Situata në pikat kufitare, policia shqiptare sqaron: Kolegët grekë na siguruan se…

Publikuar më 04. 11. 2017 nga Elidona Syla

Lidhur me situatën e krijuar në Pikat e Kalimit Kufitar për në Greqi, ka reaguar Policia e Shtetit, e cila ka dhënë një sqarim.

Policia e Shtetit ka njoftuar se policia Kufitare ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me policinë kufitare greke, ku nga komunikimi me autoritetet policore greke rezulton se: “Që prej mbrëmjes së djeshme, sistemi kompjuterik i palës greke ka shfaqur probleme teknike deri në bllokimin e plotë të tij”.

“Sistemi kompjuterik është bllokuar për shkaqe teknike, jo vetëm në kufirin më Shqipërinë, por edhe me shtetet e tjera si me Maqedoninë, Turqinë dhe Bullgarinë.

Për këtë arsye shtetasit që nuk kanë dokument udhëtimi të një vendi të BE-së e kanë të pamundur të kalojnë deri në rregullimin e defektit në sistem.

Policia Kufitare ka mbajtur kontakt të pandërprerë me Policinë greke, ku është marrë përgjigje se po punohet për rregullimin sa më shpejt të sistemit.

Pala greke pretendon se deri sot pasdite ky defekt të rregullohet dhe të filloje lëvizja e qytetarëve me funksionimin normal të sistemit”, deklaron Policia e Shtetit.

Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të drejtuesve të mjeteve që të mos dynden në pikat e kalimit duke krijuar radhë e konfuzion, pasi me të marrë njoftim nga pala greke për rregullimin e sistemit, do t’ju njoftojmë nëpërmjet medias dhe rrjeteve sociale”, njofton Policia e Shtetit.