Shqiptarët në luftë për mbijetesë, pa qeverinë

Arben Rrozhani
Sekretar për PR i partisë ‘Zgjidhja’

Më 19 mars, duke prezantuar të ashtuquajturin planin e masave të luftës kundër coronavirusit, me vlerë rreth 370 milionë dollarë, Edi Rama iu drejtua shqiptarëve, duke thënë se si vend, ‘do të ishim vetëm’, pra pa ndihma të huaja. Plani i tij parashikonte 100 milionë dollarë si garanci sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve, 65 milionë dollarë për nevojat më imediate për shtresat në nevojë, biznesin e vogël dhe për të papunët, ndihma që nuk do të jepen për tri javët e izolimit në mars.

Sipas kryeministrit, plani financiar mbështetës i qeverisë do të jetë për më dobëtit për të siguruar mbijetesën në luftë. “Përrallat me Amerikën dhe Gjermaninë nuk janë për ne. Ne do të financojmë jo jetesën në luftë, por mbijetesën”.

T’i lëmë 2 trilionë dollarët që SHBA-të do të japin për ekonominë dhe popullin, apo Gjermaninë që parasheh një faturë mbi 500 miliardë euro. Çfarë po bëjnë vendet rrotull nesh?

Serbia do të ofrojë rreth 5 miliardë euro kredi dhe subvencione për bizneset për t’i ndihmuar ata të përballen me ndikimin ekonomik të koronavirusit; shteti do të bëjë një pagesë prej 100 eurosh për çdo qytetar serb më të vjetër se 18 vjeç, për rreth 5 milionë njerëz; bankat lokale pritet të “hedhin” rreth 2 miliardë euro në një fond për të cilin shteti do të sigurojë një shtesë prej 1,25 miliardë eurosh garanci. Fondi i zhvillimit të Serbisë do të shtojë 200 milionë euro të tjera; 700 milionë euro për të paguar pagat minimale prej 288 dollarësh dhe të lejohen vonesat e taksave për ndërmarrjet e vogla për tre muaj pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme për të shmangur humbjen e vendit të punës.

Në Maqedoninë e Veriut, prej disa ditësh, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorët e hotelierisë, turizmit dhe transportit të mallrave mund të aplikojnë për kredi pa interes nga 3.000 deri në 30.000 euro. Ministria e Financave tha se do të ketë ndihma me rreth 600 milionë euro, 400 milionë do të sigurohen përmes Eurobondit, 87 milionë do të kërkohen nga FMN-ja dhe 100 milionë euro priten nga Banka Botërore për politikat e zhvillimit.
Në Kosovë për tri muaj, qytetarët me ndihmë sociale do të marrin një asistencë shtesë mujore; për pensionet nën 100 euro, do të ndahen 30 euro shtesë në baza mujore; ndihmohen kompanitë me mbulimin e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e ardhshëm; financim shtesë për komunat më të prekura; për stafin mjekësor, policinë dhe zjarrfikësit qeveria do të ndajë një shpërblim shtesë në masën fikse prej 300 eurove për secilin nga dy muajt në vijim.

Për ata punëmarrës që humbin punën përgjatë kësaj periudhe, që merr përsipër pagesën e një asistence mujore në masën e 130 euro për 3 muajt e ardhshëm. Qeveria do të përpilojë një pako përmes së cilës këto kompani mund të sigurojnë likuiditet financiar për një periudhë maksimale prej 24 muajsh dhe shumë maksimale prej 10.000 eurosh, ku qeveria merr përsipër mbulimin e kostos së kredisë. Qeveria do të rrisë buxhetin për grante dhe subvencione në Ministrinë e Bujqësisë për 5 milionë euro.

Në Greqi, qeveria po harton një paketë të re masash për të mbështetur punonjësit dhe bizneset e prekura nga pandemia e koronavirusit, përveç masave të para, për ndihmën prej gati 10 miliardë eurosh. Një paketë e re mbështetëse prej 2-3 miliardë eurosh për punëdhënësit dhe punonjësit po përgatitet për periudhën dy-mujore nga maji deri në qershor; një plan për të rritur likuiditetin e korporatave në formën e granteve, kredive dhe garancive të kredisë në shumën prej 6-12 miliardë eurosh; qeveria është duke punuar për një plan subvencionimi të normës së interesit për kreditë e dhëna deri në fund të viit 2019; qeveria do të ndryshojë buxhetin e vitit 2020, ku do të përfshijë edhe humbjet e të ardhurave për shkak të pandemisë. Masat e tjera mbështetëse do të vijnë nga fondet e Bashkimit Europian, të cilat nuk do t’i shtohen borxhit të Greqisë, 1,8 miliardë euro nga fondet europiane të papërdorura, ndërsa BE siguron fleksibilitet në përdorimin e fondeve strukturore, të cilat mund të gjenerojnë një shtesë 2 deri në 5 miliardë euro.

Është e qartë panorama: Qeveritë, nga vendet e varfra si në Kosovë, deri te më të pasurat si në Greqi, po injektojnë fonde në ekonominë kombëtare, po japin likuiditete për biznesin e vogël e të mesëm, po ofrojnë lehtësira, kredi, falje detyrimesh. Ndihma ndaj tyre është, ndikimi direkt te ekonomitë kombëtare, vendet e punës dhe mirëqenia e njerëzve.

Shqipëria, edhe në këtë rast, bën përjashtimin e madh. Meraku i saj i madh është lëmosha për disa shtresa në nevojë dhe aksioni i shpërndarjes së qeseve me disa ushqime është bërë shqetësimi kryesor i pushtetit qendror dhe vendor, plot propagandë.

Qeveria nuk ka asnjë plan për të bashkëpunuar me sistemin privat bankar për të injektuar fonde për interesat e kohës së krizës, veç një urdhri të pazbatueshëm të qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë drejtuar bankave dhe që nuk zbatohet. Nuk ka asnjë plan për të dhënë ndihma shtesë. Jashtë mbështetjes financiare kanë mbetur shumë sektorë të paralizuar si turizmi, media apo sporti. Kjo ‘luftë për mbijetesë’ tregon më së miri se si përdoren paratë e taksapguesve shqiptarë: Shteti ua mbledh një më një ato, madje edhe me dhunë e penalizime, por kur vjen një ditë e keqe, si kjo e coronavirusit, qeveria nuk është askund për t’i kthyer mbrapsht, për të ringritur ata që e mbajnë në këmbë.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet