Skandali me 300 doktoraturat false në këmbim të 10 mijë eurove

Nga Lindita Bushgjokaj

Ish-pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë tregon skandalin me doktoraturat në Fakultetin e Shkencave të Natyrës kur ishte dekan Mynyr Koni. Ministria e Arsimit e ka lejuar fenomenin, pasi nuk ka ndërhyrë ligjërisht

Sokol Abazi, ish-pedagog kimie në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tregon për gazetën “Shekulli” korrupsionin me doktoraturat në vitin 2013, të cilat janë dhënë pa meritë dhe në këmbim të një shumë prej 10 mijë eurosh. Ky biznes është kryer nga dekani i atëhershëm dhe rektori i sotëm Mynyr Koni, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, pasi nuk ka ndërhyrw ligjërisht për të parandaluar fenomenin. Ndërsa rrëfen, se i njëjti skandal ka ndodhur edhe me 300 doktoratura te Fakulteti i Infermierisë, ku Kryetar i Këshillit të Profesorëve ka qenë Mynyr Koni dhe e ka shfrytëzuar për të dhënë doktoratura, pa asnjë kriter apo kërkim shkencor. Ndërsa këta të fundit vepronin në mënyrë formale dhe nuk guxonin të flisnin nga frika, tha Abazi.

Z.Abazi, si ka qenë përvoja juaj me doktoraturat në kohën kur keni punuar si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës?

Kam punuar pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës deri në vitin 2013. Sipas ligjit të Arsimit të Lartë dhe rregullores së universitetit, të gjithë udhëheqjen, organizmin dhe vlerësimin e doktoraturave e ka pasur Këshilli i Profesorëve të universitetit, por ky këshill shpeshherë është anashkaluar. Listat e emrave të aprovuar nga këshilli i fakultetit janë ndryshuar, duke hequr dhe vendosur emra sipas dëshirës nga dekani i atëhershëm dhe rektori i sotëm, Mynyr Koni. Unë këtë çështje e kam bërë problem te Këshilli i Profesorëve dhe kjo ka qenë një nga arsyet që më pushuan nga puna. Më e keqja është se në vitin 2013, janë shtuar në ato lista edhe 30 kandidatë të tjerë pa kaluar fare në Këshillin e Profesorëve.

Si ishte e mundur që asnjë nga anëtarët e Këshillit të Profesorëve nuk reagoi për këtë fenomen abuziv?

Ishin 52 pedagogë me lepurin në bark, pasi kishin frikë të flisnin, përveç meje. Janë shtuar dhe 30 doktoratura të tjera me letra të dekanit dhe rektorit. Gjithashtu paguheshin rreth 10 mijë euro për t’u regjistruar në shkollën e doktoraturës. Këto lekë ishin ryshfete, që jepeshin për t’u regjistruar jashtë kritereve për të pasur një doktoraturë.

Cili ka qenë roli i Ministrisë së Arsimit në kohën kur janë dhënë këto doktoratura, ka pasur kontroll nga ky institucion?

Në ato kohë ka qenë komplet indiferente. Është kontaktuar nga unë dhe nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj. Ka qenë nën petkun e autonomisë së universitetit dhe nuk ka ndërhyrë. Në mënyrë indirekte ka qenë bashkëpunëtore e këtij fenomeni, pasi nuk ka kryer detyrimet ligjore.

Si merrej një doktoraturë pa meritë?

Shpeshherë pa bërë asgjë ose disa monitorime me rezultate qesharake për të marrë titullin doktor. Doktoratura jepet pasi bëhet kërkimi shkencor, i cili nuk realizohej asnjë herë. Këshilli i Profesorëve ishte i frikësuar dhe në mënyrë formale bënte punën e tij.

Ka ndonjë emër të njohur sot në botën akademike, që ka marrë doktoraturë pa meritë dhe pa kërkim shkencor?

Mynyr Koni, shumicën e publikimeve shkencore i ka në kohën kur ka qenë rektor dhe dekan. Atëherë nuk ka pasur kohë të bëj kërkim shkencor, por kanë qenë servilizma të studentëve apo kolegëve, të cilët i vendosnin emrin kot. Ky fakt mjafton për të diskretituar karakterin e tij akademik dhe kërkimor. Kjo ndodh rëndom në publikimet e sotme, ku kolegët vendosin emra të kolegëve të tjerë, pasi dhe ata do ua vendosin atyre me qellim qe tu rritet numri i publikimeve. Shpesh herë shikon matematikanë nëpër publikime kimistesh apo dhe kimista që merren që nga atomet, vaji ullirit, gëlqerja, raketat. Pra, nuk kanë asnjë kontribut në atë publikim, sepse nuk është fusha e tyre por emrin e kanë vendosur. Nga viti 1988-2012 Koni ka vetëm 8 punime shkencore, kurse nga 2011-2017(kur ka qenë dekan dhe rektor) ka 24 punime sipas schoolar google.

Cila ishte arsyeja që jeni shkarkuar nga puna?

Me arsyen se gjoja kam punuar pa leje pranë Fakultetit të Mjekësisë, por nuk kam punuar asnjëherë. Kjo punë është bërë në mars të 2014-ës dhe unë jam pushuar nga puna në nëntor të 2014-ës, në kohën kur kundërshtova të gjitha këto problematika, sidomos çështjen e sigurisë në laboratorët e kimisë, të cilët janë më keq se në kohën e mesjetës.

Z.Abazi, si e konfirmoni konstatimin tuaj në lidhje me 300 doktoratura që janë dhënë nga katër profesorë për Fakultetin e Infermierisë?

Koni ka qenë Kryetar i Këshillit të Profesorëve të mjekësia, pasi Fakulteti i Infermierisë nuk kishte profesorë tamam dhe mori Konin si kryetar. Ky është personi përgjegjës për ato 300 doktoratura, pasi dekani s’ka punë fare me doktoraturat. Ali Refatllari e ka bërë problem deri në parlament para disa viteve, por për fat të keq prokuroria e mbylli çështjen kundër dekanit të atëhershëm. Ato 300 doktoratura janë skandali më i madh i sistemit të doktoraturave, pasi i bie që profesorët kanë udhëhequr mbi 50 doktoratura për njeri, i cili merrte si rrogë 180000 mijë lekë të reja.

Ku i mbështesni këto akuza që pohoni?

Koni ishte shok i mire i dekanit te atëhershëm, pasi njiheshin që kur sillnin studentë shqiptare në Universitetin e Mjekësisë. Ata që nuk kishin fituar dot konkursin, iknin dhe regjistroheshin ne mjekësi, ndërsa Koni që atëherë ishte drejtor i kurrikulave në Rektorat i regjistronte te farmacia apo mjekësia. Prandaj dhe shumë profesorë të nderuar të asaj kohe, si Enver Mustafa ikën fare nga Universiteti i Mjekësisë, sepse nuk ishin dakord me këto manipulime, nuk ishin dakord kur shikonin studentët, që i kishin nxjerrë nga dera si të paafte futeshin nga dritarja.

Ka të punësuar në Arsimin e Lartë ndonjë nga këta 30 emra, të cilët kanë përfituar doktoraturë të pa merituar?

Po, ky është absurditeti, pasi ishin më të preferuar se ata që kanë bërë doktoraturë jashtë vendit. Madje e kanë pasur rrugën e hapur për të marrë tituj të tjerë si; profesor i “asociuar” apo “profesor”. Cilësia e doktoraurave nuk ka qenë asnjëherë kërkim shkencor. Punësimet janë njohjet personale, kush paguan kafen e mëngjesit ose kush jep 10 mijë euro për një vend punë. Shumë rrallë janë angazhuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës studentë që kanë përfunduar jashtë.

“Duhen dekada për të riparuar dëmin e shkaktuar nga korrupsioni në arsim”

Ish-dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, tha gjithashtu, se asnjë nuk guxonte që të reagonte te Ministria e Arsimit për fenomenin e doktoraturave të paligjshme, pasi Koni ishte i mbrojtur nga miqësia që kishte me Nikollën, si shokë të një brezi, tha ai.

Ministria e Arsimit nuk kundërvihej, pasi Koni dhe Nikolla kanë qenë shokë shkollë bashkë. Vjedhja apo korrupsioni edhe mund të falen në një vend të korruptuar si i joni, por kurrsesi në arsim. Vetëm Fakulteti i Shkencave të Natyrës përgatit mësues për shkollat fillore dhe të mesme, në fushën e matematikës, fizikës, kimisë, biokimisë dhe informatikës.

Këta sjellin në universitet studentët më të dobët, të cilët në radhën e tyre do bëhen mësues akoma më të dobët. Dhe cikli shkon poshtë e më poshtë. Është mënyra më e mirë të shkatërrosh një komb dhe këta drejtues e kanë bërë. Duhen dekada për ta riparuar këtë dëm. Duhet vënë dorë menjëherë në arsim, nuk duhet prekur, nuk duhet komprometuar. Turp për ata pseudo drejtues Universitar.

Raporti i vitit 2013 për pranimet e kandidatëve doktorantë. Ja përjashtimet

Sipas një procesverbali të mbajtur me datë 05.04.2013 në mbledhjen e Këshillit të Profesorëve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, bëhet vlerësimi i kritereve për kandidatët doktorantë. Në takimin e mbajtur mes profesorëve të këtij fakulteti bëhen disa përjashtime për kandidatë të caktuar, të cilët nuk i plotësojnë kriteret e pranimit për doktoraturë. Prof.Tefta Rexha në Departamentin e Biologjisë, citon në raport, se në përzgjedhjen e kandidatëve ka rëndësi pozicioni i punës dhe jo mesatarja e tyre, e cila është e ulët. “Neve si komision përzgjedhës për këta dy kandidatë, të cilët janë me mesatare pak të ulët, por kanë një pozicion punë mjaft të favorshëm e kemi konsideruar këtë si një kriter me rëndësi”, shprehet ajo.

Ndërsa Theodhor Kraja, sqaron se nuk është bërë asnjë tolerim për përzgjedhjen e kandidatëve doktorant, por duhet më shumë kujdes me koeficientin, i cili nuk është shumë i saktë theksoi profesori. “Në përzgjedhjen e kandidatëve për studimet në doktoraturë, ne kemi përzgjedhur kandidatët më të mirë dhe nuk kemi bërë asnjë tolerim, por kisha për të sqaruar disa gjëra që na kanë rënë në sy, si; një kandidat me mesatare 9.3 te Msc dhe 8.3 te Bachelorit ose 7.5 te Bachelorit dhe 8.2 te Msc, del koeficienti 2, ndërsa për ata që kanë mbaruar DIND penaliteti është i madh.

Prandaj mendoj se vitin tjetër duhet parë më mirë pikëzimi pasi, koeficienti 4 me 2 nuk është shumë i saktë”. Një tjetër profesor i cili merr fjalën në këtë takim është edhe Fatmir Hoxha, ish-zëvendës dekan për ciklin e tretë të studimit në FSHN, i cili thotë, se kandidatët në këtë departament janë të rregullt me përjashtim të dy raste, të cilët janë në limitin e pranimit për programet e doktoraturës, me mesatare 7.55 dhe 7.65. “Përsa i takon kandidatëve fitues të doktoraturës të paraqitura nga departamentet përkatëse ato janë të rregullta dhe në përputhje të plotë me kriteret e vendosura në përjashtim me përjashtim të dy rasteve siç janë; dy kandidaturat nga Kosova, Zenel Krasniqi dhe Nasuff Abdii, të cilët janë në limitin e pranimit në programet e doktoraturës, për shkak të mesatares së tyre, respektivisht me mesatare 7.55 dhe 7.65.

Po kështu kemi edhe një ndërrim vendesh të kandidatit Ervin Murati nga Departamenti i Kimisë në atë të Kimisë Industriale. Ai ka aplikuar na dy departamente, por pagesën e ka bërë për Kimi Industriale, prandaj do të jetë fitues në këtë departament”, shprehet Hoxha. Ndërsa ish-dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës z.Mynyr Koni, bën me dije, se kusht për pranimin e doktorantëve është mesatarja, e cila nuk duhet të jetë më pak se 8.5, tha Koni. “Doja t’ju sqaroja se diploma bachelor nuk është kusht, ndërsa mesatarja 7.5 është kriter përjashtues dhe jo më pak se 8.5 te Msc-ja. Janë të dyja diplomat dhe ulja e notës mesatare të bachelorit është sugjerim, pasi kandidatët kanë një kualitet të ulët, prandaj duhet që kjo mesatare të jetë mbi 7.5”. Në fund të takimit Këshilli i Profesorëve konfirmon kandidatët fitues, duke i konsideruar të një niveli të mirë dhe se procesi i vlerësimit nuk ka pasur probleme, shprehet Xhezahir Teliti. “Konfirmoj fituesit në programet përkatëse, kanë fituar kandidatët më të mirë dhe se nuk kanë pasur probleme”.

Kule: Nuk përbën kusht mesatarja, por pozicioni i punës. Në Shqipëri ka patur falsifikim notash

Dekani i Fakultetit Ekonomik Dhori Kule, tregon në një intervistë për “Shekulli”-n mënyrën e vlerësimit të doktorantëve në vitin 2013-të, duke analizuar edhe raportin e doktoraturave të këtij viti, sipas të cilit ka pranime kandidatësh me mesatare të ulët. Ai tha, se mesatarja nuk përbënte kusht pranimi për kandidatët, pasi shikohej pozicioni i punës dhe ka pasur pranime me mesatare të ulët. Mjafton të ishte pedagog dhe të kishte një punë në fushën kërkimore, shprehet Kule. Ndërsa, nuk mohon edhe mundësinë e falsifikimit të notave nga fakulteti dhe dekani, duke mashtruar edhe vetë rektorin. Z. Kule, Me çfarë kriteresh justifikohej kandidati me mesatare poshtë notës tetë? Për rastet e doktoraturave kam pasur një udhëzim të ministrisë që rekomandonte pranimin e kandidatëve me mesatare mbi notën 8.

Ndërsa në rastet, kur kandidaturat dilnin poshtë notës 8 Këshillat e Profesorëve kishin detyrimin ta justifikonin, se pse e donin këtë kandidat. Varej nga profili se nga vinte kandidati dhe Këshilli i Profesorëve, i cili ishte organi që merrej me doktoraturat e kishte këtë kompetencë. Mund të ketë ndodhur që ka deklaruar se ka qenë me mesatare të lartë, por në realitet mund të ketë qenë me mesatare të ulët. Këtu mund të jetë problem falsifikimi i propozuesit . Në një raport të vitit 2013-të i Këshillit të Profesorëve pranohen kandidatë me mesatare të ulët për doktoraturë. Si e justifikoni këtë nivel pranimi? Kjo duhet investiguar, sepse te unë kandidatët i kanë dërguar me mesatare, por nëse Këshilli i Profesorëve ka falsifikuar mesataren ka bërë shkelje të rëndë. Rektori ka detyrimin jo t’i besoje, por t’i vendosë para përgjegjësisë organet që merreshin me këtë punë.

Ata kanë përgjegjësi ligjore para ligjit dhe nëse ka ndodhur që në Këshillin e Profesorëve kanë kaluar pa arsyetim kandidat me mesatare të ulët, poshtë notës tetë, ata kishin detyrim ligjor që t’i argumentonin këto raste. Mund të ishte dikush që kishte bërë kërkime shkencore dhe kishte mesataren shtatë, ndërsa Këshilli i Profesorëve thoshte, se; “ky kandidat pranohet pavarësisht nga mesatarja, pasi në këto kushte e ka bërë bachelori-n dhe ka një punë me natyrë shkencëtari”. Këshilli i Profesorëve ishte i pavarur nga Rektorati dhe Dekanati në përzgjedhjen e kandidateve për doktoraturë? Këshilli i Profesorëve çdo veprim e bënte në bashkëpunim me dekanin dhe materialin që trajtonin e merrnin nga dekani. Mund të ndodhte që dekanati t’i dërgonte dokumente të falsifikuara dhe Këshilli i Profesorëve i miratonte. Pra, mund të mos jetë fajtor ky këshill. Në redaksinë tonë ka ardhur një denoncim nga ish-pedagogu i Fakultetit të Shkencave të Natyrës z. Sokol Abazi, i cili pohon, se “në listën e doktorantëve të vitit 2013-të janë shtuar edhe 30 emra pa plotësuar asnjë kriter pranimi, por në këmbim të lekëve”.

Është e vërtetë? Denoncuesi ka një problem me fakultetin dhe është i pushuar nga puna për një problem madhor dhe që është dërguar në prokurori si rast. Këshilli i Profesorëve nuk ka frikë nga askush dhe nuk pyesnin askënd. Por nëse dekani i ka dërguar material të falsifikuar Këshillit të Profesorëve, kjo është tjetër gjë. Sipas ju si ka qenë cilësia dhe niveli i doktoraturave në vitin 2013-të? Cilësia e doktorantëve vlerësohej nga specialistët. Doktoraturat i bënin ata persona që ua kërkonte vend i punës. Pedagogu e kishte kusht, që nëse donte të mbante vendin e punës, duhej të vazhdonte ciklin e tretë të studimeve. kontingjenti i stafit akademik bënte doktoraturë. Nëqoftëse ka ndodhur që ndonjë kandidati i është falsifikuar informacioni, kjo është e rëndë. Falsifikime në listat e notave ka pasur në Shqipëri. Unë nuk vë dorën në zjarr që nuk ka pasur falsifikime, pasi një kandidat mund ta ketë falsifikuar dokumentacionin dhe e ka dërguar në fakultet, i cili e ka pranuar. Nëse mua më vjen nga fakulteti një kandidat me mesatare nëntë, por të falsifikuar, unë do ta pranoj si të tillë dhe nuk mund ta vlerësoj nëse është mashtrim. Nuk e mohoj se një gjë e tillë edhe mund të ketë ndodhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet