Sot Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi Ndryshe

3 Dhjetori përkujtohet çdo vit nga vendet e OKB-së si Dita e Personave me Aftësi Ndryshe (PAN). Kjo datë u caktua nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në nder të PAN, për të promovuar të drejtat e PAN në të gjitha sferat e shoqërisë, si dhe zhvillimin e tyre duke rritur ndërgjegjësimin mbi situatën e PAN në aspekte të tilla si politike, ekonomike, sociale, shëndetësore dhe kulturore.

Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi Ndryshe, e miratuar në vitin 2006, është zhvilluar më tej në të drejtat dhe mirëqenien e PAN nëpërmjet implementimit të Objektivave Globale të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, si dhe kornizave ndërkombëtare të zhvillimit.

Çfarë është aftësia ndryshe?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me aftësi ndryshe janë individët që kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose shqisore, të cilat në ndërveprim me pengesa të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët.

Kufizimi i aktivitetit është një vështirësi që haset nga një individ në kryerjen e një detyre apo veprimi. Kufizimet e pjesëmarrjes, nënkuptojnë vështirësitë që një individ mund të ndeshë gjatë përfshirjes në situata të jetesës së përditshme.

Paaftësia nuk është vetëm një problem shëndetësor, por është një fenomen kompleks që pasqyron ndërveprimin midis veçorive të trupit të një personi dhe karakteristikave të shoqërisë në mjediset ku jeton. Vështirësitë që hasin personat me aftësi ndryshe kërkojnë ndërhyrje për të hequr pengesat mjedisore dhe sociale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se në nivel botëror, personat me aftësi ndryshe përbëjnë 15% të popullsisë.

1 në 10 europianë ka ndonjë dëmtim fizik, ndijor ose mendor.

Personat me aftësi ndryshe kanë të njëjtat nevoja shëndetësore si personat jo me aftësi ndryshe. Këta persona kanë të drejta të barabarata për kujdes shëndetësor ashtu si dhe pjesa tjetër e popullsisë.

Ata gëzojnë të drejtën për rimbursim të barnave dhe për kujdes shëndetësor.

Personat me aftësi ndryshe në Shqipëri

6.2 % e popullësisë në moshë madhore në Shqipëri është me aftësi ndryshe.

Personat madhorë me aftësi ndryshe në moshë për punë kanë 2 herë më shumë gjasa të jenë jashtë fuqisë punëtore sesa personat jo me aftësi ndryshe.

1-5 të rinj (15-24 vjeç) me kufizime në shikim janë në kërkim të punës, por nuk mund të gjejnë një të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet