Shqipëria U 21 del “huq”, zbehen shanset për kualifikim

Publikuar më 11. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Alban Bushi: Duhet të ishim në kuotën e 15 pikëve pasi kemi luajtur më mirë se kundërshtarët, por gjithmonë gabojmë në fundin e ndeshjes

Kombëtarja e Shpresave barazon 1-1 ndaj Irlandës së Veriut në kuadër të eliminatoreve të “EURO 2019”. Një barazim që zbeh shanset e kuqezinjve të ngjitet në vendin e dytë në grupin 2. Shqipëria kalon e para në avantazh, por nuk arrin të mbajë rezultatin duke pësuar gol në fundin e ndeshjes. Me këtë rezultat, kuqezinjtë pozicionohen në vendin e 3 në kuotën e 6 pikëve. Topin e parë e luajnë miqtë dhe rrezikun e parë e japin që në minutën e 5 pas një gabimi të mbrojtjes kuq e zi. Pas tre minutave Bare hedh një krosim drejt zonës por goditja e Abazaj përfundon jashtë kuadratit. Në minutën  e 24 mesfushori i Atletico Madrid, Kleidi Bare ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrje të gabuar ndaj kundërshtarit.

Shqipëria tenton të surprizojë me Rubin Hebaj por topi i goditur prej tij përfundon në duart e portierit mik. Në fundin e pjesës së parë ndëshkohen me karton të verdhë dy futbollistë të Irlandës,  Xhonson dhe Smith. Mbyllet pjesa e parë me portat e paprekura. Në pjesën e dytë Shqipëria bën një zëvendësim duke futur në vendin e Hebaj sulmuesin Agim Zeka. Kuqezinjtë përdorin një skemë mjaft të bukur por  nuk arrijnë të shënojnë. Zeka tregohet shumë i rrezikshëm por është i pafat përballë portës kundërshtare. Pas tre minutash largohet nga fusha e lojës Keidi Bare dhe futet në lojë Qazim Laçi.

Zhbllokimi i rezultatit vjen në minutën e 83 ku Ylber Ramadani godet me preçizion dhe e dërgon topin në cepin e majtë të portierit Mitçel. Një moment festë në stolin kuq e zi por më pas ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Në minutën e 89 vjen goli i miqve që përfitojnë nga një gabim i mbrojtjes tonë. Leveri godet saktë topin me kokë duke baraspeshuar gjithçka. Trajneri Alban heq nga loja Çekiçin dhe inkuadron Bytyqin por as kjo lëvizje nuk ndryshon rezultatin e sfidës. Përfundon dhe ky takim me shifrat e barabarta 1-1 duke i hequr një shans të madh Shqipërisë për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim. Pas takimit, trajneri i kombëtares së Shpresave, Alban Bushi u shpreh shumë i zhgënjyer nga rezultati duke theksuar se meritonim të fitonin ashtu si në sfidat e tjera.

Ai vuri në dukje se kundërshtarët ishin dy vite më të mëdhenjë se lojtarët e Shqipërisë. “Më vjen vërtetë keq që u ndëshkuam në këtë mënyrë, sepse kemi bërë një lojë mjaft të mirë. Mund të them se me lojën e zhvilluar në këtë edicion, duhet të kishim 15 pikë të plota, sepse i kemi dominuar të gjithë kundërshtarët, por për fat të keq jemi ndëshkuar nga këto gabime të vogla dhe nuk kemi marrë rezultatet e duhura. Jam i bindur që kemi merituar shumë më tepër, por në futboll fati është shumë i rëndësishëm dhe këtë herë nuk ka qenë me ne.

Nuk duhet të lëmë pa përmendur faktin se kundërshtari kishte në fushë futbollistë 21 vjeçarë, që luajnë në ligat angleze, ndërsa një pjesë e mirë e djemve tanë janë vetëm 19-vjeçarë, por sërish ne arritëm të përballemi si duhet. Gjithsesi, ne jemi një ekip në shërbim të kombëtares së madhe dhe më vjen mirë që Panuçi shikon te ne element për skuadrën e tij. Ne aktualisht kemi 4-5 futbollistë që mund të luajnë pa frikë në kombëtaren e madhe dhe kjo u pa qartë edhe sot”, tha Bushi.