Si po i harron dhe injoron Kosova viktimat e luftës

Nga Enver Robelli

Në vitin 2019 do të bëhen dy dekada që nga masakrat e mëdha në Kosovë të kryera nga policia, ushtria, paramilitarët, serbët lokalë dhe mercenarët e ndryshëm sllavë. Dëshmitarëve të krimeve po u zbehet kujtesa, disa prej tyre, për fat të keq, nuk janë më gjallë, gjeneratat e reja po rriten me rrëfime patetike për betejat legjendare, ndërsa autorë të dobët shkruajnë libra për “romantikën e luftës”. Nuk ka romantikë në luftë. Në luftë derdhet gjak, në luftë viktimë e parë nuk është e vërteta, por civili. Në pamundësi për t’u ballafaquar me forcat e NATO-s, trupat kriminale serbe goditën civilët shqiptarë të Kosovës.

Pranvera është stina më e dhimbshme e Kosovës. Për çdo vit ka disa organizime modeste në kujtim të atyre ditëve të llahtarshme të vitit 1999. Nga Prishtina aradhet e politikanëve me kostume të shtrenjta dhe vetura të zeza edhe më të shtrenjta, të shoqëruar me gorilla me syze të zeza, shkojnë sa për sy e faqe në vendet e krimit, shkojnë në Izbicë, Rezallë, Krushë të Madhe e Krushë të Vogël, në Mejë, mbajnë për çdo vit fjalimet e njëjta patetike dhe kthehen furishëm në kryeqytetin e Kosovës për të vazhduar “punën për Kosovën”. “Puna për Kosovën” është sinonim i korrupsionit, krimit dhe cinizmit të pasanikëve të rinj, të cilët e kapitalizuan luftën si të ishte ajo një bursë.

Në këtë bursë gjithçka sillet rreth parasë, intrigave, mashtrimeve. Dokumentimi i krimeve nuk është bërë në mënyrë profesionale nga shteti i Kosovës. Shumë nisma private janë gjysmake. Në vitin 2011 u themelua me vendim të qeverisë Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, por edhe sot, në vitin 2018, ky institut nuk ka një ëebfaqe. Së paku një e tillë s’mund të gjendet nëse kërkoni në Google. Ka disa lajme që ky institut ka botuar tri monografi për krimet e Serbisë në Kosovë, por jehona e këtyre botimeve nuk i ka kaluar lajmet ditore të çarshisë sonë politike. Sepse lajmet ditore te ne janë triviale – janë një operë sapuni, që shkumëzon çdo ditë për të trullosur opinionin. “Kemi dështuar në dokumentimin e krimeve”, tha para disa ditësh një profesor nga Instituti për Dokumentimin e Krimeve. Ndërkohë një nismë për pajtim e iniciuar nga presidenti i Kosovës ka mbetur në nivel qesharak si shumë punë e nisma të tjera. Sepse këso iniciativash ndërmerren për të “entuziazmuar” bashkësinë ndërkombëtare, për të fituar poenë politikë në zyrat e diplomatëve.

Si mund të ketë nismë për pajtim me dikë – në këtë rast me palën serbe – nëse Beogradi me këmbëngulje refuzon çdo përgjegjësi për krimet e luftës në Kosovë, dhe mijëra e mijëra kriminelë serbë të luftës bëjnë jetën e qetë në Kralevë e Kragujevc? Gjithsesi Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd ka bërë një punë të vyeshme në dokumentimin e krimeve, por kjo punë s’mund të jetë zëvendësim për obligimet që Kosova ka si shtet për të mbledhur faktet mbi historinë e saj të dhimbshme. “E pagojë është vetëm dhuna”, thoshte filozofia hebraiko-gjermane, Hannah Arendt. Është detyrë e të gjallëve që të rikthejnë në kujtesën tonë gjuhën e dhunës të forcave të Beogradit. Por të gjallët, ata që kanë pushtet, janë të zënë me tenderë dhe punë të tjera të pista. Në vend se në prag të 20-vjetorit të masakrave të mëdha të kryera në Kosovë të kemi një libër me nivel të lartë profesional mbi këtë kapitull të errët, një libër që do të ishte i botuar në gjuhët kryesore të botës, neve si dokument valid na mbetet vetëm puna që ka kryer Natasha Kandiqi. Dështimi i institucioneve të Kosovës për të dokumentuar si duhet krimet ecën paralelisht me dështimin e autoriteteve vendore e ndërkombëtare të drejtësisë për t’i gjykuar kriminelët serbë të luftës.

Në qershor të vitit 2012 misioni i BE-së për sundimin e ligjit EULEX njoftoi me bujë se ka nisur një hetim për “njërin prej krimeve më të rënda të luftës” të konflikteve në ish-Jugosllavi. Fjala ishte për krimet në fshatin Krushë e Vogël. Më 25 dhe 26 mars 1999 në Krushë të Vogël u vranë 113 fshatarë dhe të gjitha gratë dhe fëmijët u dëbuan. Sipas “mësimeve” që kishin marrë gjatë shkatërrimit të Bosnjës dhe masakrimit të popullsisë së atjeshme boshnjake edhe në Krushë të Vogël, si në shumë vendbanime të tjera në Kosovë, u plaçkitën prona dhe u dogjën dhjetëra shtëpi. Sipas EULEX-it, deri më tani janë identifikuar 56 të dyshuar për krime të luftës. Në vitin 2018 mashtruesit e EULEX-it po ia dorëzojnë drejtësisë vendore shumicën e akuzave që kanë ngritur kundër disa politikanëve vjedhës të Kosovës. Do të ishte mirë që EULEX-i para se t’i mbyllë portat së paku t’u kërkojë falje banorëve të Krushës së Vogël për dështimin kolosal në ndjekjen e atyre serbëve që vranë e masakruan aq shumë civilë. Për politikanët e Kosovës, ata që kanë pushtet e para, Krusha dhe dhjetëra Krusha të tjera të Kosovës nuk gëzojnë prioritet. Sundimtarët e Prishtinës po i bëjnë milionerë avokatët e huaj për të shpëtuar lëkurën e vet. Këta politikanë edhe në vitin e ardhshëm, në 20-vjetorin e masakrave, do të mbajnë fjalimet e njëjta patetike që i kanë mbajtur që nga viti 1999.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet