Shqiptarët nuk i besojnë më kësaj klase politike

Riza Hoxha

Ne shqiptarët edhe pse në të rrallë na shkon në mendja të protestojmë, mezi arrijmë të mblidhemi bashkë. Paçka se tashmë  e shohim se, “jemi pushtuar” nga një mjerim e varfëri që radhë kund shihet në të  tilla përmasa. Të paktën në kontinentin plak  nuk duket kund tjetër, veç Shqipërisë. Ne, edhe kur na shkon mendja të protestojmë, e bëjmë këtë kur na thërrasin partitë. Për ta, ne bëjmë hatanë, ndërsa për vete dhe fëmijët tanë as nuk e çajmë kokën. Varfëria na është shtruar këmbëkryq në sofër, po ne heshtim. Sikur i trembemi ndokujt. Tashmë e dimë mirë se, hendeku i ndarjes mes oligarkisë politike dhe shumicës së shqiptarëve të stërvarfëruar është i thellë. Kjo shihet edhe në protestat e këtij viti ku evidentohet fakti se, oligarkia politike e ka humbur plotësisht besueshmërinë e shqiptarëve. Evidente është se, shqiptarët tashmë kanë humbur çdo lloj besimi te kjo oligarki, ndaj e kanë hedhur vështrimin për t’u larguar ku të mundin, vetëm t’i shpëtojnë kthetrave të kësaj oligarkie të pashpirt që pas afro 30 viteve të qëndrimit në pushtet ka treguar se vetëm shtet nuk mund dhe nuk di të bëjë. Madje, nuk ia ka idenë si mund të ngrihet një shtet. Aq sa po kënaqet se ka mundur në 30 vjet të ngrejë një gjysmështet të çuditshëm, sa ka tromaksur edhe miqtë ndërkombëtarë, që kanë rënë në hall me këtë krijesë të çuditshme shqiptare. Protestat e këtij viti evidentuan edhe një fakt tjetër. Nuk është zënë fare në gojë korrupsioni alarmant që ka pushtuar të gjitha institucionet shtetërore. Korrupsioni që është shkaku kryesor i varfërimit të tejskajshëm të shumicës së shqiptarëve. Është evidente që shqiptarët tashmë nuk i besojnë kësaj klase politike si në pozitë, ashtu edhe në opozitë. Tashmë gjithë shqiptarët e kanë të qartë se kanë mbetur në kurthin e një klase politike krejt të rrjedhur që as ia ka idenë e drejtimit drejt së ardhmes, por vetëm drejt një gjysmë shteti oligarkik. Oligarkisë politike  shqiptarë tashmë duhet t’i mbushet mendja një herë e mirë se shqiptarët më nuk i ka me vete. Madje është bërë krejt e urrejtshme  për ta. Sepse është ajo shkaktarja e vërtetë e mjerimit që ka zënë me thonj  shumicën e shqiptarëve. Është e neveritshme çfarë po evidenton Vettingu që sapo ka nisur. Pjesa më e madhe e plazhistëve të Durrësit askush nuk e di si u kthyen në pak vite në milionerë. Është e neveritshme që edhe më tej t’u lihet atyre kjo dreq Drejtësie. Mjafton të kujtojmë oligarkët e politikës që kanë plaçkitur me miliona, po asnjëherë nuk janë ndëshkuar. Bile, as nuk pritet të ndëshkohen së shpejti. Është e çuditshme që shumë prej plazhistëve të Durrësit vetëm u larguan nga sistemi. Pa asnjë ndëshkim për milionat açik të vjedhura. Gati vetëm sa nuk iu dha dekoratë pse pranuan të largoheshin menjëherë. Në Shqipërinë tonë vazhdojnë të ndodhin gjëra të çuditshme, si kjo e fundit, Shqiptarët presin shumë ndryshime  rrënjësore. Sepse këto 30 vitet e demokracisë mund të vlerësohen krejtësisht të humbura. Para se të vazhdojmë të bërtasim për votime, duhet të ndryshojmë sa më shpejt kodin zgjedhor, që zgjedhja e kandidatëve të mos i lihet në dorë “mbretit”, kryetarit të Partisë, që i zgjedh kandidatët në mesnatë, po anëtarësisë. Përndryshe, shqiptarët do të vazhdojnë të mbeten nën sundimin e pakicës oligarkike të pashpirt. Siç po ndodh realisht tani. Kjo është arsyeja që shqiptarët kanë braktisur votën. Sepse e dinë si votuan si nuk votuan për shumicën e shqiptarëve nuk ka ndonjë ndryshim. Varfëria dhe  korrupsioni e akraballëku do të vazhdojnë me të njëjtat ritme  të na sundojnë. Sot shumica e shqiptarëve edhe kur shkojnë të votojnë, votojnë sipas parimit “votën po ia japim të keqes më të vogël”. Ndaj asnjë mostër politike nuk ka pse të duartrokasë për fitoren, as më 30 qershor, as me 13 tetor (nëse kjo ditë pjell ndonjë xhevahir  të çuditshëm për shqiptarët). Është e domosdoshme që kjo oligarki politike, para së të kërkojë zgjedhje të parakohshme duhet të na tregojë ne shqiptarëve të lodhur  nga varfëria dhe padrejtësia që  ajo ka instaluar për disa të vërteta si, bie fjala, për Gërdecin, krimin e përbindshëm shtetëror që ka çuditur gjithë botën me demontimin e tonelatave të predhave as 100, apo 200 metra larg banesave, apo për vjedhjen e 220 milionë dollarëve të rrugës së Kombit. Mali i poshtërsive gjatë këtyre afro 30 viteve është i madh sa ia kalon edhe Everestit. Sa edhe BE ka rënë në hall. Të na lejë në fatin tonë të trishtë, apo  të na pranojë në gjirin e saj?  Pavarësisht se çfarë ndodh në tetor, nëse BE pranon të nisë bisedimet me ne, vetëm oligarkia politike duhet të heshtë. Për poshtërsitë e saj, Evropa nuk duhet të na pranojë as në shekujt e ardhshëm. Këtë ajo duhet ta dijë mirë. Me këtë klasë politike, ne do të vazhdonim të mbeteshim në oborrin e Evropës, po asnjëherë brenda saj. Sepse të gjithë e dinë: gjynahet e kësaj oligarkie politike janë aq të rënda sa askush nuk do të merret më me to. Po vetëm t’u qëndrojë sa më larg. Sepse vështirë se ajo mund të ndryshojë. Këto ditë kemi dëgjuar të  djathtën duke mërmëritur se, Drejtësia është vënë në himnin e pushtetit.  Ndoshta, po cila është zgjidhja? Sepse të mbahej edhe më kryeprokuror Adriatik Llalla ishte më shumë se qesharake. Të mbahej Adriatiku  që gjatë  një 5-vjeçari mori rrogën vetëm me premtimin “do të fus në burg ministra e ish-ministra”. Në mënyrën më qesharake, këto premtime i përsëriste siç përsërit një fëmijë vjershën e mësuar përmendësh në kopsht. Dhe jo pak, por plot 5 vjet. Është problem tjetër se Vettingu  po na tregon se, në Drejtësi të pastërtit janë aq të paktë sa ne shqiptarët në horizont po mbetemi pa Drejtësi. Zgjidhjen e problemit ta gjejnë specialistët, pa për shqiptarët, më mirë pa të, se dreqin mafioz e plaçkaxhi në shtëpi. Sot kemi mbetur pak në këtë vendin e shqiponjave. Nesër siç po na shohin sytë, do të mbetemi edhe më pak. Madje, OKB na paralajmëron se shpejt do të mbetemi vetëm 860 mijë. Aq sa janë familjet e oligarkëve. Vetëm atëherë oligarkët do të nisin të hanë njëri-tjetrin. Ndërsa ne që jemi shumica e shqiptarëve nga azili do t’i mallkojmë … 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet