Sillet me urgjencë në Tiranë një nga nxënësit e asfiksuar në Bulqizë

Publikuar më 17. 11. 2017 nga Bleona Metushi

Njëri prej nxënësve që u asfiksuan nga rrjedhja e gazit në shkollën e Shupenzës në Bulqizë, po transportohet me helikopter në kryeqytet.

Ngjarja ndodhi paraditen e sotme, kur testimi i sistemit të ngrohjes me pelet, për pak sa nuk ka shkaktuar tragjedi në shkollën 9-vjeçare. Gjatë provës, ka pasur rrjedhje gazi nga kaldaja e godinës, duke shkaktuar asfiksi te nxënësit e 9-vjeçares.

Kaldaja e shkollës 9-vjeçare u provua sot për herë të parë në kohën kur nxënësit po zhvillonin mësimin.
Rrjedhja e gazit ka qenë e madhe dhe ka shqetësuar të gjithë fëmijët, me dhimbje koke dhe të vjella e disa dhjetëra prej tyre kaluan në gjendje më të rëndë.

Bashkë me prindërit e shqetësuar kanë mbërritur mjekët dhe policia, e cila ka nisur hetimet për shkakun dhe përgjegjësit për këtë ngjarje që mund të kishte shkaktuar tragjedi.

Njoftimi i policisë

Në vijim të informacionit paraprak ku bën fjalë për disa nxënës të një shkolle të mesme që janë asfiksuar si pasojë e tymit të shkaktuar nga kaldajat ju informojmë se :

34 nxënës po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Bulqizës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

25 nxënës po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Peshkopisë, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Një nxënese me inicialet A.M, 16 vjeçe, është nisur me helikopter drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar.