“Shqiptarët e Zvicrës i ka ndihmuar në integrimin e tyre identiteti i dyfishtë”

Publikuar më 04. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Filmi dokumentar “Po sikur të shkojmë në Zvicër?” i Donika Mustafaj prezanton shqiptarët, që jetojnë dhe punojnë prej më shumë se 20 vitesh në këtë vend. Regjisorja rrëfen se ata kanë mbetur kulturalisht shqiptarë, nuk janë asimiluar, pas një bashkëjetese të gjatë me zviceranët                                 

Filmi dokumentar “Po sikur të shkojmë në Zvicër” i regjisores Donika Mustafaj u prezantua në kinema para pak ditësh. Në vëmendje të regjisores kësaj here ishin shqiptarët e Zvicrës, posaçërisht ata që u larguan pas shembjes së diktaturës dhe Shqipëria u hap. Regjisorja në një intervistë për gazetën “Shekulli” rrëfen se gjatë punës për dokumentarin në fjalë, për këtë komunitet në Zvicër, i cili është i vogël krahasuar me komunitetet shqiptare të ngulura në vendet e tjera evropiane, ka parë një komunitet të integruar shumë mirë.

Shumë prej këtyre shqiptarëve, emra të njohur si, Sokrat Sinaj (shkencëtar), Asllan Karaj (avokat), Besa Myftiu (shkrimtare), Elina Duni (këngëtare), Dritan Abrazhda (mjek) etj., po bëjnë karrierë profesionale të lakmueshme. Rruga e tyre, sipas Mustafajt, është çelur fillimisht në sajë të një shkollimi të mirë dhe është vazhduar në sajë të seriozitetit, të këmbënguljes dhe të vullnetit të secilit për të përparuar, duke ndërtuar për veten dhe për familjen një jetesë të ëndërruar.

Shembujt dhe përvojat e tyre rrëzojnë klishetë dhe stereotipet negative, me të cilat damkoset shpesh  emigracionin shqiptar edhe në Zvicër ashtu si në shumë vende të tjera europiane. Personazhet e Donika Mustafajt në këtë film janë njerëz të shkolluar mirë, të cilët kanë si cilësi të përbashkët mendjen e hapur. Ata nuk u shmangen përgjigjeve, të cilat gjithashtu janë delikate për sedrën e tyre, dhe hedhin mbi veten vështrime shumë interesante, duke e ndihmuar autoren të ndërtojë një narrativë realiste për të shkuar në thelbin e çështjes që shtron. Në këtë frymë sinqeriteti të komunikimit të autores me personazhet e veta, rrëfimi filmik sjell shpesh episode plot me humor, të cilat janë, përveç të tjerave, edhe argëtuese për spektatorin.

Nëse do të duhej përmbledhur ky rrëfim, do te ishin të përshtatshme fjalët e një zonje, e cila thotë: “Në sytë e zviceranëve, me të cilët punoj e jetoj, unë jam shqiptarja. Kur vij në Shqipëri, në sytë e miqve apo familjarëve të mi, unë jam zvicerania”. Do thënë se një vlerë e veçantë e këtij filmi dokumentar është trajtimi i temës së identitetit të emigrantëve të brezit të fundit larg të gjitha folklorizmave dhe euforive, që kanë mbisunduar zakonisht në veprat kinematografike me këtë temë. Autorja nuk merr përsipër të na thotë se kjo gjë është e mirë apo e keqe. Ajo thjesht na e zbulon si një realitet. Me të njëjtin guxim krijues ajo shtron në veprën e saj edhe pyetjen tjetër e që është më e vështirë: nëse këta shqiptarë do të kthehen një ditë përfundimisht në atdheun e tyre të origjinës. Dhe shikuesi kupton se jo, ata nuk do të kthehen përveçse me pushime.

Zonja Mustafaj, si lindi ideja për realizimin e dokumentarit “Po sikur të shkojmë në Zvicër”?

Vitet e fundit janë bërë disa dokumentarë dhe reportazhe televizive lidhur me fatin  e ri, që kanë ndërtuar emigrantët shqiptarë në Zvicër. Por me këtë dokumentarë dëshiroj të hedh dritë mbi realitetin e protagonistëve, që kam përzgjedhur në dokumentar, duke prekur temën e shmangur përgjithësisht nga autorët e tjerë, atë të identitetit të këtyre shqiptarëve tani. Ata kanë kaluar 15 apo 20 vjet në Zvicër dhe kanë ndërtuar familje aty, janë bërë shtetas të atij vendi dhe kanë një karrierë të lavdërueshme profesionale.

Ky dokumentar lindi pas përcaktimit të temës edhe nga drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, i cili më caktoi të bëja një dokumentar për emigracionin.

Cila është puna kërkimore, që keni bërë për realizimin e tij?

Fillimisht nisa të hulumtoja në internet edhe jo vetëm, sepse historia e vogël e tyre bën edhe historinë tonë të madhe. por, duke kërkuar rreth tyre mësova për një radio prestigjioze të Zvicrës, e cila në një emision trajtonte temën “Pesë gjërat që duhet të dini për shqiptarët”. Kjo gjë më kuriozoi, se në të thuhej se një nga gjërat që duhet të dinin njerëzit për shqiptarët është se: “Shqiptarët janë me komplekse”. E kisha dëgjuar shumë herë këtë përcaktim, të cilin e quaj pezhorativ për emigrantët shqiptarë, që janë jo vetëm në Zvicër, por edhe në vende të tjera. Kjo gjë më nxiti që të nisja punën për të mësuar se nga u buron ky përcaktim të huajve për shqiptarët.

Sigurisht që Zvicra është një vend shumë pak i njohur për ne shqiptarët, është një vend heterogjenë, nga tetë milionë banorë, ku 2 milionë i ka të huaj. Pra isha kurioze që të dija, se si e gjejmë veten shqiptarët në një vend kaq heterogjen siç është Zvicra, si ndihen shqiptarët atje? Njëkohësisht, duke u nisur po nga ky emision, mbajta një qëndrim të tillë, që t’i kundërvihesha kësaj ideje për shqiptarët në Zvicër.

A keni arritur një rezultat tuajin nëse shqiptarët kanë ose jo komplekse?

Kur i pyes shqiptarët për këtë gjë në dokumentar mësoi se ata nuk kanë fare komplekse. Këtë gjë ata e thonë edhe vet.

Duke parë personazhet tuaj në këtë dokumentar, na bën të mendojmë se emigracioni në Zvicër është elitar?

Emigrantët në Zvicër kanë bërë një karrierë të lakmueshme. Ndihen mirë dhe janë të integruar mirë. Por, e pashë edhe në një këndvështrim tjetër, që e quaj të veçantë; kontradiktën e identitetit të dyfishtë. Duke u nisur nga kjo, sigurisht që identiteti është thelbi i çdo njeriu, por isha edhe kurioze që të dija se si e prezantojnë ata veten, përpara vetes edhe para zviceranëve. Nuk ndala në teori sociologjike, por jam munduar që të shoh se sa në paqe janë këta shqiptarë me veten e tyre. Sigurisht që, tregojnë shumë gjëra, që kalojnë me humor, por janë edhe shumë sfida, që i kanë përballuar me shumë mund dhe sukses.

Cilat janë ato tipare apo karakteristika, që i bëjnë shqiptarët e Zvicrës ndryshe?

Unë nuk i pashë ata me komplekse, madje ky dokumentar për mua ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë, pasi personazhet ishin të hapur edhe të ndershëm me veten e tyre. Ata thonin për veten e tyre gjithçka, qoftë edhe hallet që kalonin. Kjo gjë mendoj se i dhënë dokumentarit një frymë tjetër, sepse ata i paraqesin problematikat e tyre, si gjatë integrimit edhe tani. Në një farë mënyre ky dokumentar bën edhe një farë bilanci.

Ka ardhur koha që të hedhim vështrimin tek diaspora, tek kjo pjesë e shqiptarëve, që në mënyra të ndryshme mundohen, që të mbajnë ura lidhëse midis vendit të tyre edhe vendit tonë. Duhet parë, sepse sot një nga sfidat e shtetit shqiptar është emigracioni, prandaj ka ardhur koha që ta kthejmë kokën ndaj problemeve, që ka emigracioni. Aq sa pashë, edhe aq sa zhvillova intervista unë mendoj se ata janë ajka.

Përse ajka?

Ata nuk kanë shkuar atje për bukën e gojë dhe as nuk atje rrinë për këtë gjë. Por kanë shkuar me një qëllim të caktuar. Secili ka arsyet e veta edhe këto janë të ndryshme. Profesor doktor Sokrat Sinaj është shkencëtar, që merret me agrikulturën. Asllan Karaj, avokat i dëgjuar në Lozanë, që ka arritur një sukses shumë të madh. Besa Myftiu shkrimtare. Elina Duni, vajza e Besës këngëtare e njohur. Dritan Abrazhda ishte shef i një klinike shumë të rëndësishme për organet e brendshme, që kishte hyrë jo me pak mund në këtë profesion. Mësova se Zvicra ka një kallëp të sajin, që nëse nuk futesh brenda saj, nuk do të të kuptonin dot.

Dhe së fundmi, sa i ruajnë lidhjet me Shqipërinë këta emigrantë?

A kanë mbetur ata kulturalisht shqiptarë pas një bashkëjetese të tillë të gjatë me zviceranët, apo janë bërë mirëfilli zviceranë?! Thënë ndryshe, a ka qenë për ta integrimi i nevojshëm në të vërtetë një asimilim kulturor? Jam kujdesur deri në fund të filmit për të mos i gjykuar personazhet, duke dashur vetëm të tregoj çfarë ka ndodhur në thelbin e identitetit të tyre, duke marrë guximin t’u shtrojë atyre shumë pyetje delikate për atë që ne e quajmë “krenaria shqiptare”. Është ngjizur pra, një identitet i dyfishtë shqiptaro – zviceran. Shtroj pyetjen nëse ky identitet i dyfishtë, apo më konkretisht, pjesa e tij shqiptare, i pengon këta njerëz të integrohen në shoqërinë zviceriane.

Nuk ndjek rrugën më të thjeshtë e që do të ishte rruga më pak artistike, për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, sepse mendoj se një pohim ose një mohim nga ana e protagonistëve do të ishte një varfërim i narratives filmike. E rindërtoj romanin e suksesit të këtyre zonjave dhe zotërinjve, më të shumtët e të cilëve kanë mbërritur në Zvicër në moshën e studentit dhe tani janë bërë prindër me fëmijë të rritur. Përvoja e secilit prej tyre dëshmon se ky identitet i dyfishtë ka qenë kryesisht një pasuri kulturore për ta, rrjedhimisht edhe e ka ndihmuar integrimin e tyre. Protagonistët kanë tashmë një identitet të ri e që është pikërisht ky identitet i dyfishtë.