Shqiptarët nuk i sigurojnë banesat, dëmshpërblimet nga sigurimi vullnetar

Ligji i sigurimit/ Një banesë me vlerë 100 mijë euro sigurohet për 100 euro/vit, përfshihen edhe pajisjet elektroshtëpiake

Dokumentet dhe procedurat për kompensimin. Në qeveri prej kohësh diskutohet ligj për sigurim të detyruar, por qëndron në letër

Neritan Gjergo

Kush ka një banesë të siguruar në shoqëritë e sigurimit dhe i ka pësuar dëmtime nga tërmeti,  mund të përfitojë kompensim, sipas ligjit nr. 52, datë 22.05.2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”. Polica e sigurimit u jep mundësinë qytetarëve që të sigurohen nga zjarri dhe forcat e natyrës në mënyrë vullnetare dhe çdo biznes apo rezident mund të kryejë sigurimin e pronës në një nga 8 shoqëritë e sigurimit të jo-jetës që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri. Në raportin mesatar 1 me 1000, pra një banesë me vlerë 100 mijë euro sigurohet për 100 euro/vit, sigurimi banesën. Sigurimi i pasurisë ofron mbulim dhe mbështetje financiare, rikthim te pasurisë në gjendjen e mëparshme nga humbjet e papritura të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore si zjarri, rrufe, tërmet, përmbytje, stuhi, breshër por edhe nga vjedhjet.

Dëmet që kompensohen

Kompanitë e sigurimit me sigurimin e banesës për individët, si rregull sigurojnë edhe pajisjet shtëpiake deri ne 30% te vlerës se ndërtesës, paratë dhe sendet me vlerë, duke filluar nga 500-2500 € për secilin, shpenzimet e zhvendosjes së përkohshme deri në 4,000 euro, përgjegjësia ndaj palëve të treta deri në 4,000 €. Kompanitë e sigurimit duhet të kompensojnë bizneset në 100% për humbjen e fitimit për një periudhë 12-mujore, në rast se është e siguruar 100% dhe vetëm për vlerën e kredisë. Sigurimi nga ndërprerja e biznesit është sigurim i veçantë. Kompanitë e sigurimit ofrojnë sigurim për pasuri të luajtshme (inventar, lëndë e pare, mall ne proces, makineri, pajisje, linja përpunimi, etj), si dhe pasuri të paluajtshme, si (apartamente, vila, fabrika, zyra administrative, njësi biznesi, etj), e ju dëmshpërblen për humbjen, dëmtimin ose shkatërrimin e pasurisë së siguruar në mënyrë te papritur , të paparashikuar dhe aksidentale. Kompanitë e sigurimit pohojnë se bizneset, për të kursyer, tentojnë përgjithësisht të mos sigurojnë gjithë vlerën e pronës, por vetëm atë që kanë lënë si kolateral për kredi dhe në këto raste ato dëmshpërblehen vetëm për vlerën e sigurimit të kredisë. Ngjarjet që sigurohen bizneset janë kryesisht zjarri, rrufeja, shpërthimi, rënia e Avionëve dhe/ose pjesëve prej tyre. Rreziqet shtesë përfshijnë tërmetin, rrëshqitja e tokës, përmbytja, rritja e nivelit të ujërave, stuhia, vjedhja, thyerja e xhamave, impakti me mjetet, zhurmat SuperSonike, aktet keqdashëse, grevat, ngujimi i punonjësve dhe trazirat Civile.

Ligji

Tërmeti i mëngjesit të së martës, ndër më të rëndët që kanë goditur ndonjëherë Shqipërinë, solli pasoja të rënda në jetë njerëzore, të plagosur dhe dëme materiale. Megjithëse bilanci i dëmeve do të kërkojë kohë, kronika e orëve të para tregon se ky bilanc do të jetë i rëndë për shumë nga qytetarët e prekur. Tërmeti dëshmoi sërish përmasat e mëdha të rrezikut të fatkeqësive natyrore, jo vetëm për jetën, por edhe për ekonominë e njerëzve. Nëse para forcave madhore të natyrës jemi të pafuqishëm, e vetmja gjë që mund të bëjmë është të minimizojmë rrezikun ekonomik nga fatkeqësitë e këtij lloji. Por, për fat të keq, shqiptarët janë pothuajse tërësisht të zbuluar edhe përballë dëmit ekonomik të shkaktuar nga këto fenomene. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në nëntë muajt e parë të këtij viti, primet e sigurimit nga fatkeqësitë natyrore ranë me 29% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithsej, në nëntë muaj u shpenzuan vetëm 882 milionë lekë për t’u siguruar nga zjarri dhe forcat e tjera të natyrës. Kjo shifër përbën vetëm 7.4% të volumit total të tregut të sigurimeve. Mesatarisht, çdo shqiptar këtë vit ka shpenzuar vetëm dy euro e gjysmë për frymë në prime të sigurimit kundër forcave të natyrës. Shqipëria është zonë sizmike dhe potencialisht rreziku nga tërmetet është i lartë, pa llogaritur që në dekadat e fundit është prekur edhe nga fatkeqësi të tjera me pasoja të rënda, kryesisht përmbytje. Por, pavarësisht rreziqeve të mëdha potenciale, që shpesh herë janë materializuar edhe më dëme të konsiderueshme vit pas viti nuk duket të ketë ndonjë rritje të ndërgjegjësimit të publikut për t’u siguruar. Prej vitesh po diskutohet për ngritjen e një skeme kombëtare të sigurimit nga fatkeqësitë, projekt ky i nxitur nga Banka Botërore. Por, megjithë fatkeqësitë e njëpasnjëshme të ndodhura, qeveritë deri tani nuk e kanë marrë përsipër ngritjen e një skeme të tillë.

Dokumentet

Për të marrë kompensimin e dëmit dokumentet që nevojiten janë si vijon. Njoftim kërkesa, polica e sigurimit, dokumentacionin e pronësisë të objektit të dëmtuar. Raporti i policisë për ngjarjen(në varësi të ngjarjes). Vendimi i prokurorisë për ngjarjen (në varësi të ngjarjes). Fotografi të vendit të ngjarjes dhe objektit të dëmtuar. Preventiv paraprak (në rast se disponohet). Afati ligjor për trajtimin e rastit është 60 ditë nga data e njoftim kërkesës.

Qeveria ka hartuar një projektligj, ende të pa miratuar, sipas të cilit do t’i nënshtrohen kontrollit teknik të gjitha godinat e ndërtuara para vitit 1970. Kështu sipas draftit të hartuar, të gjitha ndërtesat publike dhe jo publike, të cilat janë ndërtuar mbi 50 vite më parë do t’i nënshtrohet kontrollit teknik. Ky është propozimi më i fundit i qeverisë nëpërmjet ndryshimeve të reja ligjore të paraqitura në Parlament. “Të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, i nënshtrohen procesit të auditimit teknik.”, thuhet në amendamentin e paraqitur nga Qeveria.

Bizneset, për të kursyer, tentojnë përgjithësisht të mos sigurojnë gjithë vlerën e pronës, por vetëm atë që kanë lënë si kolateral për kredi dhe në këto raste ato dëmshpërblehen vetëm për vlerën e sigurimit të kredisë. Ngjarjet që sigurohen bizneset janë kryesisht zjarri, rrufeja, shpërthimi, rënia e Avionëve dhe/ose pjesëve prej tyre

882 milionë lekë u shpenzuan në nëntë muaj për t’u siguruar nga zjarri dhe forcat e tjera të natyrës. Kjo shifër përbën vetëm 7.4% të volumit total të tregut të sigurimeve.

30 % e vlerës së ndërtesës sigurohet nga kompanitë private për elektroshtëpiaket. Ndërkohë shpenzimet e zhvendosjes së përkohshme dhe përgjegjësia ndaj palëve të treta mbërrijnë deri në 4000 euro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet