Shtatë kandidatët e mundshëm për kreun e Policisë së Shtetit

Publikuar më 11. 01. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Prej 2 ditësh në krye të Policisë së Shtetit është komanduar zv/drejtori i Përgjithshëm, Rebani Jaupi, i cili ka zëvendësuar provizorisht Haki Çakon, i cili u shkarkua të hënën me vendim të Këshillit të Ministrave. Por, për emërimin përfundimtar si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, sipas ligjit për Policinë, duhen plotësuar 3 kritere kryesore. Këto kritere plotësohen edhe nga drejtori i komanduar, që nëse do të ndiqej praktika e vitit 2015, kohë ku Çako u emërua drejtor i Përgjithshëm, do bënin që Rebani Jaupi të mos lëvizte më nga ky post, duke u emëruar përfundimisht aty. Kështu ndodhi më 15 prill të vitit 2015, ku Haki Çako, në atë kohë zv/drejtor i Përgjithshëm, që ishte i komanduar prej 15 ditësh drejtor i Përgjithshëm, pas dorëheqjes së Artan Didit, mori përfundimisht detyrën nga e cila u lirua pas 2 vitesh e 9 muajsh, edhe pse mandati është 5­vjeçar. Por duket se Jaupi nuk është emri i vetëm mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, që plotëson kriteret për të qenë në krye të Policisë së Shtetit. Mes emrave më të përfolur, janë edhe 6 drejtues të tjerë Policie, ndonëse vetëm 3 plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligjin e Policisë së Shtetit, shkruan “Panorama”.
Përveç Rebani Jaupit, tashmë i komanduar si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, së fundmi po lakohen si kandidatë potencialë për postin më të lartë policor edhe 6 emra të tjerë. Një prej tyre është Agron Sojati, me një karrierë të gjatë si drejtues në sektorë të rëndësishëm të Policisë, aktualisht këshilltar për sigurinë në Kryeministri. Posti më i rëndësishëm që Sojati ka mbajtur së fundmi në Polici, ka qenë ai i drejtorit të Antiterrorit dhe si i tillë ai ka marrë pjesë në konferenca mjaft të rëndësishme rajonale e më gjerë, për luftën kundër terrorizmit. Po kaq i favorizuar për të qenë kreu i Policisë së Shtetit, për shkak të karrierës dhe eksperiencës, është edhe drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema. Gjithashtu edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Gjovalin Loka, është një prej emrave të lakuar që plotëson kushtet për të qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, kandidatë për këtë post, janë edhe 3 emra të tjerë. Drejtori i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Eduart Merkaj, drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu e po ashtu dhe drejtoresha e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit Aida Hajnaj. Ndonëse kriteret plotësohen nga 4 të parët, edhe emrat e Merkajt, Veliut e Hajnajt, janë lakuar ditët e fundit si drejtues të mundshëm të Policisë së Shtetit.
Për të qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ligji përcakton 3 kritere kryesore që duhen përmbushur nga emrat që do t’i propozohen Kryeministrit nga ministri i Brendshëm. Kushti i parë është grada, që duhet të jetë “Drejtues i lartë”, ose “Drejtues i parë”. Nuk duhet të ketë shtetësi tjetër përveç shtetësisë shqiptare si dhe duhet të ketë një karrierë të paktën 15­vjeçare në Policinë e Shtetit, nga të cilat 10 vite në pozicione të larta drejtuese.