Si të mbrohemi nga tërmeti

Publikuar më 04. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Edhe pse të paparashikueshëm e me fuqi shkatërrimtare, ka disa mënyra për t’u ruajtur në rast tërmetesh.

Specialistët këshillojnë që gjëja e parë që duhet të bëni është të futeni poshtë tavolinës. Në rast se nuk keni një të tille afër, uluni në gjunjë dhe mbroni kokën dhe qafën me krahët tuaj.

Duhet shmangur patjetër qëndrimi pranë mureve, pasqyrave, mobiljeve të larta  dhe objekteve me shumë xham.

Në rast se jeni në krevat, qëndroni aty pa lëvizur dhe mbrojeni kokën me jastëk.

Nëse jeni në karrocë, kyçini rrotat e saj dhe qëndroni në vend ndërkohë që e mbroni kokën dhe qafën me duar.

Nëse jeni jashtë shtëpie, gjeni një vend të sigurt ku të mos ketë afër pemë, ndërtesa, automjete etj.

Nëse jeni në makinë, ndaloni; sigurohuni që nuk keni parkuar poshtë ndonjë peme apo shtylle.

Në rast se ndodheni në ndërtesa të larta, qëndroni aty dhe mos përdorni ashensorët. Qëndroni sa më larg dritareve dhe zonave të tjera të rrezikut. Këshillohet qëndrimi poshtë brezave të dyerve.

Nëse jeni në stadium ose teatër, qëndroni ulur në stolin tuaj dhe mbroni kokën me duar. Qëndroni ashtu derisa lëkundjet të kenë përfunduar.