve për të bërë `Pranverën Arabe` në botën arabe, e cila kishte si synim të vërtetë largimin e influencave ruse në Lindjen e Mesme (pikërisht në shtetet që përmendëm më sipër), shkaktoi një kaos të vërtetë në këto shtete i cili u transformua në luftë civile dhe fetare, ku të gjithë luftojnë kundër të gjithëve, dhe armatimin e dy sekteve kryesore islamike Sunnitë kundër Shia-ve. Sunnitë pro amerikanëve dhe Shia pro-rusëve, Radikalistët e këtyre të dy sekteve, praktikisht vehabistët e sunnive që përfaqësohen nga ISIS dhe (pak vite më parë nga Al Qaeda, dhe Hamas i Shia-ve, të armatosur nga SHBA dhe Rusia po luftojnë  por dominonin brenda dhe jashtë shteteve të tyre.

Roli i Izraelit është vendimtar në këto konflikte se në fund të fundit , ai që po përfiton është Izraeli, për shkak se së pari, Izraeli ka shmangur luftën e arabëve kundër tij, së dyti ka ndihmuar të  krijojë një konflikt fetar me ndihmën e SHBA duke përkrahur sunnitë kundër armiqve të tij të vjetër Sirisë, Irakut dhe Iranit, ku elementi Shia është aty aty gati maxhoritar, së treti ka përfituar financiarisht së bashku më aleatët e vet SHBA, Arabi Saudite, duke shitur armë madje të gjitha palëve ndërluftuese, së katërti duke shpëtuar Judaizmin nga shkatërrimi sepse kur përplasen dy religjione përfiton i treti.  Madje kjo luftë fetare ka hyrë dhe në Turqinë e sotme, e cila aspiron të bëhet anëtare e BE, nëpërmjet ISIS dhe Kurdëve të cilët kërkojnë një shtet të tyre.

Kjo luftë 20-vjeçare e filluar me gërr-merret e rrezikshme Izrael- Palestineze, Izrael- Sri, Izrael-Irak, Izrael-Iran, mori formë pas 11 shtatorit kur Al Qaeda sulmoi SHBA, duke prishur kullat binjake. Atëherë qeveria e SHBA-ve hartoi një strategji që me një gur të vriste dy zogj: Luftonte Al Qaedëm dhe më vonë pas fitores së Obama-s të obsesionuar nga frika e Rusisë, krijuan  taktikën e `Pranverës Arabe ` që do të sillte demokracinë në vendet arabe, por që u zbatua me gafa të mëdha politike e duke shkaktuar një luftë civile dhe fetare në të gjitha vendet arabe sidomos në Siri Irak ku u krijua dhe ISIS, i cili formoi pas 1000 vitesh përsëri një Khalifat islamik tërësisht me parimet e Sheriatit dhe kundër kristianizmit, Perëndimit e sidomos kundër ortodoksizmit rus  dhe në përgjithësi, atij kristian në vendet arabe e afrikane.

Madje Obama me Gjeostrategjinë e rinovuar, shkoi dhe me tej duke krijuar  të ashtuquajturin `grusht shteti` edhe në Ukrainë, duke ja hequr nga goja Rusisë, por dhe duke krijuar problem me BE dhe Turqinë, gjeostrategjik, e cila vazhdon edhe sot. Kush e ka pësuar më shumë ? Popujt me religjion islam dhe kristian që jeton në këto vende, të cilët nuk duan luftë, por paqe dhe tolerancë. Më të dëmtuara janë popullatat kristiane në këto vende të Lindjes së Mesme, sidomos ato në Irak, Siri, Liban, të cilat kësaj radhë po shfarosen, jo vetëm me vrasje dhe përdhunime (kujtoni popullatën jazidike), por dhe me shpërngulje, emigracion dhe prishje të objekteve fetare kristiane, të cilat në fakt janë të lashta gati 2000 vjeçare.

Dihet nga historia së të dy religjionet kryesore ajo Islame dhe Kristiane në fillimet e tyre kanë qenë miqësore, madje ekziston një shkrese e vetë Profetit Muhammad, i cili mbronte objektet fetare kristiane  dhe klerikët kristianë të asaj kohe, si në rastin e Manastirit të Shën Katerinës në Sinai. Ky Manastir u ndërtua nga Perandori Justinian i,  rreth viteve 548-565, pikërisht në vendi ku Moisiu pa  shkurret që nuk digjeshin nga zjarri i çuditshëm. Profeti Muhammad firmosi `Kartën e Privilegjeve` në vitin 628, për të mbrojtur murgjit e Manastirit dhe popullatën kristiane të asaj kohe, duke i konsideruar ata si `vëllezërit tanë`.

Megjithatë, raadikalizmi pseudoislamik ka sulmuar jo më larg se në 18 prill 2017, Manastirin, duke vrarë policinë e Manastirit. Dihet se Kristianizmi lindi në Lindjen e Mesme dhe në fillim popullatat ishin kristiane të ndara si ortodokse shumica, por edhe katolike apo ortodokse të veçanta si ajo armene, gjeorgjiane, ose dhe Koopte, por të varura nga Vatikani (kjo e fundit). Pas lindje se Religjionit te tretë – islamit i cili ishte në fillim një sekt i Nestorianizmit, për shkak se Profeti mësoi nga një murg Kristian për fenë dhe Zotin, islami mori zhvillim të madh dhe dihet historia e përhapjes së tij. Në fakt të dy fetë luftuan Judaizmin dhe çifutët  duke i akuzuar si vrasës së Jezu Krishtit, dhe pas viteve 70 e.s., hebrenjtë u dëbuan nga tokat e tyre, ashtu si e profetizoi Jezu Krishti dhe `u enden në shkretëtirë për rreth 2000 vjet`, kur në 1948 formuan shtetin e parë hebre.

Për sa i përket kristianëve, popullata kristiane e të gjitha sekteve ka ardhur duke u pakësuar ndër vite, në ato vende kryesisht nga dy faktorë: – nga luftërat fetare; – nga lindjet e pakta. Kurse popullata islame ka ardhur duke u shtuar sidomos pas luftës së Parë dhe të Dytë botërore për shkaqe kryesisht tradicionale dhe më vonë religjioze me qëllimet që vendosën udhëheqësit fetarë islamikë për të sfiduar, konkurruar dhe luftuar botën perëndimore nëpërmjet: -lindjeve të shumta; -martesave me shumë gra duke i përdorur gratë si  skllave -shtete jo-laike dhe diktatoriale, të cilat zbatojnë ligje të vjetra si Sharia.

Kjo shihet në rritjen demografike të pazakontë të shteteve arabe dhe atyre myslimane jo-arabe. Kjo ka shkaktuar dhe po shkakton trazira dhe problem ekonomike, financiare të ushqyerjes, por dhe të shkeljes së rëndë të të drejtave dhe lirive të njeriut, sidomos të grave, pasojë e të cilës janë dy sure kontradiktore: njëra që flet që burri duhet të martohet me një grua , dhe tjetra le të kuptohet se nëse burri ka pasuri dhe para ai mund të marrë deri në katër gra ose më shumë… Kjo ka shkaktuar një problem të rëndë social në këto vende me ku sundon ligji i Sharias; madje edhe ne Ballkan, Turqi, vërehet ky fenomen, sidomos pas luftës  së dytë botërore dhe pas rënies së komunizmit.

Luftërat civile dhe fetare në kohën e sotme në vendet arabe dhe jashtë tyre po dëmtojnë në radhë të parë demokracinë, por si dyti që është edhe më e rëndësishme, kanë shkaktuar emigracion të detyruar shpërngulje masive, në të vilën të parët që e kanë pësuar janë kristianët, të cilët po shfarosen dhe zhduken nga vendet e tyre native si pasojë e urrejtjes fetare të radikalizmit pseudo-islamik, i cili duke mos mundur të luftojë dot kundër fuqive të mëdha ka gjetur një çfrim të urrejtjes së tyre kundër popullatës kristiane me pretekstin se ata ..`duhet ose të konvertohen ose të vriten`…

Kështu Popullata Kristiane e Libanit  e kristianizuar nga Apostujt Shën Pali, Barnaba, nga shumicë kristiane që ishte para 80 vitesh në 65%, është në minorancë rreth 40%, Popullata kristiane në Irak nga 20% (6 milionë), është sot 1.2% (500. 000), Popullata kristiane në Siri  më e vjetra e kristianizuar nga Shën Pali. Para luftës civile ishte 13% (2.5 milion), sot e diskutueshme, janë larguar rreth 2 milionë kristiane. Popullata kristiane në Turqi nga më të vjetrat; sot, nga 19% që ishte në 1927 (pas  shkëmbimit të popullsive me Greqinë sipas Marëveshjes së Lausane-s) ra në 2.5% (320.000) ditët e sotme si pasojë e faktorëve që përmendëm më sipër.

Egjipti me popullatën kristiane Kooptë,  përbënin deri në 23% të popullatës, por përbëjnë sot më pak se 12% (rreth 12 milion)  Pa përmendur Jemenin, Libinë, Arabinë Saudite, qeveritë e të cilave nëpërmjet Sharia-s ushtrojnë në mënyrë të përhershme persekutime dhe shkelje të të drejtave të njeriut, duke i detyruar të largohen ose të konvertohen në islam, njëlloj si parrulla e ISIS. Sa për Izraelin, megjithëse shtet demokratik, aty ka shumë pak kristianë 1.7% (160.000), dhe mendohet se judaizmi  ka lejuar të hyjnë në Izrael vetëm judenjtë me fenë hebre dhe jo të tjerë. Ky është shkaku (https://en.wikipedia.org/wiki/Christianity_in_the_Middle_East)

Nuk duhet harruar genocide armen dhe shfarosja e kristianëve, pas pushtimit otoman të Azisë së Vogël dhe Ballkanit, masakrat e pushtuesve osmanë ndaj kristianëve asirianë, Armene në 1870, që njihen me emrin Masakra Hamidiane. Sot Al Qaeda dhe ISIS përbëjnë një kërcënim real për demokracinë në botë dhe për shtetet brenda të cilave ka fe të ndryshme. Globalizmi dhe laicizmi janë elementët kryesore të integrimit dhe të eliminimit të radikalizmit fetar dhe të diktaturave.

Pas luftës së dytë botërore e deri më sot kur të drejtat dhe liritë e njeriut, emancipimi i gruas, respektimi i lirive dhe të drejtat fetare, mbrojtja e pronës, kanë zënë përherë e më tepër vend në Botën perëndimore madje dhe në Kinë e Rusi, por pa harruar gjithashtu dhe masakrat e ushtrive kristiane ndaj popullatave myslimane duke filluar që nga fushatat kryqtare për të `çliruar` varrin e Krishtit e deri tek masakrat serbe ndaj boshnjakëve, dhe shqiptarëve të Kosovës, sot Bota Perëndimore , SHBA, BE, (madje dhe Rusia dhe Kina) si vende të demokracisë, duhet të integrojnë gradualisht edhe botën islame – dhe jo nëpërmjet `Pranverave Arabe` dhe as me përplasje fetare dhe luftëra civile,as duke krijuar opinionin se `një Diktator sado i keq të jetë, është më i mirë se sa një luftë civile`, por nëpërmjet integrimit gradual social, laik, dhe ekonomik, duke i përfshirë këto vende gradualisht në sisteme laike dhe demokratike, në të cilën feja të jetë jashtë qeverisjes, ku femra të respektohet dhe të jetë e barabartë me burrin.

Kjo përplasje qytetërimesh le të shpresojmë që të bëhet jo me luftëra, urrejtje, racizëm dhe radikalizëm fetar, por të realizohet nëpërmjet bashkëpunimit dhe tolerancës, pa paragjykime, sepse edhe ajo popullatë islame me politikanët e saj kërkon kohë për tu integruar, dhe ashtu si Komunizmi ra vetë pas 80 vitesh, edhe muret religjioze do të bien në kohën e tyre pas disa vitesh.