“Specialistët për hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në D.V.P. Dibër, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 7 shtetasve, nga Burreli.

Procedimi nisi mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative si dhe bazuar në materialet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare”. Keta shtetas dyshohet se duke qenë anëtarë të Komisionit të Verifikimit dhe Komisionit të Vlerësimit në Bashkinë Mat kanë përzgjedhur në mënyrë selektive  qytetarët përfitues për  dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 11 korrik 2018 në Bashkine Mat.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë për hetime të mëtejshme”, njofton policia.

Kujtojmë që tërmeti i datës 11 gusht 2018 me magnitudë 5.1 të shkallës rihter dëmtoi rreth 400 banesa në rrethin Mat. Bashkia Mat hartoi listat me familjet të cilat ishin prekur dhe duhet të merrnin një dëmshpërblim, ku nga 400 familje në prefekturë u dërguan për dëmshpërblim vetëm 100 prej tyre. Edhe pse në të vërtetë Këshilli Bashkiak e kundërshtoi listën e përpiluar nga Bashkia Mat, kjo e fundit nuk ngriti më komision për rivlerësim, duke miratuar listën fillestare.