“Stacioni i fundit” vë në pranga 3 persona, u kapën me 32 kg tritol (VIDEO)

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Tre persona përfunduan në prangat e Policisë së Tiranës pas një operacioni të koduar “Stacioni i fundit”, ku u kap 32 kilogramë tritol.

Në prangat e Bluve përfunduan shtetasit Kel Ndreca, 52 vjeç, Gjon Ndreca, 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Ndue Kola, 38 vjeç, banues në Fan të Mirditës.

Ata u kapën gjatë ditës së djeshme, e mërkurë, nga efektivët e policisë së komisariatit nr.5.

Në segmentin rrugor Fushë Krujë-Kamëz, uniformat blu kanë konstatuar Ndue Kolën i cili po qëndronte në mënyrë të dyshimtë në rrugë dhe pak çaste më pas është afruar një automjet tip “Mercedes Benz”, me dy persona brenda, me drejtues Kel Ndrecën dhe pasagjer Gjon Ndrecën, të cilët u ndalën për të biseduar me të.

Ata zbritën nga automjeti, dhe së bashku janë afruar në bagazhin e makinës nga ku kanë nxjerrë një qese plastike dhe më pas kanë vazhduar lëvizjen për në një lokal aty pranë.

Efektivët e policisë kanë ndërhyrë menjëherë ku kanë bërë neutralizimin dhe arrestimin e tyre në flagrancë. Të dyshuarve i’u gjetën 32 kilogramë lëndë e dyshuar plasëse e llojit tritol.  Lënda plasëse u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që vijojnë hetimet për aktivitetin e tyre.

Materialet ndaj të dyshuarve i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit.