Shtohen sëmundjet e lindura, s’ka mjekë dhe qendra shërbimi 

Konferenca Mjekësore mbi sëmundjet e lindura. Problemet me të cilat përballen bluzat e bardha. Mungesa e qendrave specifike dhe largimi i mjekëve specialistë nga vendi

Enida Vërça

Konferenca “Sëmundjet e lindura dhe kujdesi shëndetësor për pacientin”, bën bashkë bluzat e bardha të të gjitha trevave, në Tiranë. Infermierët dhe mjekët, referuan disa nga problematikat me të cilat janë duke u përballur, përmendur këtu sëmundjet e lindura të cilat janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Kreu i Shoqatës së Infermierëve, Elson Jaçaj u shpreh për “Shekulli”-n se theksi i këtij takimi u vu te mungesa e shërbimeve specifike. Më kritike situata paraqitet edhe në mungesën e mjekëve specialist. “Arsyeja pse u bë kjo konferencë ishte sepse është vënë re që është shtuar numri i lindjeve me probleme të ndryshme dhe vendi ynë nuk ofron një shërbim specifik për këto sëmundje për shumë arsye. Por më të rëndësishmet janë mungesa e mjekeve specialist për të tilla sëmundje si në neonatologji apo pediatri ku janë fazat e para të trajtimit të këtyre pacienteve, por dhe kur arrijnë një moshë madhore s’ka mjek specialist për t’i ndjekur dhe trajtuar. Nuk ka qendra të trajtimit të këtyre lloj të sëmurësh ashtu siç ka p.sh qendra të trajtimit për të sëmurët Down, por që dhe ato nuk funksionojnë siç duhet për sëmundje të tjera s’ka asnjë lloj qendre dhe detyrohen që pacient të tillë që duan trajtim më të specifikuar dhe kujdesje më të madhe trajtohen në një repart apo pavijon me një pacient normal pa asnjë dallim apo diferencim në trajtim”, u shpreh ai.

Mundësitë

Në këtë takim, bluzat e bardha u shprehën se shteti shqiptar nuk ofron asnjë mundësi për trajnime specifike ndaj kësaj kategori, duke u dhënë vetëm një mundësi, largimin e pacientëve jashtë vendit për të marrë shërbimin e nevojshëm. “Duke qenë se shteti nuk ofron këtu këto lloj mjekësh apo këtë lloj trajtimi është i detyruar që këtë ta ofrojë jashtë në vendet ku kanë spitale dhe qendra specifike për këto sëmundje dhe që Ministria apo shteti ynë ka marrëveshje bashkëpunimi por dhe këtu është parë që ka shumë mungesa të mëdha apo neglizhencë nga ana e Ministrisë, pasi ka shumë proceduara që duhet të kalojë një pacient deri sa të jetë gati për t’u çuar për trajtim jashtë. Duke filluar që tek fondi që duhet nga Ministria t’i vihet në dispozicion pacienteve të tillë, tek transporti që duhet ndryshe nga një pacient normal dhe në një kohë sa më të shpejtë por dhe këtu jemi dëshmitarë që para pak kohesh kemi patur më shumë se 2-3 raste pacientesh që kanë humbur jetën vetëm për shkak të neglizhencës apo mos marrjes në kohën e duhur për ta çuar jashtë”, nënvizoi Jaçaj.

Vdekjet

Një tjetër problem i ngritur nga mjekët në këtë takim, ishin edhe fshehja e disa sëmundjeve të rënda apo edhe humbja e jetëve në maternitet të pacientëve, të cilat nuk bëhen publike nga institucioni. Po ashtu u përmend fakti se kohët e fundit bluzat e bardha janë duke u përballur me sëmundje të padëgjuara më parë dhe informacioni për diagnostikimin e tyre është pothuajse zero. “Kemi parë që në maternitete jo vetëm është shtuar numri i këtyre lindjeve por dhe vdekshmëria e tyre është rritur dhe për çudi as nga materniteti apo as nga institucionet përgjegjëse nuk deklarohen këto raste pasi dihet se përgjegjësi e kujt mund të jetë kjo gjë. Sigurisht që dhe vet personeli Shëndetësor kohët e fundit është përballur dhe me sëmundje të tilla të panjohura për to apo që kanë shumë pak informacion si në diagnostikim dhe në trajtim të këtyre pacientëve”.

Largimet

Largimet e mjekëve dhe infermierëve, kryesisht në Gjermani mbetet një tjetër sfidë e madhe për mjekësinë shqiptare. Sipas të pranishmëve, problem kryesor mbetet largimi i mjekëve specialist. “Problemi më i madh është që vendi ynë përveç largimeve masive po përballet me largimet e specialisteve si nga ana e mjekëve dhe e infermierëve, ndaj u ngrit dhe problemi që ministria duhet të shoh mundësinë për të çuar jashtë për specializim afatgjate ose afatshkurtër të stafit mjek dhe infermier që punojnë dhe merrem me raste të tilla që të kenë informacionin e duhur rreth këtyre sëmundjeve, por dhe të din si ti trajtojnë ne kohën e duhur dhe mënyrën e duhur këto pacient”, u shpreh kreu i Shoqatës së Infermierëve.

Eksperiencat

Me një pjesëmarrje të lartë të mjekëve nga Kosova dhe Maqedonia, u vu re se këto vende kishin më shumë mundësi të përballonin sëmundjet e lindura. Madje në disa raste pacientët shqiptarë dërgohen në këto vende për t’u mbajtur nën kontroll. “Në konferencë u shkëmbyen eksperiencat mes profesionistëve që trajtonin të tillë sëmundje dhe të sëmurë ku morën pjesë nga Kosova dhe Maqedonia etj, ku u vu ren se dhe këto vende përballeshin me raste të tilla ishin më të operuar në trajtimin e këtyre sëmundjeve gjë që jo vetëm u tha nga specialistët por u pranua dhe nga vet ata që ka raste të veçanta që pacientët nga Shqipëria dërgohen dhe në Maqedoni për një trajtim më të specializuar, pra kuptohet se ku është akoma vendi ynë”, përfundoi Jaçaj.

Sëmundjet

Anomalitë kongjenitale, janë të njohura edhe si defekte ose keqformime të lindura. Mund të shfaqen si defekte të lindura strukturore ose funksionale që ndodhin gjatë jetës intrauterine dhe që mund të identifikohen paralindjes, në lindje, ose më vonë gjatë jetës. Si shkak i këtyre defekteve, fëmijët lindin me një shëndet të dobët, teksa pohohet se në shumë raste janë shkaqe të rëndësishme të vdekjes, sëmundjeve kronike dhe paaftësisë së shkallëve të ndryshme të fëmijëve. Sipas ISHP-së, ndonëse të vendet rrezikojnë nga këto anomali, më të shpeshta ato shfaqen në vendet në zhvillim. Ndërkohë, me ndjekjen e kujdesshme të shtatzënisë dhe kryerjes së analizave të duhura në kohë, shumë prej këtyre defekteve të lindura mund të parandalohen dhe trajtohen me sukses. Rol kyç në parandalimin e tyre luan marrja e acidit folik dhe jodit, vaksinimi dhe kujdesi i duhur gjatë shtatzënisë. Edhe pse anomalitë mund të kenë origjinë gjenetike, infektive, ushqyese ose mjedisore, shpesh është e vështirë të identifikohen shkaqet e sakta.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet