Stadiumi “Rama Ik!”

Arben Rrozhani

Ditari (a)politik

Mijëra shqiptarë ishin mbrëmë në stadiumin “Air Albania”. Por protesta e tyre me baner e pagëzoi me emrin “Rama Ik!”. Kryeministri mbeti i zhgënjyer. I fundosur në ndenjëse, me krahun e majtë të mbështetur dhe gishtat që kapnin gjysmën e kokës dhe më vështrim të përhumbur, ai i ndoqi thirrjet kundër pa emocion.

Ndjeshja e parë ishte ‘eksperiment’, sepse tapeti i blertë ishte shumë i butë dhe u kthye në baltë, ndërsa ambjentet e brendshme të kullës me stadium “Air Albania Arena” zhgënjyen. Edhe pse ishin shpenzuar rreth 75 milionë euro, ndërtuesit harruan se në tualete duhej edhe uji.

Por, ‘rroftë kulla’. Ajo duhej, prandaj që në prill 2016 Rama shprehu vendosmërinë e tij për ndërtimin e Stadiumit të ri “Arena Kombëtare”. “Stadiumet me kullë nuk janë shpikje e kësaj kohe dhe nuk është shpikje e arkitektëve italianë. Do të isha i lumtur sikur të bënim ne të parën kullë, pavarësisht gjithë baltës dhe keqkuptimeve. Por nuk është e para. Kullat dhe stadiumi kanë bashkëjetuar qysh në vitet e para të shekullit të kaluar. Mjafton të shohësh “Olimpia Stadion”, stadiumin aktual të Firences me kullën e vjetër të ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore, plot e plot stadiume të gjeneratës së fundit që kanë kullën si element”-shprehej ai. Dhe e bëri…kullën.

Ina, gishtat dhe Lali

Lali Eri nuk mund të mungonte në inaugurimin e stadiumit ‘Rama Ik!’. Madje bëri foto edhe me një femër, të cilës i kishte liruar vendin e vet ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ina Nuku, policja e plagosur në protestën e një viti më parë nga protestuesit e PD-së, te parlamenti, pozoi me insistimin e Lalit. Dhe ai e hodhi në Instagram. Për fat të mirë nuk ia përmendi më atë punën e “burrit’. Më 27 nëntor 2018, Lali kishte lënë nam. Gjatë një takimi në Bashkinë e Tiranës, me disa ‘banorë’ të Unazës, Veliaj tha se polices Ina Nuku, i është shkatërruar jeta pasi tani që iu prenë gishtat, asnjë burrë nuk pranon të martohet me të. ‘Jemi të gjithë burra, i shkojnë sytë të martohet një burrë me një vajzë pa gishta?’, tha Veliaj pa turp. Pyetja është: Cilën dorë të Inës shtrëngoi Lali dhe çfarë do të ndodhë me ‘burrin’ e saj? Apo do ta martojë bashkia?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet