Stef Blok: Shqipëria ka rrugë të gjatë përpara

Qeveria holandeze ka diskutuar ditën e djeshme në parlament vendimin e saj në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ministri i Jashtëm Holandez, shuplakë të fortë Tiranës zyrtare

Erjon Dervishi

Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok është shprehur në Dhomën e Ulët të parlamentit holandez, se qeveria holandeze nuk është dakord për hapjen e negociatat me vendin tonë. “Shqipëria ende ka një rrugë të gjatë përpara”, tha Blok. Megjithatë, ai tha se vendi i tij do ta linte derën të hapur për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se Shkupi kishte bërë një sërë përparimesh. Sipas mediave holandeze, ai është më pozitiv në lidhje me hapjen e negociatave me Shkupin. “Hapa të mirë janë marrë në Maqedoninë e Veriut. Por ata nuk janë ende në nivelin e duhur. Diçka ende duhet të bëhet në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit”, deklaroi Block. Sipas ministrit të Jashtëm holandez, asnjë vendim nuk mund të merret në Bashkimin Evropian nëse edhe një shtet del kundër zgjerimit. Ashtu si në Gjermani, edhe në Holandë vendimi për hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën do të merret nga parlamenti dhe jo nga qeveria. Ligjvënësit në sallë kanë dashur të dëgjojnë nga ministri një “po” ose “jo” mbi zgjerimin me dy vendet në fjalë, por angazhimi i tij, sipas Pieter Omtzigt nga CDA, nuk ka qenë i qartë. Mediat holandeze shkruajnë se parlamenti është tejet i ndarë për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Partitë D66, PvdA dhe “Groen Links” duan që Bashkimi Evropian të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por dy parti të tjera, PS dhe PVV janë kundër. Nga ana tjetër partia “CDA” beson se Shqipëria nuk është gati për BE-në, ndërkohë që është më pozitive për Maqedoninë e Veriut, por ende nuk ka marrë një qëndrim përfundimtar për këtë çështje.

Qëndrimi i Ministrit Stef Blok

Vetë ministri Blok kishte paralajmëruar që verën e kaluar se Holanda nuk do të mbështesë bisedimet e pranimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë, sepse sipas tij është ende herët që unioni të fillojë negociatat me vendin tonë. Duke folur gjatë një takimi të ministrave të BE-së në Luksemburg, qershorin e kaluar, Blok tha se shpresonte që një ditë do të ishte e mundur hyrja në BE për Shqipërinë. Megjithatë, para se kjo të ndodhte, Blok tha se donte të shihte përparim për sa i përket sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. “Këto janë çështje shumë të rëndësishme,” tha ministri. Megjithatë, qëndrimi i Holandës do të bëhej edhe më agresiv me dërgimin e një kërkese zyrtare në Bruksel për rikthimin e vizave me Shqipërinë. Skepticizmi i Holandës për negociatat me Shqipërinë u paralajmërua disa ditë më parë edhe nga një prej mediave më të njohura në Bruksel, “Euractiv”, e cila shkruante se kërkesa e Amsterdamit për vizat pritet te ketë implikime të gjera në perspektivën euroatlantike të vendit tonë. Sipas medias së financuar nga Parlamenti Evropian, kërkesa për rikthimin e vizave mund të shndërrohet në një argument për vendet evropiane që nuk duan zgjerimin e BE-së. Pozicioni i vendit tonë bëhet edhe më i komplikuar nëse marrim parasysh se ishte pikërisht lufta kundër grupeve kriminale që shtyu me një vit hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe nëse vende skeptike si Holanda dhe Franca shohin se nuk është bërë përparim në këtë drejtim, ato rrezikojnë të shtyhen sërish. Sipas “Euroactiv”, lëvizja e fundit e Holandës tregon se hapja e negociatave me Shqipërinë do të jetë tanimë edhe më e vështirë. Akuzat e Holandës se falë liberalizimit të vizave, mafia shqiptare është e lirë të lëvizë nëpër Evropë, pritet të kenë impakt të madh edhe tek vendet e tjera anëtare. “Euroactiv” shkruan se tanimë BE-ja nuk është gati të japë “dritën jeshile” për negociatat me Shqipërinë. “Burimet diplomatike thonë se Bashkimi Evropian nuk është gati të japë dritën e gjelbër për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë”, shkruan media evropiane.

Raporti i Parlamentit të Holandës drejtuar KE-së

Këto raporte vijnë një muaj pasi një grup prej katër deputetësh holandezë ngritën të parët kërkesën për të anuluar udhëtimin pa viza për shtetasit shqiptarë në zonën Schengen, duke marrë më pas mbështetjen e Parlamentit Holandez. Në një letër të nënshkruar nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Holandës në BE, Robert de Groot, qeveria holandeze i kërkon Komisionit vendosjen e regjimit të vizave për Shqipërinë, në konsultim me shtetet e tjera anëtare. Në letrën drejtuar Komisionerit për Emigrimin dhe Punët e Jashtme, Dimitris Avramopulos, Holanda kërkon me shkrim që Komisioni evropian të konsiderojë pezullimin e vizave për shqiptarët. “Gjatë viteve të fundit, çështjet që kanë të bëjnë shtetasit shqiptarë kanë marrë shumë vëmendje në Holandë. Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si Amsterdami dhe Roterdami dhe rajone të tjera në vendin tonë. Një zhvillim tjetër është numri në rritje i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, kryesisht njerëz të rinj që dëshirojnë të fillojnë një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar”, e nis Holanda kërkesën e saj. “Numri i aplikimeve për azil nga shtetas shqiptarë është gjithashtu i lartë. Këto rrethana po minojnë mbështetjen e publikut në Holandë për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë”, thekson kërkesa. Ajo ka mbërritur në duart e Komisionit Evropian vetëm dy ditë pas rekomandoi hapjen e negociatave me vendin tonë.

Nuk ka datë për negociatat

Vendet e Bashkimit Evropian u shfaqën me qëndrime të ndryshme në lidhje me datën e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë një takimi jozyrtar të ambasadorëve të vendeve anëtare me komisionerin për Zgjerimin Johanes Hahn, ditën e djeshme nuk u ra dot dakord për një datë të mundshme për çeljen e negociatave. Një takim zyrtar më 12 qershor pritet që të ndodhë me këto vende. Vendet e Bashkimit Evropian filluan diskutimin në nivel ambasadorësh mbi datën e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas agjencisë së lajmeve Beta, në takimin joformal të ambasadorëve të vendeve anëtare me Komisionerin për Zgjerimin, Johanes Hahn, nuk u ra dot dakord për një datë të mundshme për çeljen e negociatave. Siç i tha një burim agjencisë, disa vende fillimisht ishin të mendimit për çeljen e negociatave për të dy vendet njëherësh, por më vonë ndryshuan qëndrim dhe theksuan fillimin e procesit vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe shtyrjen për në vjeshtë të datës për Shqipërinë. Gjatë takimit u ra dakord që të nxitet drejtimi evropian i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, por nuk u dhanë sugjerime konkrete. Shqetësim për disa vende anëtare është dhe bllokimi i bisedimeve me Prishtinës dhe Beogradit. Ambasadorët e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë një takim zyrtar më 12 qershor me qëllim për të arritur disa përfundime mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe mundësisht për të vendosur një datë për fillimin e bisedime me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Berlini dhe Parisi të japin kritika të ndara për PD-në dhe Ramën

Këshilli për Politikat Demokratike, është një organizatë e njohur me bazë në Gjermani. Duke marrë shkas nga situata e krijuar në lidhje me afrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ka bërë të ditur, se ekziston mundësia që BE të marrë përsëri një vendim për Shqipërinë në muajin shtator. Sipas burimeve të tyre të konfirmuara, samiti që pritet të mbahet në Shtator do të jetë në kundërshtim me rregullin numër 6/18 të rregullores së Këshillit Evropian të BE-së. Sipas tyre, kjo është rezultat i mosmarrëveshjeve midis Berlinit dhe Parisit. Organizata në fjalë thekson se, Komisioni Evropian, shpesh herë i është nënshtruar presionit të presidentit Francez, Emmanuel Macron, për ta zhvendosur datën e publikimit të progres-raportit, nga muaji Prill në fund të muajit Maj. Nga informacionet dhe të dhënat që kjo organizatë disponon, vihet në dukje se edhe Bundestagu gjerman po përpiqet që të shtyjë diskutimin e Progres-Raportit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bundestagu nuk pati kohë të mjaftueshme për të diskutuar Raportin, por e ka shtyrë për seancën e ardhshëm parlamentare. Ajo do të diskutohet në sesionin e fundit përpara Samitit të 20-21 qershorit. Pra me shumë gjasë, të dyja vendet, si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut, nuk do të marrin ndonjë vendim të qartë, të paktën në ditët e afërta. Ajo që është surprizuese për sa i përket Maqedonisë së Veriut, është fakti se vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, mund të bllokohet në muajin Shtator. Ardhja në fuqi e partisë Demokracia e Re, mund të çoi në anulimin e marrëveshjes së Prespës. Kjo mund të shoqërohet me penalizime edhe në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Organizata i bën thirrje të fortë grupimit të CDU-së në Gjermani, që të mos e lejojë që Greqia të bllokojë Maqedoninë e Veriut. Organizata vë në dukje se, grupimi politik CSU-CDU duhet të marrë në konsideratë këto fakte dhe të mos lejojë që kjo gjë të ndodhë. Gjithashtu Berlini dhe Parisi duhet ti japin mesazhe të ndara, si Partisë Demokratike ashtu edhe Kryeministrit Edi Rama. Këto mesazhe duhet të jenë kritike. Shqipëria duhet të marri një dritë jeshile, por të kushtëzuar.

Vendet e Evropës Qendrore lobojnë për Shqipërinë

Diplomacia polake ndërmerr nismën duke kërkuar nga Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët që negociatat të çelen në muajin qershor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në letër të siguruar nga media e njohur Gjermane “DW”, të enjten theksohet që Bashkimi Evropian, “duhet të përmbushë premtimin e qartë që ia ka dhënë Ballkanit Perëndimor për integrimet evropiane”. Në letër ftohen vendet anëtare që në takimin e qershorit të marrin vendime të “guximshme” dhe “largpamëse” që do të ndihmojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. Në letër thuhet se: “Ne i apelojmë palëve të interesit në Bashkimin Evropian që të mbajnë dhe të konsolidojnë çastin pozitiv duke çelur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne jemi të përkushtuar që të marrim përgjegjësitë tona dhe të reagojmë pozitivisht ndaj përparimit që është bërë në këto dy vende”. Letra fton që vendet anëtare të respektojnë rekomandimet e bëra nga Raporti i Progresit duke përfshirë edhe çeljen e negociatave. Çështja e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është peng i vendimeve nga tri vende anëtare që janë kundër. Aty përfshihen Franca, Holanda dhe Danimarka. Ndërsa, Gjermania nuk po jep shenja të qarta pasi, çështja një herë duhet të diskutohet në Bundestag. Nga vendet kundërshtare më negativja duket Holanda, e cila ka shkuar një hap më tutje duke kërkuar që vendet anëtare të iniciojnë një procedurë për rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptarë. Shteti i Beneluksit ka përmendur krimin e organizuar, si shkak për rivendosjen e vizave për shtetasit e Shqipërisë. Holanda gjithashtu është hezituese edhe për proceset e tjera të zgjerimit brenda Bashkimit Evropian, duke kundërshtuar edhe përfshirjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen. Ndërsa Franca ka theksuar kryesisht numrin e madh të azilkërkuesve nga Shqipëria. Në Francë vetëm shtetasit afgan kanë kërkuar azil më shumë se shqiptarët në vitin 2018. Në një koment të vetin Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Federika Mogherini kur është pyetur se cilët do të jenë lobuesit më të mëdhenj për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ajo ka thënë se këtë rol do ta marrin fqinjët e këtyre vendeve. Me këtë iniciativë konfirmohet, se Evropa Qendrore dhe Lindore do të jenë lobuesit për Ballkanin Perëndimor. Letra e përgatitur nga diplomacia polake argumenton çeljen e negociatave duke thënë, se ky proces “do t’u mundësojë këtyre dy vendeve të fokusohen më shumë në reformat e nevojshme përderisa BE-ja do të përfitojë nga një mjet shumë i vlefshëm për të vështruar progresin e tyre”. Gjithashtu, thuhet në letër, se çelja e negociatave “do të jetë një faktor motivimi për tërë rajonin. Kështu sigurohet një situatë përfituese për të gjithë”. Deri tani nuk dihet, se cilat vende kanë pranuar ta nënshkruajnë këtë letër. Interesimi i vendeve të Evropës Qendrore, për sa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian, është shumë i madh. Duke ndjerë nga afër rrezikun rus, Polonia, Çekia dhe vendet Baltike, kërkojnë me çdo kusht që Bashkimi Evropian të jetë sa më i fortë dhe të pranojë sa më shumë anëtarë të rinj. Premisa e këtyre vendeve niset nga ideja për të pasur një mbështetje më të gjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të filluar investimet e tyre në këto vende. Theksojmë se ditën e djeshme në Poloni ishte për një vizitë zyrtare, Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Ai pati një takim me nënkryetarin e Parlamentit të Polonisë, Ryszard Terlecki.  Homologu polak siguroi krye parlamentarin Ruçi se vendi i tij do të nxisë Këshillin Evropian që të hapë menjëherë negociatat me Shqipërinë. Sipas tij, 27 deputetët polakë janë në një linjë mes tyre dhe kërkojnë që Shqipëria të nisë procesin e negociatave për t’u bërë më pas pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Evropian. “Nxisim KE të hapë menjëherë negociatat me Shqipërinë. 27 eurodeputetët polakë janë shprehur pro negociatave në mbledhjen e parë të PE. Zgjerimi i Evropës është prioritet para forcimit të BE-së”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet