Shqiptari vret partneren dhe njofton policinë: Dua të raportoj një vrasje (FOTO)

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Elidona Syla

“Unë dua të raportoj një vrasje”, kjo ka qenë telefonata që ka alarmuar policinë e Graz në lagjen Wetzeldorf të Austrisë. Pas këtyre fjalëve, telefonuesi ka heshtur për disa çaste deri sa ka shtuar: “Unë kam vrarë bashkëshorten time me thikë”.

Ngjarja ka ndodhur në orën 05:30, ku pak minuta më vonë i dyshuari për krimin është arrestuar. Ndërkohë mësohet se bëhet fjalë për një shtetas shqiptar nga Kosova, Besmir K., 25 vjeç.

Ky i fundit ka masakruar me thikë partneren e tij, Michaela K., nënë e 3 fëmijëve. Ka qenë vetë ai që ka telefonuar policinë për krimin e kryer, madje i ka pritur në ballkonin e shtëpisë.

Mediat austriake shkruajnë se 31-vjeçrarja është gjetur e vdekur në dyshemenë e banesës. Ajo ishte e prerë disa herë me thikë dhe sipas policisë vendase, mund të kishte disa orë që kishte vdekur.

“kurier.at” shkruan se, “policia ka arrestuar menjëherë shtetasin shqiptar me shtetësi austriake, i cili nuk ka bërë rezistencë”. Ndërkohë nga dëshmitë rezulton se mes dy partnerëve kishte pasur në vazhdimësi konflikte dhe disa herë ka pasur edhe përzënie të njëri-tjetrit nga shtëpia. Në maj ai u përzu nga banesa e të dashurës së tij.

Lidhur me debatet e çiftit kanë folur edhe fqinjët, ku një grua që jeton në këtë zonë ka thënë për policinë se ishte zgjuar rreth orës 02:30 nga të bërtiturat. “Kam menduar, që vinin nga parku dhe kam fjetur sërish”, ka thënë gruaja.

25-vjeçari është marrë në pyetje deri në orët e mbrëmjes së djeshme nga policia. Trupi i pajetë i gruas, mësuese kopshti i është nënshtruar autopsisë për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia austriake gjithashtu ka gjetur edhe armën e krimit, një thikë kuzhine.

Ndërkohë policia ka njoftuar se në banesë në kohën e ngjarjes ndodhej djali 5-vjeçar i viktimës nga një martesë e mëparshme dhe foshnja tremuajshe e çiftit. Viktima ishte gjithashtu nënë e një vajze 9 vjeçe, e cila ndodhej me babanë e saj për fundjavë. Ende nuk dihet motivi që ka sjellë vrasjen.

E. S/Shekulli Online/