Skandali me përmbytjet, mesazhi i fortë i Besa Kokëdhimës (VIDEO)

Publikuar më 04. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Shirat e këtyre ditëve, vendosën në provë të vështirë vendin tonë. Ndërsa përmbytjet si gjithmonë shënojnë ekonominë dhe sigurinë e shtresës më të varfër, pyetja që shtrohet është se kujt i takon përgjegjësia. Të shumta janë reagimet në rrjetet sociale nga personazhet publikë të cilëve ne këto ditë të brishta, u është bashkuar edhe këngëtarja e mirënjohur, Besa Kokëdhima. Nëpërmjet një video-je, ku shfaqen imazhe të rënda që paraqesin gjendjen alarmante dhe pasojat katastrofike të shirave të këtyre ditëve, këngëtarja jep një mesazh të fortë. Situata është mjaft e rëndë, dhe të lutemi nuk mjafton. “Ka ndonjë plan B kjo qeveria jonë kur bie shi? Apo ngremë krahët nga qielli dhe kush shpëton shpëton?!”, shprehet këngëtarja teksa replikon me një komentuese të rastit. Të shumtë janë njerëzit që solidarizohen me mesazhin dhe vuajtjen e njerëzve që janë prekur nga përmbytjet, por një situatë e tillë ka nevojë që zëra të tjerë me influencë t’i bashkohen derisa këtij problem t’i gjenden një zgjidhje. Nuk mjaftojnë ndihmat, evakuimi, as fajësimi i qeverive të shkuara fjalët janë të tepërta, kjo situatë mund të përsëritet, dhe zgjidhja është shumë e qartë ashtu siç parashtron dhe Besa, “minimalisht të ndërtonte kanalizime të sakta e të përllogaritura, rrugët, kolektorët etj., me standarde dhe planifikim afatgjatë”. Qytetarët paguajnë taksat, votojnë me shpresën që të shohin ndryshime pozitive dhe në fund të ditës pas një shiu që për çdo vend tjetër do ishte normal e gjen fermën të rrënuar, e gjen veten anë një lumi pa urë, e gjen veten në mes të kryeqytetit pa drita e ujë. Deri kur do të përballen me këtë gjendje shtrohet pyetja, ndoshta derisa ata vetë ta lejojnë dhe të mos bëjnë diçka për ta ndryshuar! Në fund të videos, Besa jep një mesazh të fortë dhe solidarizues ndaj qytetarëve: “Jam e dëshpëruar nga këto pamje. Zemra ime shkon tek të gjithë ata që janë prekur. Lutem për ju!”