Shtohet mbështetja për Presidentin Trump

Ai kritikoi gjithashtu demokratët që nuk e duartrokitën gjatë fjalimit të tij vjetor mbi gjendjen e vendit. “Ata ishin si vdekja dhe aspak amerikanë. Dikush tha tradhtar. Mendoj, pse jo?! A mund ta quajmë këtë tradhëti? Pse jo!”

Sondazhi publik i universitetit Quinnipiac, mbështetja llogaritet në 40 për qind, rezultati i tij më i mirë në shtatë muaj dhe ka gjasa që ai të ketë përfituar nga treguesit e fortë të ekonomisë amerikane.

Sipas sondazhit publik të universitetit Quinnipiac, mbështetja për Presidentin Donald Trump llogaritet në 40 për qind, rezultati i tij më i mirë në shtatë muaj. Ka gjasa që zoti Trump të ketë përfituar nga treguesit e fortë të ekonomisë amerikane. Por analistët thonë se ai mund të përballet me rreziqe politike, për shkak të kritikave të vazhdueshme ndaj demokratëve dhe hetimeve në vazhdim për një marrëveshje të mundëshme të fshehtë mes Rusisë dhe njerëzve të fushatës së tij. Presidenti Trump theksoi ndikimin që ka patur ulja e taksave gjatë një vizite në një fabrikë në Ohajo.

Por ai kritikoi gjithashtu demokratët që nuk e duartrokitën gjatë fjalimit të tij vjetor mbi gjendjen e vendit. “Ata ishin si vdekja dhe aspak amerikanë. Dikush tha tradhtar. Mendoj, pse jo?! A mund ta quajmë këtë tradhëti? Pse jo!” Ky është një devijim i fortë nga toni që ai përdori në fjalimin e tij të fundit në Kongres ku i mëshoi perspektivës së bashkëpunimit dypalësh. “U bëj thirrje të gjithëve të lëmë mënjanë dallimet që kemi, të shohim mundësitë për bashkëpunim dhe unitetin për të cilin kanë nevojë njerëzit”. Përmirësimi i lehtë në sondazhet ndaj presidentit Trump tregon se votuesit e vlerësojnë atë për ekonominë në rritje. Por shpërthimi i fundit i tij ndaj demokratëve mund të jetë dëmtues thotë Jim Kessler. Një përmirësim në sondazhet e presidentit mund të ndihmojë republikanët të ruajnë shumicën në kongres në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Trump: Demokratët ta rishkruajnë raportin

Presidenti Donald Trump nuk ka lejuar nxjerrjen e një dokumenti të demokratëve të përgatitur si reagim ndaj raportit republikan me akuza për shkelje të FBI-së gjatë hetimeve mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016. Në një letër të bërë publike dje, konsulenti ligjor i Shtëpisë së Bardhë Don McGahn thotë se presidenti ka vendosur të mos lejojë publikimin e dokumentit sekret të demokratëve, pasi “në të ka një numër paragrafësh sekretë dhe pasazhesh me informacion të fshehtë”. Vetë Presidenti Trump shpjegoi më tej në Twitter, duke shkruar se: “Demokratët dërguan një raport shumë të gjatë dhe shumë politik, për të cilin e dinin që për shkak të metodave dhe burimeve të përdorura do të duhej të redaktohej së tepërmi, duke ua mundësuar kështu që të fajësonin më pas Shtëpinë e Bardhë për mungesë transparence. U thamë ta rishkruajnë dhe ta dërgojnë në formën e duhur!”. Po dje, ligjvënësi demokrat Seny Hoyer shprehej se ishte “shumë shqetësuese që Presidenti Trump kishte bllokuar nxjerrjen e dokumentit të shkruar nga demokratët.

Ligjvënësi shkruan më tej se presidenti nxori më 2 shkurt “një raport të njëanshëm, shumë çorientues të shkruar nga republikanët në Komisionin e Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, prandaj do të ishte me vend që t’u ofronte amerikanëve të gjitha faktet”. Javën e kaluar presidenti autorizoi nxjerrjen e një raporti të republikanëve, në të cilin ngriheshin pretendime se FBI-ja kishte siguruar në mënyrë të parregullt një leje nga gjykata për të përgjuar Carter Page, ish-këshilltar për fushatën Trump dhe për të zbuluar lidhjet që kishte me rusët. Letra e zotit McGahn, konsulenti ligjor i Shtëpisë së Bardhë, drejtuar kreut të Komisionit për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve, Ligjvënësit republikan Nunes, kërkonte që të bëheshin ndryshimet e duhura përpara se të publikohej dokumenti. Ligjvënësi Nunes qarkulloi një deklaratë të premten, ku shprehej se “pata paralajmëruar që raporti i demokratëve përmbante shumë burime dhe metoda… Nuk është befasuese që agjensitë sugjeruan të mos publikohej pa u redaktuar”.

Të tjera

Abissnet