Shqipëria po merr në qafë edhe Maqedoninë e Veriut

Arben Rrozhani

Shqipëria, jo vetëm që nuk ka më shpresa për integrimin në BE, por po bëhet pengesë edhe për vendet e tjera të rajonit. Këtë ka lënë të nënkuptohet Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në një intervistë dhënë gjatë vizitës në Bruksel, një ditë më parë. “Kryqëzimi i rrugëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për në BE, duke i dhënë dritën jeshile të parës dhe duke shtyrë fillimin e bisedimeve të pranimit për të dytën, nuk është gjëja më e mirë, por është e vetmja rrugë përpara. Problemi më i madh tani është “çiftimi” me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë”-the presidenti i zgjedhur një muaj më parë.
Deklaratat e kreut të shtetit maqedonas, nuk duhet të habisin askënd. Ky është fundi i trishtë i rrugëtimit 30-vjeçar të Shqipërisë, drejt Europës, i penguar nga elita e vjetër politike.
Shqipëria, edhe pse ishte ndër vendet e para në rajon që nisi procesin e afrimit me BE-në, tani është në fund të listës dhe e vetmja gjë e sigurtë është se negociatat nuk do të hapen as këtë vit, ndërsa pas Holandës, edhe Zvicra po mendon të kërkojë rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë.
Për këtë nuk mund të fajësohet as Holanda, as Franca, as Gjermania dhe asnjë shtet tjetër që nuk mund të bindet për hapjen e negociatave për një vend të ngërthyer nga krimi, korrupsioni, bjerrja e vlerave demokratike dhe rënia e shtetit të të drejtës.
Shembulli i Maqedonisë së Veriut dhe apeli i saj për të mos qenë në një ‘skuadër’ me Shqipërinë, është një akuzë për elitën politike në Shqipëri. Edhe pse me burime më të kufizuara se sa Shqipëria, pa dalje në det dhe me shumë probleme të brendshme etnike dhe politike, ajo arriti të bëhet vendi më tërheqës për investimet e huaja, drejt të cilës po shkojnë madje edhe bizneset shqiptare; mbylli mosmarrëveshjet me Greqinë për emrin, duke nënshkruar Marrëveshjen e Prespës dhe tani e ka të sigurtë hapjen e negociatave me BE-në.
Shqipëria është në kaos institucional dhe pa perspekivë.
Partia ‘Zgjidhja’ apelon se vetëm një zgjidhje politike brenda vendit, një Pakt i madh Kombëtar, duke reformuar kushtetutën dhe zgjedhjet do të shmangë ndarjen e Tiranës nga Shkupi në procesin e integrimit në BE. Ndryshe, jo vetëm nuk do të shkojmë drejt BE-së, por kjo e fundit do të detyrohet të kthehet sërish në Shqipëri, si 22 vite më parë, me forcat paqeruajtëse.
*Sekretar për PR i partisë ‘Zgjidhja’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet