Shuhet shkrimtari Kasëm Trebeshina!

Publikuar më 08. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Kasëm Trebeshina ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare. Kundërshtimi i vazhdueshëm gjatë viteve të regjimit e çuan Trebeshinën mëse njëherë në burg, si edhe i hoqën të drejtën e botimit. Veprat e tij nisën të botohen pas viteve ’90. Përcjellja për në banesën e fundit kaloi në heshtje

Kasëm Trebeshina (1929-2017) u shua. Të paktë, ishin ata që e shoqëruan në momentet e fundit të jetës, ashtu si të paktë ishin ata që e vlerësuan aq sa duhet gjatë jetës së tij, kontributin që dha në letërsinë shqipe. Prej disa vitesh, ai jetonte te vajza e tij në Turqi, megjithatë kjo nuk e justifikon heshtjen e institucioneve tona të kulturës, deri në një pikë të tillë, saqë edhe lajmi për ndarjen nga jeta, të bëhej i ditur vetëm pasi u përcoll për në banesën e fundit nga mediet. E megjithatë, janë disa emra të fushës së letërsisë, të cilët patën guximin që pavarësisht censurës, që ka eksituar ndaj këtij autori, ta kujtonin nëpër përvjetorët e lindjes, duke organizuar konferenca të hapura për të gjithë dashamirësit e penës së tij. Ata nuk kanë qenë të paktë, brenda edhe jashtë kufijve. Vlerësim të veçantë, për Trebeshinën, kanë pasur shkrimtarë të njohur, të cilët sot nuk jetojnë më, si Dritëro Agolli, Martin Camaj, At Zef Pllumbi etj., por edhe, Behar Gjoka, Hans-Joachim Lanksch, Jozef Radi, Petraq Risto etj.

Behar Gjoka: Vepra e Trebeshinës i përket gjithkohësisë

Studiuesi i letërsisë Behar Gjoka, një ndër ata emra, që gjatë ditës së djeshme konfirmoi lajmin për ndarjen nga jeta të Kasëm Trebeshinës shkruan ndër të tjera për Trebeshinën se: “Në moshën 91 vjeç shuhet shkrimtari Kasëm Trebeshina. Njeriu që nuk pa një ditë të bardhë, në jetën e shtrirë në dy shekuj. Pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore, ndonëse me komunizmin u vë në luftë të ashpër. Jeta e tij ishte një betejë me botën e mashtrimit, me hipokrizinë e kohës ku të gjithë spiunonin, e prandaj dënohet disa herë, duke bërë 17 vite burgim e vite të tëra persekutim”. Sipas studiuesit, letërsia qe atdheu i Trebeshinës, me të gjithë kuptimin e fjalës. Ai shkëlqeu në të gjitha gjinitë dhe zhanret letrare, në poezi, prozë, dramatikë. “Pena magjike e Trebeshinës endi me mijëra faqe letërsisë të përkorë, ndonëse ende vijon që të mbetet, Ajsbergu i letrave shqipe, sepse pjesa e dërrmuese e veprës letrare vijon të mbetet në sirtar”. Nga pjesa e botuar, Gjoka veçon tekste të tilla, si “Kënga Shqiptare”, “Odin Mondvalsen”, “Tregtari i skeleteve”, “Çezari niset për luftë”, “Trebeshina ka endur surrealizmin”. Në dramaturgji, për vlerat e shumëfishta, Trebeshina, mbetet Shekspiri i letrave shqipe. Nëse në gjallje nuk e kuptuam, madje e përgojuam, tani në amshim, kemi shansin të lexojmë universin letrar të Trebeshinës. Fati i shkrimtarëve të mëdhenj, është i njëjtë, nuk kuptohen nga bashkëkohësit, sepse vepra e tyre, pra vepra e Trebeshinës i përkon gjithkohësisë…Paqe mjeshtër, në amshim

Hans-Joachim Lanksch: Diktatura komuniste e groposi në birucat e burgjeve, diktatura kapitaliste e varrosi në birucën e heshtjes

Përkthyesi Hans-Joachim Lanksch shkruan për Trebeshinën se: “Diktatura komuniste e groposi në birucat e burgjeve të saj, diktatura kapitaliste e varrosi në birucën e heshtjes për të. Krijuesi i kësaj bote tani u mëshirua dhe e çliroi nga njerëzit që s’dinin ta çmonin e vlerësonin – sapo merret vesh se ndërroi jetë i madhi Kasëm Trebeshina”.

Jozef Radi: Ndahet nga jeta idealisti që u përjashtua, si nga diktatura edhe nga postdiktatura

Poeti Jozef Radi e konsideron Kasëm Trebeshinën, si një ndër figurat më të rëndësishme të letërsisë dhe të disidencës shqiptare, luftëtarin e 1000 betejave të humbura. Ai shkruan: “Largohet nga jeta shkrimtari Kasëm Trebeshina, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë dhe disidencës shqiptare; Luftëtari i 1000 betejave të humbura dhe të fituara; Idealisti që u përjashtua, si nga diktatura edhe nga postdiktatura; Intelektuali që nuk bëri kompromise as me pushtetin dhe as me hierarkinë e artit; Shkrimtari që nuk hyri kurrë dot në komunikim të drejtpërdrejtë as me kohën dhe as lexuesit; Njeriu që i vuajti ditët më të shumta të jetës së vet pa iu ankuar askujt…!”. Radi shpreh respektin e tij për luftëtarin, idealistin, intelektualin, shkrimtarin dhe njeriun, duke e mbyllur mendimin e tij: “Kurrë nuk do të jesh më i gjallë, se prej ditës së sotme! I lehtë të qoftë dheu dhe e bekuar fjala jote e palexuar!”.

Kasëm Trebeshina në fondet e Bibliotekës Kombëtare

Fill pas lajmit për ndarjen nga jeta të Kasëm Trebeshinës, Biblioteka Kombëtare, në nderim të tij, cceli ekspozitën “Kasëm Trebeshina (1926-2017)”. Krijimtaria e botuar të Kasëm Trebeshinës zë fill në 1953 me botimin e dramës historike “Kruja e çliruar” dhe më pas në vitin 1961 poemën “Artani dhe Minja ose hijet e fundit e maleve”, dy vepra këto të cilat ruhen në fondin e arkivës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Krahas tyre janë edhe veprat e tjera të shkrimtarit, të cilat janë botuar pas gati 40 vjetësh nga vepra e parë, si “Legjenda e asaj që iku” (1992) “Qezari niset për luftë” (1993), “Rruga e Golgotës: një përrallë dimri” (1993), “Mekami : melodi turke” (1994), “Lirika dhe satira : shfletim i paqëllimtë kujtimesh” (1994), “Historia e atyre që s’janë : komedi tragjike” (1995), “Ëndrra dhe hije” (1996), “Hijet e shekujve” (1996), “Nata para apokalipsit : triptik” (1999), “Ku bie Iliria?” (2000), “Kënga shqiptare – 5 vëllime” (2001) dhe “Më përtej kohërave” (2004). E shtrirë në kohë, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale, vepra e Kasëm Trebeshinës, në një pjesë të saj ka mbetur ende e pabotuar, përbën një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pas luftës.

Me kujdes të veçantë në fondin e vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare ruhet edhe dorëshkrimi i shkrimtarit “Historia dhe njerëzit e saj: bisedë në mbrëmje vonë” në të cilën Trebeshina, përmes një proze politike, ka shpalosur pikëpamjet e tij politike e shoqërore, shkruar në Ankara në vitin 1997.

Krahas krijimtarisë letrare, një vend të veçantë zënë edhe studimet e shumta mbi veprën letrare të Trebeshinës, por edhe mbi jetën e tij të trazuar, në gjuhën shqipe ose të huaj, si “Dosja Trebeshina dhe prapaskenat e lidhjes” (2006); “Trebeshiniana : studime, artikuj, ese” (1998); “Allori secchi- Dafina të thara : romani i jetës sime” nga studiuesi Edmond Çali botuar në Romë në vitin 2007; “Trebeshina, një jetë para gjyqit” nga gazetari Nuri Dragoj (2007); “Albanian” dhe “Kasem Trebeshina, prophet” (1992) nga albanologu dhe studiuesi Robert Elsie; “Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe” (2005) i studiuesit Behar Gjoka; “Miti i Metamorfozës në prozën e Mitrush Kutelit, Ismail Kadaresë, Kasem Trebeshinës” nga Elvira Lumi (2006), “Intervistë me Kasëm Trebeshinën” nga prof. Edmond Çali (2006), “Disidentët e rremë” i studiuesit Sadik Bejko (2007), “Shkolla e disidencës dhe Trebeshina” nga Gjovalin Kola (2012), “Veçori të poetikës në prozën romanore të Kasëm Trebeshinës” nga prof. Anila Mullahi (2013) si dhe “Disidenca në letërsinë e realizmit socialist shqiptar : Kasëm Trebeshina, Zef Pllumi dhe Ismail Kadare” me autor prof. Edmond Çali (2015).

 

112 sonete nga Trebeshina

Para një viti, në 90-vjetorin e shkrimtarit, Kasëm Trebeshina, nga krijimtaria e tij u botuan në revistën “Poeteka” 112 sonetet, si një zonë letrare pak e njohur dhe pak e studiuar në krijimtarinë e gjerë të Kasëm Trebeshinës. 112 soneta të plota dhe 1 sonet e “pambaruar”, shkruar mes viteve 1952-1959.

  1. Ja, Hëna po anon nga perëndimi!…

Po dridhen drurët, diç për ne po thonë!

“Ësht’ von’! Ësht’ von’!…” Dhe s’e pranon mendimi.

“Ësht’ von’! Ësht’ von’!… Dhe për të keqen tonë!”

Ësht’ von’, por s’na bën zëmra për t’u ndarë,

pa njëri tjetrin s’jemi ne në botë!…

Un’ shoh e shoh… Dhe s’ngopem duke parë!…

Mbi flokt’ e tu një rreze Hëne lot!…

“Ësht’ von dhe bota kushedi ç’do thonë!…”

dhe drurët mërmërijnë dhe s’thonë gjë!…

Ç’ësht’ për të tjerët dashuria jonë?!…

Dhe ç’kan’ me ne ?!… Ky hall’ i yn’ ç’i zë?!

Hajt ikim, ikim!… Dita ka një sy,

me mij’ ka nata!… Keq për ne të dy!

  1. Dhe dit’ e net’ që bashk dikur i ndamë,

dhe ëndrr e par’ më shpejt se në agim,

dhe puthjet fshehtas, fjalët që nuk thamë,

jan’ më të shtrenjta se ky pambarim!…

Sonetat nisa lum’ i turbulluar,

nëpër shkëmbejt’ goditën me furri,

pastaj e ndalën vrullin e tërbuar

te fush’ e gjër’, aty ku dole ti!…

Nga vegjëlia nuk i kisha parë

as syt’ e kaltër, as flokt’ si flori!…

Të pash tashti, por s’jemi si më parë,

O mik’ e ëmbël, s’jemi më fëmi!…

Sonetat nisa tjetër të këndoj,

me flokët si flori po i mbaroj!…

  1. Ja, syt’ më mbyllen!… Gjumi po afrohet!…

Dhe prap më shfaqen yje panumrim!…

Po fle, po fle… Një tjetër ndofta zgjohet!…

Një këng’ e re!… Mbarim dhe pambarim!…

Tiranë (1952 – 1959).

Biografi

Kasëm Trebeshina u lind në Berat më 8 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1939, kur u aktivizua, edhe si drejtues formacioni më vonë, në Luftën Nacionalçlirimtare, i plagosur disa herë. Pas lufte punon pak kohë në Ministrinë e Mbrojtjes e pastaj shkon për studime të larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Petërburgut, por i ndërpret studimet. Pas kthimit i kushtohet tërësisht krijimtarisë letrare. Qëndrimet disidente dhe letra e tij “Promemorie” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, që denoncon vendosjen e pushtetit absolut prej Luigji XIV në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realizmit socialist, i sjell persekutimet dhe burgimet e para. Qëndrimet e palëkundura i kushtojnë tri burgime, gjithsej 17 vjet dhe internime. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe, pa emër, në vitet ‘70 një përkthim të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës nisën të botohen mirëfilli vetëm në fillim të viteve ‘90, më së pari në Prishtinë: “Stina e stinëve” 1991, “Mekami” 1994, “Histori e atyre që nuk janë” 1995 dhe në Tiranë “Legjenda e asaj që iku” 1992, “Koha tani, vendi këtu” 1992, “Qezari niset për luftë” 1993, “Rruga e Golgotës” 1993, “Lirika dhe satirë 1994, “Hijet e shekujve” 1996, “Ëndrra dhe hije” dramë 1996, “Kënga shqiptare” roman në pesë vëllime, Tiranë 2001 etj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim. Një numër prej veprave të tij janë botuar në disa gjuhë, sikurse “Odin Mondvalsen” (Austri, 1993), “Dafinat e thara” (Itali 2008) etj… U nda nga jeta në nëntor 2017.