Siguria kibernetike, mbahet edicioni i tretë i Infocom Albania

Publikuar më 09. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

I kthyer tashmë në  traditë, edicioni i tretë i Infocom Security Albania, përveçëse ndau përvoja të vlefshme informacioni  për sigurinë kibernetike, dhuroi një spektakël të vërtetë dje në mjediset e hotel “Plaza”. Me pjesëmarrjen e  kompanive më të rëndishme në vend dhe afro 600 të rinjëve, në aktivitetin e Infocom Albania, ekspertë me emër folën për risitë teknologjike në luftën kundër hackerave. Aktivitetin e hapi Erton Graceni,  drejtor Ekzekutiv i Infocom, i cili trajtoi temën e përdorimit të internetit nga fëmijët, duke sjellës si shembull lojën e rrezikshme “Blue Ëhale” ose “Balena Blu”, nga e cila shumë fëmijë janë vetëvrarë ose kanë rrezuluar jetën.

“Duam të jemi të sigurt që përdorimi nga ana e fëmijëve të jetë i sigurt, pasi fatkeqësisht nuk ka rezultuar përherë i tillë. Rasti më i fundit ishte loja e quajtur Balena Blu, nga e cila shumë fëmijë u vetëflijuan, por ka dhe të tjera, të cilat duhet t’i luftojmë. Ndërkohë, Anila Hoxha, menaxhere sigurie në banka, foli për epokën dixhitale, nga e cila është e pamundur të shmangemi dhe solli në vëmendje piratimin e ATM-ve, të cilat janë vjedhuar vetëm me anë të një telefoni në shumë raste.

“Fjala e ditës sot është dixhitalizimi dhe kjo tani është realitet në tregun tonë. 14 nga 16 bankat e vendit sot ofrojnë shërbime që janë online. Dixhitalizimi është me ne dhe ne operojmë në mënyrë dixhitale. Preferojmë që të përdorim këtë mënyrë interndërveprimi për të kursyer kohë, për eficencë. Në një treg me moshë mesatare të re, jemi të prirur ndaj përdorimit të tekonologjisë. Sfida më e madhë me të cilën përballemi me klientët është fakti që shërbimi duhet të jetë i përdorshëm”,  tha Hoxha, duke shtuar se  kjo shton presionin e punonjësit të sigurisë për të garantuar kontrollet e nevojshme që shërbimi të jetë i sigurt dhe në të njëjtën kohë klientët duan ta përdorin.

Sipas Hoxhës, “shërbimet duhet të jenë të lehta në përdorim dhe përdoruesit duhet të regjistrohen lehtësisht dhe të jenë të sigurt. Kjo do të thotë se ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’i identifikuar klientët tanë pa i besdisur të vijnë në bankë online në një mënyrë të sigurt. Ne duhet të përdorim të gjitha kontrollet me informacionin që na ofron teknologjia në mënyrë që klienti të marrë shërbimin e besueshëm. Por, presioni shtohen në mënyrë të vazhdueshme nga jashtë.

Raportet e ekspertëve në fushën e sigurisë së informacionit tregojnë që në vitin 2016 kishte një ngritje të menjëhershme të sulmeve të targetuara ndaj bankave e  ATM-ve, ku kjo e fundit nxjerr të gjitha monedhat që ka vetëm përmes një telefonate apo virusi. Kjo na detyron të bëjmë një ekosistem parandalimi dhe të punojmë  njëkohësisht në background me kontrollet detektuese”.

Fjalën për tema që kanë të bëjnë me dilemat kibernetike, sigurinë e korporatave etj., e morën dhe shumë ekspertë vendas e të huaj, të cilët referuan në bashkëbisedim me pjesëmarrësit temat e tyre. Në fund njëri prej të pranishmëve ishte më fatlumi, pasi përveç përvojës që fitoi nga akitiviteti, në shorteun që kompania hodhi, u bë fitues i një telefoni celular.