Sigurim i detyruar për banesat, sa do jetë taksa e re

Publikuar më 05. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Në mungesë të fondeve për përballimin e katastrofave, kryeministri Edi Rama propozon taksë të re për sigurimin. Ligji, i cili nuk gëzon mbështetje aplikohet vetëm në 4 vende evropiane. Çfarë parashikon nisma

Përmbytjet e ditëve të fundit dhe mungesa e fondeve për emergjencat civile kanë risjellë në vëmendje projektligjin e sigurimit të detyrueshëm të banesave. Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile ka hedhur pikërisht këtë ide. “Përparësi do të ketë marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneseve nga përmbytjet. Jemi ende i vetmi vend që nuk ka një masë të tillë në ligj dhe ku pastaj njerëzit e prekur mbeten në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga buxheti i shtetit që nuk mund të përballojë gjithçka e gjithmonë dhe pse këtë herë, sigurisht që do t’i përballojmë si dhe herën e kaluar të gjitha detyrimet që burojnë nga kjo krizë e rëndë”, tha kryeministri. Por iniciativa e kryeministrit, e kundërshtuar nga ekspertët, ka më shumë se një vit që është projektuar, por nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është pezulluar.  Në rast, kryeministri i qëndron këtij projekti, i cili ka marrë dhe bekimin e Bankës Botërore, atëherë çdo familje shqiptare duhet të paguajë një taksë të re të shtuar në shumën që varion 40-50 euro.

Primi

Sigurimi i detyrueshëm i banesave përkon me pagesën e një police vjetore, me detyrim, në mënyrë që në rast katastrofash nga tërmetet apo nga përmbytjet, qeveritë të dalin garant për dëmshpërblimin e banesave të shembura apo dëmtuara.  Sipas propozimit, shuma e siguruar duhet të jetë e barabartë me kufirin e saj të detyrueshëm i cili përcaktohet sipas vlerës së pronës dhe formulës që duhet të përkojë me të. a. E barabartë me produktin e sipërfaqes në m² dhe çmimit për m² të pronës së sigurueshme, referuar më poshtë si produkt, nëse një produkt i tillë është jo më pak se 1,500,000 lekë dhe jo më shumë se 6,000,000 lekë. b. E barabartë me 1,500,000 Lek, nëse produkti është më i ulët se 1,500,000 Lek. c) E barabartë me 6,000,000 Lek, nëse produkti është me i lartë se 6,000,000 Lek. ku çmimi për m² i një sigurimi prone përcaktohet si: 120% e kostos mesatare të zëvendësimit për m² për banesat e Ndërtimit të Tipit A dhe 90% e kostos mesatare të zëvendësimit për m² për banesat e Ndërtimit të Tipit B. Projektligji përcakton se shuma maksimale për kompensim prej sigurimit të detyrueshëm nga katastrofat, për të gjitha humbjet e shkaktuara ndaj pronës së siguruar si pasojë e një ndodhie të vetme të përmbytjes, nuk e tejkalon gjysmën e shumës së siguruar të përcaktuar në policën e sigurimit.

Qendra

Ndryshe nga siguracioni i mjeteve, ku janë disa kompani që operojnë, projektligji për dëmet në banesa parashikon ngritjen e një Enti që do të përgjigjet për të gjitha rastet që nga vlerësimi i riskut e dëmeve deri te pagesat. Është pikërisht neni 13, ai që referon se do të jetë “Qendra shqiptare e sigurimit nga Katastrofat, si një entitet juridik publik jo-fitimprurës, i cili vetëfinancohet nga primet e sigurimit, me menaxhimin e pavarur, aftësitë teknike dhe administrative, e krijuar ekskluzivisht për qëllim të kryerjes së veprimtarisë së sigurimit të detyrueshëm të banesave nga tërmeti dhe nga përmbytjet në bazë të dispozitave të këtij ligji. Qendra krijohet si një entitet unik dhe qendror, me seli në Tiranë.

Si aplikohet në botë
Të pakta janë shtetet, të cilat kanë miratuar ligj për sigurimin e detyrueshëm të banesave. Në rastin e Evropës, vetëm Franca, Polonia, Zvicra dhe Islanda e kanë të detyrueshëm sigurimin e pasurive ndaj fatkeqësive natyrore. Në Francë sigurimi i detyrueshëm ndaj katastrofave natyrore është justifikuar me ndjenjën e solidaritet kombëtar. Në Zvicër, sigurimi i detyrueshëm ndaj katastrofave përfshin vetëm mbrojtjen ndaj stuhive, përmbytjeve dhe dëborës (pra vetëm për ato kushte klimaterike të cilat janë problematike për vendin) dhe jo nga tërmetet. Në Islandë është i detyrueshëm vetëm sigurimi ndaj zjarrit, por ai ofrohet vetëm si pjesë e paketës së mbrojtjes ndaj katastrofave natyrore. Polonia e ka të detyruar sigurimin e pronës. Ndërkohë, Rumania ka të detyrueshëm sigurimin e ndërtesave dhe jo të pasurive të tjera. Edhe në botë sigurimi është i detyrueshëm në pak vende. Nuk e kanë as SHBA-të ku fatkeqësitë natyrore, veçanërisht uraganet, janë ndodhi e zakonshme, as Japonia ku të zakonshëm janë tërmetet.