Shteron lista e PD në Kukës, KQZ mund t’ia japë mandatin PS-së

Zëvendësimi i deputetëve të opozitës arrin në pikën më kulminante në qarkun Kukës. Kandidati i listës së PD-së Miftar Dauti nuk pranon të marrë mandatin. Krijohet terreni që të merret kandidati nga lista së PS-së. Kjo do të jetë vendimmarrja më e vështirë e KQZ-së

Lindita Bushgjokaj

Lista e PD-së në qarkun e Kukësit rrezikon që të plotësohet me deputetë nga PS-ja, pasi kandidati zëvendësues i deputetit Isuf Çela nuk pranon të dorëzojë formularin e dekriminalizmit në KQZ. Në këto kushte, zëvendësimi i deputetëve të opozitës po arrin tejmbushjen, duke e kaluar peshën e vendimmarrjes politike tek PS e Ramës. Teksa duket sikur sistemi zgjedhor po funksiononte, duke i thirrur rast pas rasti me disa raunde kandidatët e listave shumëemërore të opozitës, një situatë e re paraqitet në qarkun e Kukësit. PD ka pasur dy deputetë në Kukës: Flamur Nokën dhe Isuf Celajn. Flamur Noka u zëvendësua nga kandidati i tretë në listën e PD-së, Alban Zeneli, i cili dje bëri betimin. Për zëvendësimin e ish-deputetit të tjetër, Isuf Celajn është në dispozicion vetëm një kandidat, i fundit në listën e PD-së, Miftar Dauti. Ai është njoftuar nga KQZ, por kur kanë kaluar 9 ditë, ai ende nuk ka paraqitur formularin e dekriminalizimit, por vetëm dorëheqjen nga mandati dhe sot është dita e fundit për të vendosur për përfundimisht. Ndërkohë, në një prononcim për gazetën “Shekulli”, Miftar Dauti tha se nuk do ta dorëzojë formularin e dekriminalizmit për të pranuar mandatin, duke e lënë kolegun e tij pa zëvendësues. “Nuk ka asnjë shans që të bëhen zëvendësime me kandidat nga PS-ja. Ato janë vota të PD-së jo PS-së. Nuk e parashikon kodi zgjedhor një gjë të tillë. Ne jemi njerëz politik dhe do t’i përshtatemi vendimit politik. Kjo do të thotë, se nuk mund të qëndrojmë në një parlament me Edi Ramën. Unë nuk do ta pranoj mandatin, sepse nëse do ishte ashtu do ta dorëzoja formularin e dekriminalizmit”, deklaroi Dauti. Dhe nëse sot kandidati i fundit i PD-së nuk sjell formularin e dekriminalizimit, në Kukës mbetet një mandat i paplotësuar nga PD dhe i pamundur të zëvendësohet me listën që ka dorëzuar opozita në maj 2017.

KQZ nuk ka parashikim për raste të tilla

Një situatë e tillë e ka zënë KQZ-në të papërgatitur, e cila nuk ka parashikime ligjore për rastin në fjalë, pasi është hera e parë që opozita merr vendime ekstreme të lënies në bllok të mandateve. Në këto kushte, Isuf Çela do mbetet pa zëvendësues, por situata parashikohet të jetë në favor të PS-së dhe Edi Ramës. Ekspertët zgjedhorë në PS dhe KQZ janë më afër mendimit se lista nuk spostohet dhe mandati nuk mund të kalojë nga PD në PS, pasi do të deformonte vullnetin e zgjedhësve, dhe në këto kushte kjo vakancë do të ngelë bosh. Por, ekziston dhe një mendim tjetër në PS dhe KQZ që thonë se vendi i një anëtari parlamenti nuk mund të lihet kurrsesi bosh. Vendimmarrja për Kukësin, do të jetë udhërrëfyes raste të tjera që do të ndodhin me siguri në qarqet e tjera të  vendit, kur listat shkojnë drejt fundit. Në mënyrë indirekte, Mimi Kodheli, e pyetur në një emision televiziv, për këtë çështje, tha se PS nuk ka nevojë për deputetë nga listat e opozitës, i mjaftojnë ata që ka fituar.

Kandidatët e PD-së: Me këtë qeveri gjithçka pritet!

Ndërsa deputeti Isuf Çela, në një prononcim për gazetën “Shekulli”, tha se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese pritet që të merren vendime ekstreme nga PS-ja, e cila merr vendime sipas interesave të saj. “Z. Dauti ka qenë i qartë dhe i prerë se nuk e pranon marrjen e mandatit të deputetit, pasi KQZ-ja i kishte dërguar kërkesën për të plotësuar formularin e dekriminalizimit dhe nesër skadon afati ligjor i kthimit të përgjigjes! Kështu që në listën e PD të qarkut Kukës nuk ka persona të tjerë që të marrin mandatin. Nuk besoj, se në kushte të tilla lista të plotësohet me kandidatë të PS-së, pasi mandati im ka qenë i PD-së, pra i opozitës. Gjithsesi këta të gjitha i kanë marrë, ç’mund të themi për një vend ku Gjykata Kushtetuese nuk ekziston dhe ajo e Lartë është e paralizuar, jo funksionale”, -tha Çela.

“Policia presion kandidatit të PD-së”

Kreu i Partisë Demokratike të Fierit dhe ish-deputeti Luan Baçi ka dalë para mediave dje për të denoncuar, siç u shpreh ai, presionin që po iu bëhet qytetarëve të Fierit, që kanë protestuar kundër qeverisë. Baçi tha gjithashtu se kandidati i PD për deputet në zgjedhjet e 2017, Pandeli Tole është shoqëruar nga policia dhe i është bërë presion për të pranuar mandatin e deputetit. “Ka ditë që po ushtrohet terror policor duke bërë presion. Pandeli Tole, pjesëmarrës në protestë, kandidat i listës për deputet, është shoqëruar dje, rreth orës 12:00 në mënyrë të paligjshme dhe deri në 15:00 e kanë mbajtur në komisariat në korridore. Nga ora 15:00 deri në orën 22:20 është vënë nën presion nga drejtues të lartë policie, që nuk i dimë emrat për momentin dhe i është bërë presion për të mos i prerë fletë-arrestin, të pranonte mandatin e deputetit. 10 minuta para se të mbushte 10 orarëshin e naliit, për të mos shkelur ligjin, i kanë prerë fletë-arrestin. E kanë mbajtur brenda në mënyrë të paligjshme pasi nuk bëri atë që i thanë drejtuesit e policisë. Jam këtu për të denoncuar këtë fakt tronditës”, -tha Baçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet