Skandali, si u arrestuan 6 vajza të reja pa vepër penale, dhe akuza për “prostitucion” 

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

Arrestim në kushtet e flagrancës! Zhurmë dhe bujë e madhe policore. Një prokurori që pranon “kushtet e flagrancës” dhe që i dërgon të arrestuarit për masë sigurie në gjykatë me pretendimin për t`i thënë gjykatës se të arrestuarit e policisë duhet të lihen në burg pa afat! Në mos të gjithë, të paktën një prej tyre! Por si policia ashtu edhe prokuroria kishin harruar dhe kishin çuar para gjykatës 6 qytetare të këtij vendi pa vepër penale! “Aktin e tyre kriminal” nuk e parashikonte asnjë nen i asnjë kodi në vendin tonë, ndërsa policia kishte referuar një vepër të rëndë penale ndaj gjashtë vajzave të reja: Ushtrim dhe shfrytëzim prostitucioni!

Përveç kësaj akuzë të rëndë, policia në komunikimin me mediat për operacionin e suksesshëm nxori edhe detaje për veprën penale, por që në fakt në asnjë prej akteve të verifikuara në procesin paraprak nuk është hasur asnjë element i veprës penale. Në gjykatë, në krah të gjashtë femrave janë gjendur dy avokatë të cilët kanë mundur të thyejnë policinë dhe prokurorinë para gjyqtares së çështjes duke bërë të mundur ndryshimet e masave të parashikuara për të prangosurat. Kështu gjashtë vajzat që u arrestuan katër ditë më parë janë lënë të lira, ndërsa njëra prej tyre që u konsiderua nga policia dhe prokuroria si “tutorja” e pesë të tjerave u la në arrest shtëpie.

Por çfarë ka ndodhur vërtet në këtë histori që u pompua aq shumë nga policia si një super operacion, ndërsa akuzat e lëshuara mbi vajzat, të cilat punonin në një linjë tip Call Center-i të njohur ndërkombëtarisht, janë aq të rënda sa mund të shkaktojnë tragjedi dhe ngjarje që nuk iu duhet fundi! Pesë vajzat e vëna nën akuzë të rëndë nga policia dhe prokuroria, të cilat kanë dalë dje para gjykatës së Tiranës kanë mohuar të ishin fajtore për asgjë e aq më tepër për nenin 113 të Kodit Penal që kishte referuar prokuroria!

Mbrojtja në Gjykatë     

“Nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është sjellë për vlerësim nga ana juaj kërkesa për vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit për shtetasen L. B. Sipas organit të akuzës, kjo shtetase dyshohet për kryerjen e veprës penale të ”Shfrytëzimit  i prostitucionit” vepër kjo e parashikuar nga neni 114 i Kodit Penal. Sipas kërkesës, nga Prokuroria është kërkuar të vleftësohet si i ligjshëm arrestimi në flagrancë i kësaj shtetase dhe caktimi ndaj saj i masës së sigurimit personal të “Arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Theksojmë faktin se në rastin konkret mungon vepra penale. Ajo është krijuar artificialisht nga organi i policisë dhe prokuroria prandaj janë të paligjshëm të gjitha kërkimit e organit të procedimit për vleftësimin e “Arrestit në flagrancë” dhe caktimin e masës së sigurimit për shtetasen L.B. Nga rrethanat e faktit rezulton se në rastin e ndalimit të kësaj shtetaseje nuk ekzistojnë kushtet e flagrancës dhe është i pabazuar kërkimi i organit të akuzës për t’u vlerësuar nga gjykata si i ligjshëm ky arrestim: Pasi mungojnë elementet detyrues të nenit 251 të Kodit Procedurës Penale ku përcakton kritere fikse te “arrestit në flagrancë” ku kryesore është që veprimi të plotësojë elementet e figurës së krimit dhe të kryhet me dashje dhe me burgim jo më të ulët se 5 vite. Në rastin tonë nuk jemi as para krimit as para kundërvajtjes penale por jemi përpara një veprimtarie që nuk e ndalon ligji penal shqiptar.

Flagranca sipas avokatëve mbrojtës

Janë dy mbrojtësit Artura Mustafaj dhe Majlinda Shehu të cilët janë gjendur në gjykatë ditën e djeshme krah jo vetëm të akuzuarve por edhe krah familjarëve të vajzave që tashmë janë vënë nën një akuzë të rëndë, që do t`iu kushtojë shumë, në kushtet kur nuk kanë kryer asnjë vepër penale, jo vetëm në këtë rast po as në jetën e tyre të deri tanishme. Shekulli kontaktoi mbrojtësit e vajzave, të cilat lanë dalë dje para gjykatës për të mësuar më shumë hollësi mbi pretendimet e policisë, prokurorisë dhe të vetë atyre, për shkak se avokatët mbrojtës hodhën poshtë jo vetëm kushtet e flagrancës por edhe krejt akuzat e vëna mbi vajzat e reja të arrestuara.

Avokatët këmbëngulin se: Në nenin 252 të Kodit të Procedurës Penale gjendja e “Flagrancës” parashikohet si: -Kapja e të akuzuarit në kryerje e sipër të veprës penale: – Kapja e të ndjekurit nga policia gjyqësore menjëherë pas kryerjes së veprës;  – Kapja me sende dhe prova materiale, nga të cilat duket se ka kryer veprën penale; Në rastin konkret shtetasja L. B është arrestuar në kundërshtim me ligjin bashkë me punëtoret e tjera në ambientin e punës ku ato po kryenin komunikimin si çdo ditë tjetër, duke mos pasur asnjë element të flagrancës por duke i shkelur në mënyre të hapur të drejtat e këtyre punonjëseve.

Kundërshtimi i procesverbalit të policisë

“Pretendimet tona vërtetohen tërësisht edhe nga pasqyrimi që është bërë në procesverbalin e mbajtur nga policia gjyqësore të datës 15.06.2017 “Për arrestim në flagrancë” ku thuhet se: Në një ambient të marrë me qira ku janë gjetur disa vajza të moshave të ndryshme të cilat shfrytëzohen për qëllime prostitucioni…”. Me pasqyrimin e këtyre rrethanave të paraqitura nga vet organi i policisë dhe prokurorisë vërtetohet tërësisht se vetëm elementë të prostitucionit nuk ka, pasi mungojnë njerëzit e gjallë/klientët, pa të cilët nuk mund të kryhet marrëdhënie të prostitucionit!  Në këto kushte i kërkuam gjykatës që mos të vleftësojë të ligjshëm arrestin në flagrancë për shtetasen L.B. pasi mungojnë elementët e flagrancës të përcaktuar në KPP.

Njëkohësisht, i thamë gjykatës se nuk duhet pranuar kërkesa e prokurorit për caktimin e asnjë mase sigurimi dhe aq më tepër ajo e arrestit me burg për shkak se mungojnë elementet e domosdoshëm që kërkon neni 228;229;230 të Kodit Penal. Kundërshtimet tona ndaj kërkimeve që ka paraqitur organi i procedimit i mbështesim edhe në analizën e rrethanave të faktit që vërtetojnë se në veprimtarinë e shtetases L.B, nuk ka element të ndonjë vepre penale”- thanë avokatët rastin e të akuzuarës si person që kishte kryer ushtrim prostitucioni! “