Skandali në burgun e Peqinit/ Kartelat shëndetësore të të burgosurve të sëmurë mbushen fiktivisht

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Dionis Xhafa

Kartelat shëndetësore të të burgosurve të sëmurë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, mbushen fiktivisht nga personeli mjekësor. Lajmi është publikuar nga emisioni “Boom” në Ora News, ku bëhet me dije se një i burgosur, i diagnostikuar me astmë bronkiale, veshka dhe prostatë qëndron me ditë në izolim pa marrë asnjë medikament mjekësor, pavarësisht asaj çfarë shkruhet në kartelë. Gazetarja ka arritur të komunikojë me të dënuarin, me nënën e tij, me mjekun e burgut, si dhe me drejtorin e emëruar vetëm pak kohë më parë.

Referuar asaj çfarë mjeku ka treguar, mësohet se ka ndodhur që disa herë ilaçet janë blerë nga vetë stafi mjekësor i burgut. Nga ana tjetër, drejtori thekson se ilaçet për të burgosurin në fjalë, gjatë periudhës që ai ka marrë drejtimin e këtij institucioni, nuk kanë munguar. Por një rrëfim krejt ndryshe vjen nga nëna e tij, e cila tregon recetën e ilaçeve që duhet t’ia blejë të birit me paratë e saj, ndonjëherë edhe duke shitur kanaçe. Në lidhje me këtë rast, është shprehur edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nëpërmjet avokatit të tij. “Fondet  jepen, kartelat mbushen, por ilaçet blihen nga familjarët e të burgosurve. E mbi të gjitha, pavarësisht problematikës shëndetësore të këtij personi, sëmundjeve të shumëfishta, ai vuan trajtimin me izolim për ditë të tëra, një shkelje flagrante kjo e të drejtave të njeriut”.