Si qytetar global paqedashës

Endri Axhi

Me lindjen e njeriut si qenie e arsyeshme, “homo sapiens”, fillon edhe organizimi i shoqërisë njerëzore. Thënia e Aristotelit se njeriu është “kafshë politike” shpreh qartë prirjen e njerëzve për të jetuar së bashku në paqe me njerëz të tjerë. Po Paqja çfarë është ?

Paqja është koncepti i mirëqenies harmonike dhe lirisë nga agresioni armiqësor. Në kuptimin social, zakonisht përdoret për të nënkuptuar mungesën e konfliktit (si lufta) dhe lirinë nga frika e dhunës ndërmjet individëve ose grupeve heterogjene (relativisht të huaja ose të dallueshme).

Kjo prirje, të cilën Aristoteli, e cilësonte si të natyrshme, buron në të vërtetë nga pamundësia e njeriut të izoluar për të përballuar jetesën, për të plotësuar disa kërkesa të tij. Këto kërkesa, të cilat, siç e tregon zhvillimi historik, kanë qenë dhe janë gjithmonë në rritje, mund të plotësohen vetëm në mënyrë kolektive, d.m.th nga një shoqëri e organizuar. Njeriu, si qenie e vetëdijshme, e kuptoi se sa ishte e dëmshme gjendja e luftës së të gjithëve kundër të gjithëve dhe vendosi që kësaj gjendjeje t’i jepte fund. Njerëzit nëpërmjet një kontrate krijuan shtetin, i cili i dha fund kësaj lufte të përgjithshme dhe të ndërsjelltë. Por ashtu si çdo kontratë e ka një fund edhe kësaj gjendjeje nuk i dihet rezistenca. Nuk e dimë luftën e tretë botërore por me siguri e katërta do jetë më shkopinj dhe gurë. Por gjithçka nis brenda nesh, brenda Unit tonë për të arritur në destinacionin e idesë së ne i përkasim njeri-tjetrit. Ata që janë në luftë me të tjerët nuk janë në paqe me veten e tyre. Dhe nëse nuk kemi paqe është sepse kemi harruar që i përkasim njeri tjetrit.

Moon thotë:- ” Ka ardhur koha t’i kthejmë shpatat në plugje dhe heshtat në drapinj. Të mbjellim e korrim frytet tona, jo të shkulim e te shkundim frytet e botës njerëzore. Nuk vritet vetëm jeta në luftë. Nëse nuk përfundojmë luftën, ajo do të na përfundojë ne. Kërkimi i paqes fillon në vetvete, në shtëpi, në shkollë dhe në vendin e punës. Nëse këto funksionojnë ateherë në vetvete paqja është globale. Si student i shkencave Natyrore dhe Humane di se ajo që shohim varet nga pozicioni ku ndodhemi. Falë Galileut jemi në gjendje të themi se ndonëse Hëna dhe Dielli duken me të njëjtat përmasa nga Toka, nëse do të ishim në Hënë nuk do mund ta pohonim diçka të tillë. Të ndryshosh vendndodhjen është një mënyrë e mirë për të parë gjërat ndryshe, për të zbuluar të fshehtat, për të zgjeruar e thelluar vëzhgimin dhe, mbi bazën e tyre, për të ndryshuar zgjedhjet e besimin. Moon thekson se duke lëvizur nga një shtet në tjetrin, duke takuar personalitete dhe njerëz të thjeshtë në të katër anët e botës, mund të arrijmë thelbin e një qytetari global paqedashës. Në Ditën Ndërkomëtare të Paqes dhuna dhe luftërat duhet të ndalen të paktën për një ditë. Në ditën e sotme, popujt e Tokës duhet t’i zgjidhin problemet ndërmjet bisedimeve. Të jenë qytetarë globale paqedashës.

Të drejtat dhe liritë e njeriut patjetër duhet të respektohen. Ushqim dhe arsimim duhet patjetër t’i jepet çdo fëmije në botë. Çdo individ meriton të jetojë në paqe dhe me dinjitet. Është dëshpëruese kur shohim se kjo duket si një ëndërr, megjithëse mund të realizohet fare lehtë. Qendra për Liri, organizatë për të drejtat dhe liritë e njeriut, për paqe dhe kontroll mbi armët, u bashkangjitet njerëzve paqedashës në kërkesat e përbashkëta për paqe në botë. Sot, çdo qenie njerëzore duhet të japë kontribut për tejkalimin e urrejtjes, paragjykimeve, kultit ndaj armëve, nacionalizmit dhe dhunës. Paqja në sensin psikologjik pasqyron një gjendje të shëndetshme të qetësisë dhe harmonisë. Sot shpenzimet për armë tejkalojnë çdo shpenzim tjetër.

Nuk e kuptoj pse vazhdojmë prodhojmë armë kur themi se nuk duam Luftë! Pse mos prodhojmë avionë, mjete të tjera falas, t’i vëmë në përdorim të ” Njeriut që do të shohë Botën”. Fundja gjithçka e kemi vetë në dorë. Çdo kush do jete ne gjendje te shohë në mënyrë reale gjithçka. Teknologjia është virtuale, jo çdo gjë që duket është reale. Të shpallim një udhëtim global sepse bota nuk përfundon me horizontin tonë. Ne duhet të shohim të kuptojmë botën në përgjithësi, vetëm në këtë mënyrë arrijmë paqen. Albert Einstein ka thënë “Paqja nuk mund të arrihet me forcë; kjo mund të arrihet vetëm nga të kuptuarit. ”Në duhet të kujtojmë se paqja nuk është dhuratë e zotit për krijesat e tij; paqja është dhuratë jone për njëri-tjetrin.

Njё gazetar e pyeti njёherё Nёnёn Terezёn, “Çka duhet tё ndryshohet nё kishё? ”Ajo u pёrgjigj: ”Unё dhe Ti” Pra paqja ka nevojë për një autostradë, një autostradë e cila nis punimet tek Unë dhe mbaron tek Ti. Ja pra të dashur bashkëudhëtarë kaq mjafton për të qenë një “Qytetar global paqedashes”. Autostrada nga unё tek ti.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet