Skënderbeu-Partizani, barazimi kënaq korçarët

Publikuar më 28. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Tifozët e Partizanit hapën parrulla kundër Moxhit në “Selman Stërmasi” në shenjë revolte ndaj rezultateve të dobëta

Përfundon në barazim 0-0 kryendeshja e javës së 12 e Kategorisë Superiore mes Partizanit dhe Skënderbeut. Me këtë barazim buzëqeshin korçarët të cilët janë të qetë në majën e tabelës me 6 pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë. Partizani pozicionohet në vendin e 7 në kuotën e 15 pikëve. Partizanin e drejtoi në këtë ndeshje zv.trajneri Klevis Dalipi pasi Starova është i dënuar. Duhet thënë se kjo ishte një ndeshje ku u krijuan shumë raste shënimi por lojtarët nuk u treguan të saktë para portës.

Pakënaqësi nga tifozët e Partizanit që shpalosën disa parrulla kundër Luçiano Moxhit për shkak të rezultateve të dobëta të ekipit. Në minutën e 4 të takimit erdhi goli i Partizanit me anë të ish-lojtarit të Skënderbeut Progni,  por gjyqtari e anullon për pozicion jashtë loje.  Në minutën e 18 Trashi ekzekuton një goditje dënimi por topi përfundon në duart e portierit Shehi. Pas dy minutash James ka një mundësi të artë për të shënuar për godet shumë keq duke e dërguar topin mbi kuadrat. Mbyllet pjesa e parë me shifrat 0-0.

Me fillimin e pjesës së dytë është Gavazaj që pason bukur për Takun por ky i fundit godet lehtë dhe portieri Hoxha ka gjithçka nën kontroll.  Në minutën e 66 Trashi humbet një mundësi shumë të mirë dhe konfirmon që nuk është në ditën e tij. Në të 82 minutë  Partizani fut në fushë sulmuesin Sukaj për t’i dhënë ekipit një forcë më tepër. Ky i fundit e ka shansin e tij në minutën e tretë shtesë ku gjendet i pamarkuar në zonë por goditja e tij është qendrore dhe Shehi kontrollon pa shumë vështirësi. Pa gola mbyllet sfida kryesore e kësaj jave dhe Partizani e ka të vështirë të gjejë rrugën e vazhdimësisë pas fitores ndaj Kukësit javën e kaluar. Pas ndeshjes trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja u shpreh se barazimi ishte një rezultat i drejtë në këtë takim duke parë kundërshtarin që kishim përballë. “Ne nuk hyjmë asnjëherë për barazim, por me një kundërshtar si Partizani, aq më tepër në fushën e tij, mendoj se një barazim është i pranueshëm. Rezultati më i drejtë ishte barazimi. Megjithatë, të dominosh pas minutës së 60-të deri në fund me gjithë mbilodhjen në Europë, atëherë do të thotë se jemi në rrugën e duhur. Kemi pasur një ngjeshje ndeshjes duke luajtur çdo tre ditë thuajse.

Nuk kemi mundur të bëjmë dot as rotacionin e duhur. Mendoj se e gjithë kjo ka ndikimin e vet, por ka edhe anë pozitive, sepse ekipi ka ritëm tjetër të përfituar nga ndeshjet e Ligës së Europës”, shprehet Daja. Zv.trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi u shpreh se skuadrës së tij u mohua një penallti dhe se goli i Prognit ishte i rregullt. “Ne i patëm dy mundësi, por nuk mundëm të shënonim. Ishim të pafat në një ndeshje si kjo. Në rastin e Prognit nuk mendoj se ishte jashtë loje. Në momentin që u fut Sukaj, e paralajmëruam që do t’i vinte një mundësi, por ishte i pafat. Mund t’i kishte folur dikush nga mbrapa që je vetëm. Ndërsa në rastin e Asanit ishte penallti sepse Jashanica nuk ishte fare i interesuar për topin. Ishim të përgatitur për të përballuar një kundërshtar si Skënderbeu. Kur mbaroi pjesa e parë i paralajmëruam lojtarët sepse e dinim që ndeshjen do ta vendosnin episodet, por për fat të keq me dy raste flagrante ne sërish nuk mundëm të shënonim. Më vjen keq për këtë”, thekson Klevis Dalipi.

Përfundon java e 12 e Kategorisë Superioe dhe Skënderbeu vazhdon të kryesojë tabelën e renditjes me 28 pikë, 6 pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë.

Skenderbeu 12 8 4 0 23:7 28    
2. Kukesi 12 6 4 2 21:11 22  
3. Flamurtari 12 5 6 1 12:8 21  
4. Kamza 12 5 5 2 12:9 20  
5. Laci 12 4 3 5 12:11 15  
6. Partizani 12 4 3 5 7:9 15  
7. Teuta 12 4 3 5 15:19 15  
8. Vllaznia 12 3 3 6 9:13 12  
9. Luftetari Gjirokastra 12 2 3 7 9:17 9  
10. Lushnja 12 1 2 9 6:22 5