Shqipëria pa shqiptarë

Koço Kokëdhima

Përditë e më tepër po konfirmohet ajo që ZGJIDHJA e ka thënë prej kohësh: Qeveria po i përzë shqiptarët e aftë nga vendi dhe këtu do të mbesin vetëm pleqtë, të sëmurët, të pamundurit për të ikur dhe fëmijët. Instituti i Statistikave tregon se çdo vit janë larguar nga vendi mbi 40 mijë persona në këtë periudhën e fundit dhe popullsia u ul me 0,2 për qind vitin e kaluar. Gati gjysma e këtyre që ikën për të mos u kthyer janë të rinj deri në 19 vjeç, duke i dhënë vendit goditjen më të rëndë që prej eksodeve të fillimviteve ’90. Me këto ritme, skenari i zi nuk është larg dhe në Shqipëri do të mbeten shumë pak shqiptarë, sepse edhe familjet e reja nuk duan të lindin fëmijë, për mungesë të kushteve ekonomike dhe në një vend që nuk ofron asnjë perspektivë.

Në vend të shqiptarëve që po ikin në një eksod të pandalshëm, qeveria më antipopullore në historinë e Shqipërisë, do të pranojë mijëra e mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Azia që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e vendeve anëtare të BE-së. Shkrimet e mediave të mirënjohura në botë si “Daily Mail” apo “Le Monde”, citojnë zyrtarë të rëndësishëm të BE-së që nuk e fshehin se po arrijnë një pazar me qeverinë kuislinge të Tiranës që vendi të kthehet në një kamp masiv emigrantësh të huaj, në këmbim të disa ndihmave monetare dhe mbylljes së syve për shkatërrimin e shtetit ligjor dhe të demokracisë. Ky është pazari tjetër i radhës për klikën në pushtet dhe nuk bëhet vetëm për të blerë votën e vendeve anëtare të BE-së për çeljen e negociatave në fund të këtij muaji. Kjo qeveri kështu bëri që në javët e para të ardhjes në pushtet, për të shitur interesat madhore të vendit në këmbim të përkrahjes.

Ajo ishte gati të merrte armët kimike siriane, pa asnjë kusht, vetëm që të fitonte mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë. Prej muajsh kjo qeveri po e kthen këtë vend në një superimpiant të djegës të plehrave të Europës, pas ndalimit të importeve nga Kina nga janari. Ndërtimi me nxitim i tre inceneratorëve dhe me paratë publike e tregon këtë pazar të ndyrë dhe vrasës për fatet e vendit. Mbushja me emigrantë të padëshiruar nga vendet e BE-së është thika tjetër pas shpine ndaj shqiptarëve kudo që janë e një qeveri që i ka tradhtuar interesat e tyre që ditën e parë kur erdhi në pushtet.

ZGJIDHJA do të jetë në krye të revoltës popullore kundër kësaj qeverie antikombëtare dhe të shitur për dy aspra. Ne duhet ta çlirojmë këtë vend të bekuar nga Zoti dhe t’i përmbysim kusarët dhe kriminelët që e mbajnë peng prej 27 vitesh! Shqipëria nuk meriton të jetë parajsë për tiraninë e hajdutërisë dhe ferr për popullin e thjeshtë. Ne duhet ta fitojmë këtë betejë, që të fitojmë lirinë, jetën, të ardhmen, Shqipërinë që kemi ëndërruar.

#ZgjidhjaPerShqiperine

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Enklava apo komuna?

Emilie Fort Pothuajse një vit më parë, kur shkëmbeva disa email-e, me një profesoreshë në Beograd, unë theksova përdorimin e…

Abissnet