Si dikur, Rama shpërfill me arrogancë aktorët: Ata nuk dinë çfarë duan

Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen duke folur për Teatrin Kombëtar, në një kohë kur revolta e aktorëve është në pikën e saj më të nxehtë. Rama ka shkëmbyer replika me komentuesit, të cilët duket se janë rreshtuar në krah të aktorëve. Si dikur Rama nuk shpreh kurrfarë pendese!

Në komentet e tij Rama deklaron se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga rruga e nisur, madje duke shtuar se askush s’mund t’i japë leksione, “duan, s’duan, atë që nuk e dinë se çfarë duan”.

Kujtojmë që kur mbante postin e Ministrit të Kulturës gjuha e tij kundrejt komunitetit të aktorëve vijon të mbetet e njëjtë, arrogante, mospërfillëse, jo rrallë herë edhe denigruese.

Kujtojmë që si drejtues i Ministrisë së Kulturës ai ndërmori një reformë teatrore e cila i vuri kundër të gjithë komunitetin e aktorëve. Në thelb ishte shembja e godinës së Teatrit Popullor dhe nxjerrja e aktorëve rrogëtarë në rrugë.

Përpos kësaj ai nuk do të kursente as gjuhën stigmatizuese, jashtë çdo norme etike, ku mes të tjerat do të përmendte edhe brekët e të ndjerës Violeta Manushi.

Dje u zbulua gjithashtu një tjetër vendim skandaloz, ku ish-drejtori Kastriot Çipi publikoi një dokument në rrjetet sociale që tregon se firmën për të shndërruar Teatrin në Bingo e kishte hedhur Edi Rama.

Dokumentet hodhën poshtë çdo alibi të mazhorancës në raport me Teatrin Kombëtar dhe faktuan se shembja e godinës së tij është një projekt i kahershëm i Edi Ramës.

Replikat në “Facebook”

Njëri prej komentuesve i shkruan poshtë një postimi të tij, për “Shqipërinë e rilindur”, duke i kujtuar klithmën e aktorëve.

“E dëgjove Robert Ndrenikën Edo? Po Bujar Asqeriun? Folën nga plasja shpirtit…”, shkruan qytetari.

Por pikërisht ashtu siç kishte paralajmëruar Bujar Asqeriu, Rama i përgjigjet komentuesit se, “nuk i ka dëgjuar dhe nuk e di fare, se çfarë duan”.

Dhe pasi konfirmon se nuk denjon që të dëgjojë shqetësimin e artistëve, kryeministri i vendit, vijon turravrapin e tij drejt ëndrrës së vjetër për ta kthyer territorin në një kantier ndërtimi, ku do të ngrihet një kullë gjigante.

“Debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të teatrit, është një debat i stërvjetër, i stërlodhur dhe pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot!”, shkruan Rama. Në fund Rama e mbyll duke thënë: “Leksione të asnjë lloji s’na jep dot askush dhe në këto katër vjet do bëjmë ende më shumë, përfshirë edhe Teatrin e Ri Kombëtar, duan s’duan ata që s’dinë çfarë duan”.

 

Të tjera

Abissnet