Skënderbeu i destinuar për merkato cilësore

Nga Tonin Frroku

Humbja e parë kaloi pa shumën dramë në kampin bardh e kuq, atje ku trajneri Ilir Daja nuk ka dashur të bëjë tragjike disfatën në Laç e cila herët a vonë do të ndodhte. E gjithë vëmendja tashmë është përqendruar tek ndeshjet e radhës por mbi të gjitha tek merkatoja e janarit ku Skënderbeu do të kërkojë të forcojë ekipin në çdo repart pavarësisht grupit kompetitiv që ka për momentin. Natyrisht që sulmi dhe mbrojtja janë pikat ku bardh e kuqtë do të përqendrohen më shumë, kjo edhe si pasojë e ofertave të shumta në numër për Jashanicën, por edhe Micin deri diku. Për këtë duket se Skënderbeu i ka hapur luftë në merkato Partizanit për Armend Thaçin, mbrojtësin e Gjilanit që luan me kombëtaren e Kosovës. Bardh e kuqtë duket se kanë hapur garën për të marrë lojtarin në fjalë që duket me shumë të ardhme dhe një mbrojtës që do të bënte punë në repartin e prapavijës.

Për shërbimet e 25 vjeçarit në garë janë futur edhe të kuqtë e Partizanit por duket se Skënderbeu është gati të përdorë kartën e kosovarëve për të bindur bashkë kombasin e tyre të mbërrijë tek ekipi korçar. Te Skënderbeu janë gjashtë lojtarë kosovarë dhe së bashku me Malajn që është në proces rikuperimi numri i tyre shkon në shtatë. Për këtë duket se dy lojtarët e kombëtares, qoftë Jashanica ashtu edhe Aliti do të mundohen të bindin Thaçin që të bëjë zgjedhjen e tij duke kaluar tek Skënderbeut. Gjithsesi kjo duket se është tratativa e parë për mbrojtës në radhët e bardh e kuqve, pasi për vetë faktin se Jashanica është gjithnjë e më shumë në vorbullën e merkatos.

Pavarësisht se Thaçi ka përfunduar në orbitën bardh e kuqe, duket se Skënderbeu është gjithnjë e më shumë i interesuar për të përforcuar repartin e sulmit. Natyrisht që një sulmues i vetëm siç është Soue nuk është i mjaftueshëm për të përballuar të gjithë sezonin dhe kjo u duk qartë në momentin kur ky i fundit u dëmtua, që Skënderbeu nuk kishte forcë ofensive në ekip. Për këtë me shumë mundësi gjatë merkatos së verës do të punohet më së shumti për të afruar të paktën dy lojtarë në repartin e avancuar. Me Nesporin që gjithnjë e më shumë do të largohet në janar pas problemeve fizike të parikuperueshme që ka lojtari në fjalë afrimi i sulmuesve është më se i domosdoshëm.

Të tjera

Abissnet