Si ndikoi Ligji i Xhibalit në prapambetjen dhe përçarjen në nahije e bajraqe

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Reformat turke të periudhës së Tanzimatit (1839-1876), e përkeqësuan së tepërmi gjendjen ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve sepse ato synonin të forconin pozicionin e tronditur të Perandorisë Osmane. Reformat e tanzimatit ishin përpjekja e fundit e osmanëve për ta ngjallur dhe ruajtur këtë perandori të konsumuar nga pushtimet e gjata dhe nga lëvizjet çlirimtare të kombeve të shtypura e të pushtuara prej sajë. Përmes reformës gjyqësore u përkeqësuan edhe më shumë të drejtat dhe liritë e popullsisë, ndërsa përmes reformës ushtarake u vendos rekrutimi i detyrueshëm i malësorëve në ushtrinë e rregullt osmane për një periudhë që shkonte nga 3 deri në 7 vjet. Gjatë periudhës së tanzimatit, liria dhe të drejtat e njeriut u përkeqësuan edhe shumë për shkak se Perandoria Osmane, u bë edhe më brutale me shqiptarët, u bë edhe më e egër në përpjekjet për të fshirë çdo lloj identiteti e trashëgimie shqiptare në rajon.

Puna shkoi deri në atë pikë sa administrata osmane, nuk e njihte dhe as nuk e pranonte më ekzistencën e kombit shqiptarë e as të gjuhës shqipe. Është koha kur shqiptarët i kishin fshirë nga harta duke i regjistruar dhe shpallur si turq, si grekë, si serbë dhe si latinë. Kjo veprimtari antishqiptare e osmanëve i ka konvenuar aq shumë interesave të zgjerimit të shteteve fqinjë që fituan pavarësinë e tyre më herët se shqiptarët. Në këto kushte, në politikën dhe diplomacinë botërore, për fatin tonë të keq, shqiptarët identifikoheshin dhe trajtoheshin si turq dhe nuk kishin asnjë të drejtë që të shkruanin e të mësonin në gjuhën e tyre amtare. Po në këtë kohë, në hapësirën shqiptare, nga ana e pushtuesve dhe veglave të verbra të tyre, u eleminue edhe ajo pak autonomi krahinore që mëzi ishte ruajtur e që kishte funksionuar gjatë gjithë shekujve të XV-XVIII-të. Njëkohësisht edhe kundërshtitë e shqiptarëve dhe malësorëve në veçanti, janë ndëshkuar shumë më rëndë se në vitet dhe dekadat e mëparshme. Në kushtet e shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ndryshe nga kombet e tjera, elita shqiptare e vrarë dhe dhunuar në mënyrë sistematike, nuk e pati as kurajën dhe as kthjelltësinë e duhur politike mbi të ardhmen e vendit dhe të shtetit. Për pasojë edhe lëvizja jonë çlirimtare, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, qe më e vonuar, më e paorganizuar dhe më e pa orientuar në sfidat dhe në zgjidhjet afatgjata.

Përçarja u thellua edhe më shumë për faktin se, gjatë tanzimatit dhe më vonë, një pjesë e madhe e elitës politike që kishte lindur dhe ishte rritur në Stamboll, nuk lanë gjë pa bërë për eliminimin e çdo personazhi të elitës së mirëfilltë europiane. Dihet fakti që në këtë periudhë janë vrarë e syrgjynosur mbi 2000 intelektual me prirje, veprimtari dhe formim të mirëfilltë europian. Në këtë mënyrë është vonuar, është sakatosur dhe është defaktorizuar edhe pavarësia dhe i gjithë procesi i shtet-formimit shqiptarë. Praktika e njohur e eliminimit, mërzitjes dhe dëbimit të elitave, është përdorur me shumë dinakëri edhe nga Ahmet Zogu. Kjo praktikë e gjatë e vrasjes, persekutimit dhe dëbimit të elitave është përdorur edhe nga komunistët. Kjo traditë e njohur orientale është përdorur dhe po përdoret akoma edhe në këto 29 vitet e tranzicionit me një rrëgjim të pashembullt hibrid otomano-komunist. Në këtë regjim hibrid, situata jonë shoqërore dhe politike ka degraduar deri në atë pikë sa është krijuar përshtypja sikur në Shqipëri, nuk ka nevojë as për dije, as për ekspertizë, as për inovacion, as për projekte politike e shoqërore, as për shkencë, as për arsim dhe as për akademi. Sipas kësaj sjellje anti-vlerë, sa më shumë që të abuzosh e të vjedhësh, sa më i dhunshëm që të jesh, sa më hipokrit, sa më mashtrues e sharlatan që të bëhesh, aq më lartë do të ngjitesh në administratën dhe në institucionet e politike të vendit, aq më shpejt do të pasurohesh dhe aq më shumë do të duartrokitesh.

Në kuadrin e përpjekjeve të mëdha të perandorisë osmane për të mashtruar shqiptarët dhe për të zhdukur tek ata çdo lloj rezistence, uniteti, trashëgimie dhe sjellje shtet-formuese, në vitin 1856, është shpallur dhe ka nisur implementimi i të ashtuquajturit “Ligji i Xhibalit” që kishte për objektiv të “rregullonte” marrëdhëniet midis Portës së Lartë dhe malësorëve të Shqipërisë. Ligji i xhibalit ka qenë dhe do të kujtohet si një tjetër ligj degradues, korruptues dhe tërësisht në shërbim të pushtuesve dhe klaneve antishqiptare. Sipas këtij ligji, bajraku si një funksion administrativ i sajuar nga pushtuesit osman e që në vendet e rajonit ishte zhdukur me kohë, në Shqipëri, jo vetëm që nuk u zhduk por u zhvillue edhe më shumë duke e fuqizuar me financime, me kompetenca të reja e me favore të tjera të gjithanshme. Për të përçarë edhe më shumë banorët dhe krahinat e vendit, për bajraktarët u paracaktue me ligj edhe një pagë e mirë mujore që për fatin e keq ka funksionuar edhe gjatë periudhës së sundimit oriental të Zogut. Me këto ndryshime ligjore, bajraktarëve dhe funksionarëve të tjerë të kësaj strukture të njohur korruptive dhe antishqiptare, iu dha mundësia që të pasuroheshin përmes gjobave që mbajtësit e myhyrit e të vulave otomane vendosnin ndaj atyre që binin në grackën e rregullave otomane të xhibalit.

Me ligjet dhe strukturat e reja të periudhës së tanzimatit, dënimet hakmarrëse ndajë kundërshtarëve shkonin deri atje, ku fiset dhe familjet e personave të padëshirueshëm për sundimtarët dhe administratën otomanë, mund të internoheshin nga fshati apo krahina për në Anadoll apo në vendet e tjera të largëta të ish perandorisë. Në këtë mënyrë, përmes goditjeve dhe dëbimeve të vazhdueshme të popullsisë dhe familjeve qëndrestare të Shqipërisë, është reduktuar kultura dhe mundësia e reagimit dhe qëndresës ndaj së keqës. Dihet fakti që këto ligje dhe reforma antipopullore, janë kundërshtuar me forcë nga popullsia shqiptare. Sjell ndermend që edhe në situatën politike të vitit 1862, për të shuar kundërshtinë dhe për të nënshtruar e dëbuar shqiptarët, Porta e Lartë pati dërguar Maxhar Pashën (Mehmet Ali Pashën) në krye të një ushtrie prej 12 taborësh, me mision zbatimin me forcë të ligjeve dhe reformave të tanzimatit në të gjitha krahinat dhe vilajetet shqiptare. Maxhar Pasha është një pasha osman me origjinë nga Hungaria. Dhe mbahet mend si një pasha i dhunshëm, hakmarrës dhe antishqiptarë, e që është vrarë me 6 Shtator 1878, në Gjakovë. I ashtuquajturi Ligji i Xhibalit, do të kujtohet gjatë si njëri nga ligjet më të këqija të administratës otomane që goditi rëndë strukturat shoqërore autoktone dhe elitën e mirëfilltë evropiane, duke krijuar dhe konsoliduar kudo pushtetin përçarës e të korruptuar otoman të bajraqeve dhe nahijeve, nga ku Shqipëria nuk ka parë dhe nuk do të shohë asnjë të mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet