S`ka Drejtues të Parë, policia merr në konkurs policët që akuzohen për drogë!

Publikuar më 13. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

Nga policia e drogës pritet të dalë drejtori i ri i Policisë së Shtetit. Askush nuk di të thotë se si mund të vërtetohet pastërtia e figurës së një efektivi që do të vihet në krye të kësaj drejtorie kur në listën e SHISH dhe të policisë italiane gjenden emrat e thuajse pjesës më të madhe të të gjithë drejtuesve të policisë. Ashtu si edhe në rastin e Burgjeve edhe për rastin e zgjedhjes së drejtorit të Policisë në vend thuhet se do të aplikohet një konkurs ku iu lihet vetëm 3 ditë kohë aplikantëve të depozitojnë dokumentacionin për tu pranuar.

Edhe pse ka disa kritere që duhen të përmbushen nga ana e kandidatëve gjithsesi duket se gjithçka sërish do i lihet në dorë kreut te qeverisë ose të ministrit të brendshëm. Janë tre-katër emra që lakohen publikisht, më shumë si elementë për të përmbushur “misionin” e zhvillimit të një gare, ndërkohë që bëhet me dije se përveç mikut të Edi Ramës, në garë pritet të jetë kryepolici i Shkodrës, gruaja që drejton Kufirin, por edhe një emër nga Qarkullimi Rrugor. Sipas të dhënave jo zyrtare bëhet me dije se personi që do të marrë kreun e policisë tashmë dihet në qarqet afër kryeministrit, por vetëm pritet të bëhet procedura që është e përcaktuar me ligj!

Konkursi

Policia e Shtetit ka nxjerrë një urdhër për hapjen e konkursit që mundëson marrjen e gradës “Drejtues i Parë”. Gradë i duhet çdo kandidati për t’u zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në konkursin e hapur me urdhër të drejtorit të komanduar të Policisë Rebani Jaupi, theksohet se janë 5 vende të lira për gradën “Drejtues i parë”. Konkursi do zhvillohet nga Akademia e Sigurisë dhe deri në datën 16 janar aplikuesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin për të fituar gradën.

Pas dorëzimit të dokumentacionit në datën 16 janar, pritet që brenda dy javësh të shpallen fituesit. Deri më tani, për Drejtor të Policisë së Shtetit përfliten disa emra. Urdhri specifikon që janë vetëm 5 vende që kanë këtë gradë të lartë. Konkursi është hapur për të graduar një oficer policie që do të pasojë në detyre ish-drejtorin e Policisë se Shtetit Haki Çako, i larguar nga kjo detyrë.

Drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit Rebani Jaupi ka urdhëruar hapjen e procesit të konkurrimit për fitimin e kësaj grade policore, gradë që në fakt aktualisht e ka vetë drejtori i komanduar! Nga burimet policore herë pas herë është folur për disa emra si Ardi Veliu, Drejtori i Policisë së Tiranës, Agron Sojati, ish-drejtor i anti-terrorit, aktualisht këshilltar për sigurinë në Kryeministri dhe Gjovalin Loka, kryepolici i Shkodrës.