“Shqipëria nuk ka laboratorë të sofistikuar për analiza mjekësore të detajuara”

Nga Lindita Bushgjokaj

Rektori Arben Gjata analizon situatën e publikimeve shkencore në mjekësi, kufizimet financiare për kërkime të thelluara dhe risitë që do kenë doktorantët këtë vit.

Dekani Xheladin Draçini, tha se raporti është i rremë dhe nga një person që nuk ka kapacitete për të vlerësuar aktivitetin shkencor, organi i vetëm që bën vlerësim të aktiviteteve shkencore është Ministria e Arsimit

Arben Gjata, rektor në Universitetin e Mjekësisë, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tha se ka 37 artikuj shkencor të botuar jashtë, si dhe analizon situatën e publikimeve shkencorë nga mjekët shqiptare. Gjithashtu bën me dije, se mjekët kanë publikime të gjitha niveleve në revistën shkencore të universitetit dhe cilësia e tyre vlerësohet nga Bordi Editorial. Problemi është, se në mjekësi bëhen studime klinike të cilat kërkojnë kohë dhe laboratorë të sofistikuar, por Shqipëria ofron mundësi të kufizuara për analiza të detajuara, tha ai. Rektori shpjegon risitë që do kenë doktoraturat e reja, ta cilat nuk janë në favor për mjekët që punojnë në rrethe. Ato janë bërë full-time dhe personi duhet të jetë i atashuar me punë pranë spitalit QSUT ose universitetit, pohon Gjata.

Z.Gjata, cili është qëndrimi juaj në lidhje me një raport të publikuar nga një ish-student i juaji, Z.Taulant Muka, i cili ka pohuar se akademikët kanë publikime shkencore me indeks të ulët?

Unë nuk e di, sepse nuk e kam parë këtë raport për të cilin flisni, por di që kam 37 artikuj të botuar jashtë. Në facebook mund të shikoni të gjitha punimet e mija, por kam qenë jashtë dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur ditët e fundit në Shqipëri.

 Cili është mendimi juaj në lidhje me nivelin e publikimeve në Shqipëri, kryesisht në Universitetin e Mjekësisë?

Shqipëria ka publikime nga revistat më të mira në botë, deri të revistat rajonale. Unë flas për mjekët dhe di që ka publikime të gjitha niveleve. Ka një ligj në Shqipëri që përcakton se cilat janë revistat e indeksuara në pubmed për mjekësinë.

Mendoni se ka publikime false dhe si mund ta kuptojmë një fenomen të tillë?

Një publikim false, do të thotë një publikim që ka të dhëna false. Nëse një publikim është false, gjithë përgjegjësia bie mbi Rektorin. Ka një këshill botimesh që mbikëqyr revistat tona dhe një Bord Editorial që vlerëson cilësinë e artikujve. Unë nuk merrem me cilësinë e revistës, por ajo që di është se revistat janë të indeksuara me Pubmed me regjistrat e rankuar aty, por ka edhe regjistra të tjerë që mund të mos jenë të rankuara, pasi varet nga lloji i revistës që publikon.

Mendoni se cilësia e publikimeve është një mangësi që vjen për mungesë financash apo profesionalizmi?

Publikimet bëhen në mënyrë individuale. Në Shqipëri bëjmë studime klinike të cilat kërkojnë shumë kohë për tu realizuar. Pra, për të realizuar studimet klinike duhet verifikuar ecuria e një operacioni apo sëmundje. Këto publikime që të realizohen mirë kërkojnë laboratorë shumë të sofistikuara, por Shqipëria ka ato laboratorë që ne po përdorim dhe që marrin të dhëna të përgjithshme. Nuk ka mundësi Shqipëria që të promovohet me studime të kërkimeve të thelluara, por gjëja më e rëndësishme sot është që ato ekzaminime që bëhen në botë të kemi mundësi t’i implementojmë në Shqipëri. Këto mundësi janë të kufizuara. Problemi është se revistat kanë një shifër botimi, pasi mund të kesh artikujt më të mirë në botë, por nuk ka njeri që të paguajë 2-3 mijë euro, sa mund të shkojë klikimi për një revistë.

Si janë revistat shkencore në Universitetin e Mjekësisë?

Nuk kemi mundësi financiare. Unë mezi siguroj fonde për të mbajtur praktikën. Nuk mund të heq lekët e studentëve që i kanë për shkollimin e tyre dhe t’i financoj për publikime. Edhe një pajisje anti-plagjiaturë që donim të blinim kushton gati 25 mijë euro në vit, por për një universitet është kosto dhe efektivitet shumë i ulët. Ato revista që marrim jashtë mund të jenë të regjistruara me programin anti-plagjiaturë, por këtë program nuk e kanë shumë nga universitetet perëndimore, jo më Shqipëria. Unë jam interesuar vjet për këtë program, por ky është çmimi më i ulët që japin për Shqipërinë.

Kam dëgjuar që ka një revistë për mjekët specializantë. Cili është kontributi i tyre?

Të gjithë mjekët botojnë në revistën e shkencës së Universitetit të Mjekësisë “Albania Journal of Social Sciences” dhe mjekët publikojnë pa lekë, sepse të gjitha financat e saj mbulohen nga universiteti. Kemi një këshill botues dhe vjet janë botuar dy numra nga mjekë shqiptarë dhe specializantë. Këta doktorantë kanë qenë të detyruar të botojnë artikuj në dy revista ndërkombëtare. Kjo ishte për doktorantët e vjetër, të cilët nuk mund të bënin doktorature nëse nuk kishin dy artikuj të botuar jashtë.

Kemi një datë për hapjen e doktoraturave dhe çfarë risish do kenë këtë vit?

Doktoraturat janë vonuar, sepse po pritej VKM-ja që shpjegon mënyrën sesi hapen dhe këtë vit ka ndryshime. Ato janë bërë full-time dhe duhet të jesh i atashuar me punë pranë spitalit QSUT ose universitetit.

Jeni dakord me ndryshimet e reja që do ketë për doktorantët?

Të them të drejtën ka vështirësi, pasi ju krijon probleme mjekëve që punojnë në rrethe, sidomos të mjekësia. Një specialist shqiptar që është duke punuar në Fier, me ndryshimet e reja ai duhet të qëndrojë dy vite te ne, që të mbrojë doktoratën dhe nuk do punojë më në Fier. Shqipëria ka disa karakteristika specifike për shkak të mungesës së specialistëve. Në bazë të ligjit të ri, departamentet do të përcaktojnë fushat e studimit dhe brenda tyre temat e ndryshme të doktoratës. Brenda këtij viti pritet të hapen, por këto vonesa janë më shumë histori burokratike.

Në lidhje nivelin e publikimeve shkencorë të akademikëve dhe raportit të publikuar, gazeta “Shekulli” kontakton dekanin e Fakultetit të Mjekësisë z.Xheladin Draccini, i cili përmendet në raport për mungesë të theksuar në publikime shkencore. Ai tha, se ka dijeni për raportin në fjalë, por e konsideron të rremë dhe pa bazë metodike. Gjithashtu, tha se verifikimi i artikujve shkencor duhet të behët nga organe kompetente, dhe jo nga persona të veçante.

Z.Draçini, keni dëgjuar për një raport të publikuar nga një ish-student i juaj, z.Taulant Muka, i cili ka analizuar nivelin e publikimeve shkencore. Cili është qëndrimi juaj?

Nuk e kam ndjekur me shumë vëmendje, por jam në dijeni. Ky është një material komplet i rremë dhe nuk ka asnjë bazë metodike dhe të njësuar, apo nga një person që ka kapacitete për të vlerësuar aktivitetin shkencor.

Pse mendoni se e ka bërë një raport të rremë sipas jush?

Të them të drejtën këtu nuk kam komente të tjera, pasi këtë duhet ta gjejnë organet kompetente. Në Republikën e Shqipërisë, organ i vetëm që bën verifikimin e artikujve shkencorë është Ministria e Arsimit dhe do ta merrja seriozisht nëse raporti do vinte nga ky institucion. Nuk mund ta marr seriozisht, nëse insiativa të tilla bëhen nga persona të veçantë.

 

Adhamudhët profesorë që kemi në Universitete!

Taulant Muka, ish-student i Universitetit të Mjekësisë, në një intervistë për gazetën “Shekulli” analizon nivelin e publikimeve të akademikëve shqiptarë, të bazuar në një raport investigues. Gjithashtu sqaron, se në botën perëndimorë që të marrësh titullin profesor duhet të kesh një H indeks mesatarisht 18, ndërsa pjesa më e madhe e dekanëve të universiteteve në Shqipëri kanë zero publikime dhe H-indeks 0, pohon ai.

Dr.Muka, ju jeni ish-student i Universitetit të Mjekësisë dhe shpesh të kemi parë duke reaguar për probleme të ndryshme. Kësaj herë keni nxjerr një raport për kërkimet shkencore të pedagogëve. Cilat janë problematikat që keni evidentuar?

Nga kurioziteti, u interesova të shikoja se në cilat revista publikonin profesorët shqiptar për të marrë titujt akademik. Gjatë një kërkimi të shpejtë, vura re se profesorët e mjekësisë për shembull, publikonin në revista të rajonit por që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë. Aty më lindi dyshimi dhe bëra një studim në databazat bibliografike SCOPUS por edhe databaza specifike për mjekësinë për të parë publikimet e universiteteve shqiptare në përgjithësi, dhe duke bërë një analizë më të thellë për Universitetin e Mjekësisë dhe atë të Tiranës. Siç tregohet në raport, profesorët e mjekësisë publikojnë në revista boshnjake dhe maqedonase, dhe revista të tjera me faktor impakti zero. Pra, në revista që nuk kanë asnjë peshë në arenën ndërkombëtare. Faktor impakti është një indeks që përdoret për të treguar rëndësinë/impaktin e një revistë: Sa më i lartë faktor impakti, aq më e rëndësishme është revista në nivel ndërkombëtar në fushën që operon.

Ndërsa të dhënat për Universitetin e Tiranës treguan se stafi pedagogjik i këtij institucioni publikonte kryesisht në një revistë, Mediterranean Journal of Social Sciences, që kishte qenë pjesë e një skandali ndërkombëtar dhe qendrën e kishte në Tiranë, dhe jo në Itali siç tregohej në faqen online të revistës. Edhe revistat e tjera kryesisht kishin faktor impakti zero. Në studim treguam gjithashtu se si edhe dy gjyshet e mia, që nuk kanë formimin universitar, mund të publikojnë me të dhëna të rreme në revistat ku profesorët e mjekësisë publikonin.  Pra përmes studimit, treguam se pjesa me e madhe publikimeve që vijnë nga Universitetet Shqiptare, janë në revista të cilat mund të publikojnë gjithçka, edhe punime të rreme në këmbim të një pagese të caktuar.

Cila është analiza që keni bërë për të faktuar nivelin e prodhimeve shkencore nga akademikët shqiptarë?

Nga të dhënat që kam, nepotizmi në Universitetet Shqiptare është në shkallë alarmante. Në Universitetin e Mjekësisë për shembull, të dhëna paraprake tregojnë se mbi 60% e stafit pedagogjik janë burrë/grua/vëlla/motër/teze/dajë/nip/ mbesa apo kanë lidhje të tjera farefisnore. 60% është një numër shumë i lartë për të qenë rastësor. Numra të ngjashëm gjen edhe në universitete të tjera. Kjo ndikon te mungesa e meritokracisë dhe krijimi i lobimeve ekonomiko-politik që shihet ndjeshëm në institucionet tona arsimore dhe që nuk kanë për qëllim studentin dhe universitetin.

Deri në cilat nivele shkon problemi?

Në të gjitha nivelet, përfshin persona publik që dalin si ”ekspertë” si dhe nivel drejtuesish të universiteteve . Siç mund të shihet në grafik pjesa më e madhe e rektorëve dhe dekanëve të universiteteve publike kryesore por edhe atyre private kanë zero publikime dhe H-index 0. H-indeks është një parametër që rankon shkencëtarët/akademikët në botë. Në botën perëndimore, që të marrësh titullin profesor duhet të kesh një H-indeks mesatarisht 18, ndërsa drejtuesit e universiteteve që supozohet të jenë ajka e akademikëve janë nivel masteri ose doktorature. Në qoftëse shohim akademinë e shkencave situata paraqitet edhe me e rëndë siç shihet edhe në grafik. Akademia e shkencave duhej të përfaqësonte studiuesit më të mirë Shqiptar. Pastaj nga studimi del që problemi shtrihet edhe në përfaqësimin në qeveri, në të gjitha kohërat.

Të tjera

Abissnet