“Skënderbeu” në kantier, skulptori: Çështja është politike!

Foto 1 nga 4 Pas Para

Shtatorja e Skënderbeut, në prag të zgjedhjeve bashkiake, ende në pritje për t’u vendosur në sheshin “Gjergj Kastrioti” në Lezhë. Artisti dhe fonderia, të pashpërblyer. Bashkisë Lezhë i propozohet një vendndodhje e dytë, përsëri brenda zonës “A”

Anila Dedaj

Në fshatin Mënik, afro 9 km larg Tiranës, në fonderinë e bronzit që u punua, gjendet shtatorja e Skënderbeut, në pritje për t’u vendosur në sheshin “Gjergj Kastrioti” në Lezhë. Për një monument të tillë fonderisë, ashtu si edhe skulptorit Ardian Pepa do t’iu ishin dashur afro një vit punë, por që “Skënderbeu” të qe gati për 575-vjetorin e Beslidhjes së Lezhës në këtë 2 mars, ata u angazhuan të punonin ditë e natë, prej fundvitit të 2018-ës. “Kemi punuar me orë të zgjatura, dhe shtatorja është realizuar për afro 2 muaj e gjysmë” tregon artisti për “Shekullin”, i cili ende sot së bashku me fonderinë nuk kanë marrë shpërblimin e plotë monetar për punën e bërë(është dhënë më pak se 1/3 e detyrimit).

Ndërkohë që “Skënderbeu”, 900 kg dhe i lartë 3 m e 62 cm (bazamenti 2m), është ende në kantier, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik nuk pajtohen me vendndodhjen e përcaktuar nga Bashkia Lezhë, që përpos të tjerave është në prag zgjedhjesh.  E gjithë historia nisi në 15 dhjetor të vitit të kaluar kur Pepa u shpall fituesi i një projekti të mbajtur në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, si iniciativë i kreut të Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj, dhe po në atë ditë u shpall edhe vendi i menduar për të.

Shtatorja ishte menduar të vendosej brenda Zonës A të Parkut Arkeologjik Lezhë, pranë vendvarrimit të Skënderbeut, dhe artisti e realizoi duke pasur parasysh që monumenti të përshtatej me kushtet e këtij vendi. Fillimisht IMK dhe Ministria e Kulturës bën me dije se shtatorja nuk mund të vendosej, pasi Bashkia nuk kishte kërkuar lejen përkatëse. E mandej, në mungesë të kësaj leje, në shkurt të 2019-ës, u shembën dy shkallët e para të bazamentit të sapovendosura. Ndërsa, historiani dhe specialisti i trashëgimisë pranë Bashkisë Lezhë, Paulin Zefi nxiton për të dorëzuar dokumentacionin përkatës dorazi, pas këtij hapi procedurat e miratimit do të stërzgjateshin. Kësaj here, arsyeja do të ishte dokumentacioni jo i plotë.

“Nuk është plotësuar asnjë nga mangësitë e dokumentacionit”

Në 11 prill, në përgjigje të kërkesës së “Shekullit” për informacion më të detajuar në lidhje me vendosjen e  statujës së Gjergj Kastriot Skënderbeut në sheshin me të njëjtin emër, në qytetin e Lezhës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik  jep sqarimin që vijon:

Zona e propozuar për vendosjen e statujës gjendet brenda zonës arkeologjike “A” të qytetit të Lezhës.

Bazuar në VKM Nr. 728 datë 01.09.2010 për shpalljen e zonave “A” dhe “B” të qytetit të Lezhës, Neni 3, çdo projekt ndërhyrje në zonën arkeologjike “A” duhet të kalojë për shqyrtim dhe vendimmarrje në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë (KKA).

Bashkia Lezhë  ka depozituar pranë Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA) kërkesë për miratim të projektit të vendosjes së statujës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, në sheshin “Gjergj Kastrioti”, e cila nuk shoqërohet me dokumentacionin tekniko ligjor konform legjislacionit në fuqi.

Për mangësitë e këtij dokumentacioni, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik i është drejtuar  Bashkisë Lezhë me shkresën përkatëse, ku e njofton  në lidhje me to.

Deri më sot nga Bashkia Lezhë nuk është plotësuar asnjë nga mangësitë e dokumentacionit  për të cilën është njoftuar.

Pas plotësimit të tyre do të vijojë procedura  deri në shqyrtimin dhe vendimmarrjen e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Shumë pranë monumentit të kulturës “Vendvarrimi i Skënderbeut”

Ndërkohë që IMK dhe Ministria e Kulturës kërkojnë që nga ana e Bashkisë së Lezhës të propozohet një tjetër vendndodhje, për të shmangur zonën arkeologjike “A”, fillimisht iniciatorët e  projektit “Vendosja e shtatores së heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu në sheshin qendror në Lezhë e refuzojnë një kërkesë të tillë.

Edhe pse për vendosjen e bazamentit të shtatores nuk përfshihen gërmime, çka do të mund të rrezikonin zonën e mbrojtur, IMK e konsideroi si të papërshtatshme lejimin e monumentit në vendin e menduar. Për “Shekullin” në 11 prill, nga ky institucion sqarojnë se: “Mbështetur në Rregulloren  për administrimin e Zonës Arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Lezhës, miratuar me VKM Nr.728, datë 01.09.2010, ky projekt bie në kundërshtim me kriteret për ndërhyrjet e lejuara në këtë zonë arkeologjike. Nga anëtarët e KKR-së u gjykua si e papërshtatshme pozicionimi i shtatores në sheshin qendror të Lezhës, edhe për faktin se shtatorja vendoset shumë pranë monumentit të kulturës “Vendvarrimi i Skënderbeut” duke dëmtuar imazhin dhe fasadën e tij, i cili është restauruar në vitin 2018. Sa më sipër, në mbështetje të Ligjit Nr. 27/2018, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, KKR me Vendim Nr.73, datë 19.03.2019, vendosi: -Të risillet propozim i ri nga aplikuesi Bashkia Lezhë për vendndodhjen e shtatores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në qytetin e Lezhës”.

Përsëri brenda zonës arkeologjike “A”

Në fillim të këtij muaji, specialisti i trashëgimisë Paulin Zefi njofton për mbajtjen e mbledhjes së tretë të radhës në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve. “Pavarësisht se anëtarët e K.K.R. vazhduan të refuzojnë në mënyrë absolute kërkesën e Bashkisë Lezhë për ta vendosur statujën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në pjesën veriore të Sheshit “Gjergj Kastrioti” me pretekstin se ndodhet brenda Zonës A të Parkut Arkeologjik Lezhë, sot ramë dakord që të miratohet “Varianti B” i propozuar nga Bashkia Lezhë të cilin e kam dërguar dorazi në I.M.K. dhe A.SH.A. me dt.25.04.2019. Sidoqoftë, edhe “Varianti B” i planvendosjes së Shtatores ndodhet brenda Zonës A të Parkut Arkeologjik Lezhë dhe pikërisht në pjesën jugore të Sheshit “Gjergj Kastrioti”, midis Kambanës së Paqes dhe Monumentit simbolik të Shtegtarëve(Emigrantëve). Pra, Shtatorja monumentale e Heroit tonë Kombëtar do të vendoset me kurriz nga lulishtja(jug) dhe me pamje ballore në drejtim të Sheshit “Gjergj Kastrioti” dhe Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Përmendorja e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Menjëherë sapo të dalë vendimi zyrtar i KKR, Bashkia Lezhë do të nisë punimet për ndërtimin e bazamentit të poshtëm mbi të cilin do të vendoset piedestali i stilizuar së bashku me Shtatoren”, shprehet Zefi.

Specialisti: Të vendoset, nuk do ta dëmtojë zonën e mbrojtur!

Skulptori Ardian Pepa tregon se nëse shtatorja vendoset në  pjesën jugore të Sheshit “Gjergj Kastrioti”, ndryshe nga vendi ku ishte menduar, do të jetë e privuar nga ndriçimi. “Kjo është shumë e rëndësishme, ndërsa, këtu ku është propozuar i bie dielli maksimumi një gjysmë ore, një orë në pasdite”.

Sipas tij, kjo stërzgjatje që e mban “peng” shtatoren prej 6 muajsh, për më tepër tani që dhe pak na ndajnë nga zgjedhjet bashkiake, është tërësisht politike.  “Tanimë është shndërruar në çështje politike, mendoj se nëse kryetari i bashkisë do të ishte i Partisë Socialiste, leja do të ishte dhënë dhe çdo gjë do të ishte zgjidhur me lehtësi”. E pavarësisht kësaj, ai shprehet se përsëri beson tek reflektimi i palëve për ta vendosur shtatoren sa më shpejt.

Akademiku: Kujdes me figurat kombëtare!

Akademiku dhe studiuesi Emin Riza, njëherazi një nga emrat më në zë të restaurimit në vendin tonë,  i pyetur nga “Shekulli” për rastin në fjalë shprehet se duhet pasur kujdes, në mënyrën se si trajtohen figurat kombëtare. Pikërisht për vlerat që ka ruajtja e imazhit të kësaj figure, për atë që përfaqëson për vendasit, dhe për faktin se shtatorja nuk do të ishte me rrezik për zonën ai shprehet se duhet vendosur. “Figura e Skënderbeut është e shekullit XV. Është një hero së paku, ndër më unikalët, në mos unikali dhe mendoj se nuk do të ishte me rrezik vendosja e tij në këtë zonë. Për më tepër që do të vendoset mbi një strukturë që nuk përfshin gërmime. Unë nuk shikoj mundësi për ndonjë dëmtim të hapësirës së mbrojtur.

Monumentet e personaliteteve

Sipas Rizës, nga specialistët duhet pasur gjithashtu kujdes që kur shpallin një monument që lidhet me ndërtime që kanë të bëjnë me figura të caktuara të jetës historiko-shoqërore, duhet që monumenti të jetë mundësisht i periudhës në të cilën ka jetuar kjo figurë. “Për shembull nëse u janë bërë shtesa të mëvonshme, ato duhet të hiqen dhe duhet ruajtur faza në të cilën ka lindur, apo ka jetuar një figurë e caktuar”.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet