Si e vramë buxhetin e Tiranës

Nga Edlira Gjoni

Kalimi i Buxhetit të Bashkisë duhet të ishte lajm dite. Për javë të tëra me radhë. Sepse prek xhepat e secilit prej nesh dhe ndryshon për mirë apo për keq qytetin ku tresim të ardhmen. Por siç ndodh rëndom, çështja e buxhetit u politizua, u zhvleftësua, kaloi pa u kuptuar nga shumë prej nesh dhe rendëm tek çështja boshe e radhës, ngarkuar rëndë politikisht. Jetojmë në një fazë fatkeqe politike e mediatike, ku lajm përbëjnë vetëm njerëzit, jo ngjarjet.

E teksa nëpër rrjete sociale ka ankesa e shfryrje politike për çizme, bluza, përurime false apo manipulime e propagandë, mezi gjendet një qëndrim në këtë lumë reagimesh pa vlerë edhe për më thelbësoren çështje për ty si qytetar: buxhetin e bashkisë, taksat që u rritën dhe mënyra si janë shpenzuar apo si do shpenzohen. Mezi gjendet e duhet kohë ta dëgjosh, të gërmosh për ta kuptuar e për të ditur pse buxheti i bashkisë këtë vit e çdo vit, kërkon debat të shëndetshëm, e jo krye-lajme foshnjarake për blerje këshilltarësh apo sulme të ulëta personale ndaj kryetarit. Nuk janë të nevojshme, se buxheti vetë ka brenda lajme e çështje shumë herë më të rënda se këto. Po kush t’i gërmojë?

Për politikën e kuptojmë që nuk ka synim të merret me shqiptarin e thjeshtë. Se merret vetëm me axhendat e tyre personale. Po as media nuk ka interes e axhendë për qytetarin? Se po të kishte, do ishte thelluar te diskutimi mbi ndryshimet që prekin qytetarët, jo mbi numrin e herëve e arsyeve pse del në televizor Veliaj. Cili është rasti? Pati një reagim politik ditën pas miratimit të buxhetit, por në videon që u dha, nga 22 minuta politike, 7minuta e gjysmë janë në fakt shtjellimi dhe argumentimi që duhet të njohim për çështjen që duhet të ishte e ditës: buxhetin e vitit 2018 për Bashkinë e Tiranës.

Ndërsa politika është përqendruar tek procesi i votimit dhe goditjet standarde e retorika boshe, vjen pa zhurmë një zë i veçantë, i rrallë, po i rrallë fare nga radhët e PD-së, që për 7 minuta e gjysmë, pa ngritur asnjëherë zërin, pa sharë, pa kërcënuar, me finesë e kompetencë të plotë, (por edhe me ngjyrime politike të pritshme) më sqaron mua, ty, të gjithëve ne, (madje edhe ata që votuan pro), se ku qëndrojnë kleçkat e buxhetit 2018 për Tiranën. Mund të jetë e vetmja përfaqësuese majtas a djathtas që e ka lexuar, kuptuar dhe analizuar buxhetin. Është Ariana Çela me stilin e saj qytetar e profesional, që flet e sqaron aspektin fiskal, detyrimin ligjor të paketës, stimujt që mund të shfrytëzoheshin, maksimizimin e taksave vendore, lehtësimin që mund të kishte sjellë aplikimi i të drejtës për reduktim të disa taksave si ato për pronësinë e banesës, taksës bujqësore, kategorizim të taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, etj.

Po mungesa e informacionit për Auditin e brendshëm dhe për bilancin e vitit që sapo mbyllëm? Është e jashtëligjshme që Këshilli Bashkiak dhe unë e ti si publik, të mos i kemi këto të dhëna. Sikundër nuk janë bërë publike edhe arsyet, kriteret dhe procedurat e tenderimeve e lejeve zhvillimore në Tiranë, apo një mori transparencash të tjera, që duhet të ishin shqetësuese për secilin banor e qytetar, pavarësisht se për cilën parti voton, se tek e fundit, taksat i nxjerr nga xhepi i vet, jo i partisë. Pra ky argumentim rreth buxhetit ishte lajmi këto ditë, kolegë të nderuar të medias.

Ky, dhe jo fakti se PD braktisi mbledhjen, apo se u bë një konferencë, apo se i pari foli një përfaqësues i PD-së e shpreh në një mënyrë, e i dyti foli një tjetër. Nuk mund ta vrasësh ndryshe një lajm, përveçse kur e vendos në mes të një raportimi kronologjik. Mënyra si u raportua argumentimi ndaj Buxhetit ishte aq i vakët, sa nuk arriti dot as tek lexuesi, e jo më tek politikëbërja. Argumentimi u fut mes rreshtash e paragrafësh rendorë duke e bërë fare të-pavlefshëm rëndësinë e tij. Partia Demokratike e shiti lajmin nën spektrin politik. E pritshme! PD mund ta kishte shndërruar lehtë në një betejë teknike punën e Buxhetit, çdo ditë, përditë, shumë përpara datës 21 Dhjetor.

Po të shohësh mënyrën si bëhet politika në Shqipëri dhe shqetësimet kryesore të saj në muajt e fundit, është e qartë se PD-së as nuk i intereson nëse ka një kartë të fortë argumentuese në radhët e saj. Nuk e ka fare në radar, sepse synimi kryesor nuk është të sulmojë apo rrëzojë teknikisht ndonjë argument, por thjesht të vijojë në luftën politike, që është më e shëmtuara, më e pafrytshmja dhe më e thjeshta që mund të bëhet prej eksponentëve të saj.

Është e lehtë sepse kërkon thjesht të shash kundërshtarin e të lëshosh shashka, pa lexuar asgjë, pa hartuar asnjë përgjigje, pa artikuluar, krahasuar, shkurt, pa punuar, pa arritur përfundime që dëmtojnë besueshmërinë e kundërshtarit. Nuk duhet as të jesh i zgjuar, as të punosh për të bërë këtë lloj politike që bën PD apo  edhe PS. Dhe media bie viktimë e kësaj loje. Publikohet një lajm fiks siç i intereson politikës, pa punuar, pa u thelluar, pa e shkëputur çështjen nga politika. Ndaj kemi retorikë shterpë në lajme, ekrane e portale, por nuk gjejmë dot krye lajme të vlefshme, sepse politika nuk prodhon, e media nuk gërmon.

Çfarë mund të kishin bërë ndryshe kolegët e medias?                 Të mendonin çfarë i intereson publikut të dijë nga kjo situatë, e jo krye-bashkiakut apo PD-së. Publiku ka interes të dijë: “Ç’taksa i rriten? Si? Pse? Ku do përdoren? Cili është mekanizmi monitorues? Si shkon në krahasim me vitet e mëparshme”?

Lajmi fillon me goditjen për atë çka dëmton (apo lumturon”) qytetarin, p.sh: “Vitin që vjen do paguash 4 herë me shumë taksë për shtëpinë. Tirana rrezikon të ketë edhe 137 gropa të reja betoni, e hapësit e tyre do të paguajnë më pak taksë sesa ti. Konsultimet me publikun janë false dhe të manipuluara. Auditi i brendshëm mbahet i fshehur nga Bashkia dhe rritja e shpenzimeve operative e fryrja e mëtejshme me vende të reja në administratë është e pajustifikuar. PD deklaron se këto kundërvajtje serioze janë arsyeja kryesore e bojkotit të saj për votimin e buxhetit në Bashkinë e Tiranës”. Etj., etj., etj. Vijon shtjellimi lajmit, mbështetur me sinkrone me shumicë që i gjen vetëm në videon përmendur më sipër.

Tregoni pak, vetëm pak kuriozitet. Veçanërisht kur nuk ka ngjyra politike brenda. Nuk mundet Veliaj duke e pyetur “A ke menduar ta shtrish PPP edhe në projekte të tjera”? Sigurisht që e ka menduar. Pyetja është: “Të flasim pak për bilancin e PPP-ve. Unë kam në dorë tre raste, dhe shoh që shuma e derdhur nga pjesa Publike dhe asetet e dhuruara, janë disi te frikshme. Ndërkohë, edhe pse në pamje të parë duket sikur pjesa Private ka bërë një farë investimi, përfitimi që ka nga koncesionet e duke shfrytëzuar asetet publike është aq gjigand, sa ngre dyshime të mëdha morale dhe ligjore.

Duke folur me shifra, raportimet thonë që Bashkia paguan deri ne 90% të kostove. Cila është ndarja e kostove dhe investimeve në përqindje nga ky partneritet? Nëse zbërthejmë në zëra, cili është përfitimi për secilin qytetar me skemën e re?” Profesioni e kërkon që pyetjet të dërgohen me shkrim dhe paraprakisht. Në rast të kundërt, vijoni me fast-foodin që çdo tekst e shndërron në ligjërim politik, bosh, pa vlerë, pa përftim për dëgjuesin/qytetarin.

Qëmtoni deklaratat. Janë thesar përtej paragrafëve një e dy, lexoni mes rreshtave, kini durim të dëgjoni, të mësoni, të kuptoni, të lexoni. Pastaj shkruajeni lajmin. Nuk kërkon ditë të tëra pune jo. Orë po, i kërkon. Por vetëm kështu shpenzohen në mënyrë efikase orët e punës suaj. E nëse puna bëhet mirë, zbulojmë edhe cilat kanë ngërçet dhe kundra-vajtjet ligjore, që nuk mund të kalohen më vetëm me raportime të thjeshta në lajme. Aty pastaj le të hyjnë në lojë gazetarët e politikës e specialistët e ligjit e të drejtësisë.

P.s. Ky shkrim u bë në kuadër të frymës pozitive që çdokush mund të bëjë hapin e vet të vockël që Shqipëria që shohim, njohim e jetojmë, mund të bëhet më e mirë apo më e keqe edhe nga mënyra sesi secili prej nesh bën punën dhe përpjekjen e tij. Profesionalizmi nuk të vret.

Të tjera

Abissnet