Shtyhet gjyqi për Botanikun, universiteti: Do ta rimarrim!

Gjyqi nuk u zhvillua pasi nuk u paraqit pala e paditur, Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës. Pedagogët dhe studentët protestë para Gjykatës. Dekani Spiro Dushku: Nuk është vend rekreativ, por qendër kërkimore shkencore

Enida Vërça

Mungesa e palëve të paditura, ministrisë së Arsimit dhe bashkisë Tiranë, ka bërë që seanca e parë gjyqësore mbi Kopshtin Botanik, të shtyhet deri në datën 29 tetor, ora 12:00. Padia e ngritur nga strukturat e fakultetit të Shkencave të Natyrës është shoqëruar me një protestë prej 60 minutash e cila nisi me marshim nga fakulteti drejt dyerve të Gjykatës Administrative Tiranë. Pedagogë të universitetit të Tiranës, studentë, shoqëria civile dhe qytetarë të thjeshtë, erdhën në mbështetje, të padisë së ngritur nga fakulteti i Shkencave të Natyrës, i cili deklaron se duhet të anulohet VKM-ja e cila i merr 15 ha kopshtit, duke i kaluar ato në administrimin e bashkisë Tiranë. Sipas pedagogëve, ky vendim ka ardhur në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore që përmban ligji për Arsimin e Lartë. Spiro Dushku, dekan i fakultetit u shpreh për “Shekulli”-n se do të ndjekin të gjitha hapat ligjor, deri në anulimin e këtij vendimi të cilësuar absurd sipas tij. Me tej tha se Kopshti Botanik nuk mund të konsiderohet një park, pasi përdoret për kërkimin shkencor. “Personeli akademik i Fakultetit të Shkencave ka deklaruar që në datë 22 korrik, që do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike për të protestuar, sepse jemi në të drejtën tonë. Nuk mundet që ministria e Arsimit të lëshoi një e-mail, për adresimin e kopshtit për të zgjedhuar mjediset rekreative. Duhet të kenë të qartë që Kopshti Botanik nuk është vend rekreativ, por qendër kërkimore shkencore dhe kurrsesi kjo bashki nuk mund të administrojë një qendër kërkimore. Nuk është as universitetet dhe as akademi e shkencave. Ne e pranojmë çdo investim, çdo bashkëpunim, për ta bërë atë kopsht me nivelin e duhur, por nuk mund të jemi të nëpërkëmbur nga kjo farsë”, deklaroi ai.

Shtyrja e seancës

Në lidhje me vendimin mbi shtyrjen e seancës dëgjimore me 20 ditë më vonë si pasojë e mungesës së palëve të paditura, Dushku u shpreh mjaft i indinjuar, duke theksuar se kopshti është dhe do t’i mbetet me çdo mënyrë universitetit. “Unë jam shumë i keqardhur kur në një situatë të tillë ka mungesë të palëve në seancë. Ky është fati i kësaj Shqipërie me këto gjykata. Unë i bëj thirrje të gjithë pedagogëve që në seancën e radhës të mos jemi vetëm gjysma, por të jetë i gjithë universiteti i Tiranës. Ne nuk do ta lëshojmë në asnjë mënyrë kopshtin Botanik. Shpronësimin për këtë proces nuk e ka bërë bashkia e Tiranës, por e ka bërë ministria e Arsimit, sepse ajo ka kërkuar që kopshti Botanik të jetë pjesë e bashkisë”, tha ai. Të indinjuar ndaj shtyrjes së procesit, janë shprehur edhe pedagogët, ndërsa deklarojnë se vendimi është i nxituar dhe se ky kopsht është i domosdoshëm për kryerjen e procesit mësimor. “Pjesëmarrja e fakulteti të Shkencave, por edhe fakulteteve të tjera, tregon se ne jemi kundër këtij vendimi, i cili është i nxituar. Nuk është në përputhje me ligjin  për Arsimin e Lartë, për pronat, që ka në administrim universiteti dhe si e tillë, gjykata e ka shumë të lehtë të anulojë. Është një ligj i pakonsultuar me palët dhe jo në bazë të ruajtjes së autonomisë universitare. Në fakultetin tonë kemi pasur presion prej bashkisë për një oborr të ndërtuar në këto ambiente. Muzeu i Shkencave ka një fat dramatik, ku bashkia ka ndërhyrë. Të gjitha këto na bëjnë që ne të mos e shikojmë bashkinë si një palë vizionare për të mbështetur realisht kopshtin botanik për nevojat që ka”, u shpreh pedagogu Aleko Miho .

Studentët

Kundër Vendimit të Këshillit të Ministrave që mban datën 17 korrik për tjetërsimin e 13 ha tokë të Kopshtit Botanik, janë shprehur edhe studentët. Ata shprehen se me këtë vendim do të dëmtohet rendë procesi mësimor. “Përveç pjesëve teorike që ne marrin në fakultet, në ambientet e këtij kopshti në ushtrojmë pjesën praktike. Bëjmë studime, të cilat na nevojiten në momentin që do të nisim punë. Është një vendim të cilin nuk do e tolerojmë” u shpreh Dorjan Beqiri. Në mbështetje të pedagogëve dhe studentëve, ishin edhe të rinj nga fakultet e tjera. Marlin Muça, studente në fakultetin e Drejtësisë, thotë për “Shekulli”-n se do të jetë i pranishëm në të gjitha seancat, pasi vlera që mbart ky kopsht është mbi shumë angazhime të tjera. “Është një vendim i padrejtë dhe kurrsesi nuk mund të lejojmë që të kalojë në administrimin e bashkisë, për sa kohë përdoret për kërkimin shkencor. Studentët, pedagogët e fushës e vlerësojnë si një aset të çmuar, që nuk mund t’ju vidhet”, tha ai.

Këshilli

Njëzëri për kundërshtimin e vendimit, i cili i kalon Kopshtin Botanik, bashkisë Tiranë, është shprehur edhe këshilli studentor. Ata shprehen kundër transferimit të pronësisë, duke deklaruar se do ta mbrojmë në të gjitha mënyrat. Për këshillin studentor, e gjithën kjo është një grabitje e pasurisë universitare. “Ne shprehim shqetësimin tonë si organi më i lartë përfaqësues studentor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për fatin e këtij Kopshti në duart e një institucioni që nuk ka hezituar të tjetërsojë në të shkuarën prona të tjera publike, në favor të bizneseve të mëdha të ndërtimit që betonojnë parqe dhe hapësirat e gjelbra të këtij qyteti. Ne i bëjmë thirrje Senatit Akademinë të Universitetit Tiranë të qëndrojë në lartësinë e detyrës akademike dhe intelektuale në ruajtjen e pasurisë së Universitetit dhe në thelb autonominë e tij nga një pushtet që po humb dalëngadalë vijën demokratike mes atij vendor dhe qendror”, deklaron këshilli studentor.

Përplasja

Çështja e Kopshtit Botanik, u diskutua mesditën e djeshme edhe nga Këshilli Bashkiak i kryeqytetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj nuk i ka kursyer akuzat ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ku thotë se e gjithë kjo është një skemë korruptive nga rektori. “Ata që duan të bëjnë shkencë e s’janë matrapazët e bandës së Mynirit, janë të mirëpritur, në vend të na sillnin marrëveshjen na sollën fletërrufe, nën siglën e një partie. Rektori të mbledh për pronë, jo për shkencë e studime, as një mesazh që mirëpret studentët. Për ata që duan të bëjnë shkencë i mirëpres rektori i përket të kaluarës është pjesë e një skeme korruptive që u vërtetua edhe me tenderin e parë dhe do vazhdojë ta mbylli edhe këto muaj që i kanë mbetua. Ta harrojë sa të jem unë kryetar bashkie s’do lejoj zgëqe në kryeqytet”, deklaroi mes të tjerash Veliaj, duke theksuar se kopshti nuk është monopol i rektorit, por pronë publike e qytetarëve. Nga ana tjetër , Rektorati e ka ankimuar VKM për Kopshtin Botanik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet